Policia gjeorgjiane ka arrestuar një udhëheqës të rëndësishëm të opozitës, pas përplasjes me protestuesit jashtë parlamentit në Tbilisi, ku për të katërtën natë radhazi u përdorën ujëhedhës dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Protestat nisën pas vendimit të qeverisë për të pezulluar bisedimet për anëtarësim në BE, një veprim që kritikët e konsiderojnë si dëshmi të një orientimi drejt Rusisë, pavarësisht mohimeve të partisë në pushtet.
Koalicioni për Ndryshim, partia kryesore opozitare, njoftoi se Zurab Japaridze, një nga liderët e saj, u arrestua nga policia teksa largohej nga protesta. Pamjet treguan arrestimin e tij nga oficerë të maskuar që e futën në një automjet të paidentifikuar, ndërsa ende nuk është e qartë nëse do të ngrihen akuza ndaj tij.
????????????GEORGIA ARRESTS OPPOSITION LEADER
— Mario Nawfal (@MarioNawfal) December 2, 2024
Zurab Japaridze was arrested after taking part in anti-government protests outside parliament.
The Georgian government's decision to suspend negotiations to join the European Union have sparked protests across the country in recent days.… pic.twitter.com/B6SyFWxFOS
SHBA dhe BE kanë shprehur shqetësim për rënien demokratike në Gjeorgji, një vend me 3.7 milionë banorë që ndodhet në udhëkryqin mes Evropës dhe Azisë dhe ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Rusia mohon ndërhyrjen në punët e brendshme të Gjeorgjisë, por ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, paralajmëroi se Gjeorgjia po ndjek “rrugën e Ukrainës drejt një humnerë të errët” dhe se kjo situatë mund të përfundojë keq.
Të dielën në mbrëmje, protestuesit u mblodhën sërish në rrugën Rustaveli. Disa hodhën fishekzjarre drejt policisë, ndërsa ajo reagoi me ujëhedhës dhe gaz lotsjellës. “Jam këtu për të mbrojtur të ardhmen evropiane dhe demokracinë e vendit tim,” tha një protestues, Nikoloz Miruashvili.
Ministria e Brendshme tha se gjatë protestës u plagosën 21 policë, ndërsa që nga fillimi i protestave numri i të plagosurve ka arritur në 113. Kryeministri Irakli Kobakhidze akuzoi opozitën për dhunë të organizuar me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues.
Në anën tjetër, edhe dhjetëra protestues janë plagosur, ndërsa SHBA ka dënuar përdorimin e tepruar të forcës nga policia.
Presidentja pro-BE e Gjeorgjisë, Salome Zurabiçvili, e cila mbështet protestuesit, tha se shumë nga të arrestuarit kanë pësuar dëmtime në kokë dhe fytyrë për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre. “Kjo është një revoltë e mbarë vendit,” tha ajo. Në shenjë proteste, qindra diplomatë dhe nëpunës civilë kanë nënshkruar letra të hapura, ndërsa disa ambasadorë gjeorgjianë kanë dhënë dorëheqjen.
Luftëtari i arteve marciale, Ilia Topuria, tha në një postim në Instagram: “Jam kundër ndërprerjes së negociatave për anëtarësim në BE. Më vjen turp për mënyrën se si trajtohen qytetarët e Gjeorgjisë. Kjo nuk është liri.”
Zurabiçvili ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të anulojë zgjedhjet e fundit, të cilat ajo dhe opozita i cilësojnë të manipuluara. Ajo tha se nuk do të largohet nga posti presidencial pasi parlamenti që do të zgjedhë pasardhësin e saj është jolegjitim.
Ndërkohë, komisioni zgjedhor ka deklaruar se zgjedhjet ishin të drejta. Kryeministri tha se reagimi i Zurabiçvilit ishte emocional për shkak të humbjes së opozitës dhe se ajo duhet të largohet në përfundim të mandatit.
Tensionet janë rritur prej muajsh, pasi partia në pushtet miratoi ligje mbi “agjentët e huaj” dhe kufizimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ+. Partia Ëndrra Gjeorgjiane thotë se veprimet e saj synojnë të mbrojnë sovranitetin e vendit dhe të shmangin përfshirjen në një konflikt me Rusinë.