Protestuesit pro-BE dhe policia u përleshën në kryeqytetin e Gjeorgjisë Tbilisi për natën e gjashtë radhazi të martën. Protestuesit përdorën rreze lazer dhe fishekzjarre kundër policisë së trazirave, e cila u kundërpërgjigj me topa uji dhe gaz lotsjellës.
Avokati i Popullit i Gjeorgjisë akuzoi policinë të martën se ushtron torturë ndaj njerëzve të arrestuar gjatë gjashtë ditëve të protestave të mëdha në rrugë kundër vendimit të qeverisë për të pezulluar bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar më parë përdorimin e "forcës së tepruar" kundër protestuesve. Por kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze ka lavdëruar vazhdimisht policinë për reagimin e saj, duke thënë se ata kanë treguar profesionalizëm më të madh se homologët e tyre në Evropë dhe SHBA.
Vendi me 3.7 milionë banorë është përfshirë nga kriza që nga e enjtja e kaluar, kur “Ëndrra Gjeorgjiane” njoftoi se po ndalonte bisedimet me BE-në dhe do të hiqte dorë nga çdo financim nga blloku deri në vitin 2028.