TCH: Cili ose cilët janë fajtorët për dështimin dhe për këtë krizë të madhe, në të cilën gjenden marrëdhëniet e kompanisë me autoritetet shtetërore dhe konsumatorin?
Bojaxhi: Fajtorë janë të gjithë nga pak, por për të ndarë gjërat, në radhë të parë, ligji zbatohet me procedura dhe fatkeqësisht CEZ ka vepruar duke zbatuar ligjin dhe shteti duke e shkelur. Kjo mund të mos jetë një lëvizje e mirë politike, pasi kjo çështje do të përfundojë në arbitrazh. Nëse është e vërtetë që policia ka ndërhyrë, kjo në të ardhmen do të përdoret nga CEZ në rast arbitrazhi për të marrë një përfitim ekonomik. CEZ po luan si të pozicionohet më mirë, ndërsa shteti bën lëvizje të tilla kur ndodhet jo shumë larg zgjedhjeve.
TCH: A është e ligjshme ndërprerja e energjisë për ujësjellësit?
Bojaxhi: Është e ligjshme ndaj çdo debitori, shtetëror apo civil. Por kjo nuk do të thotë se, meqenëse ti je borxhli tek unë dhe unë tek ti duhet t’i bëjmë dëm njëri-tjetrit. KESH në thelb duhet të bllokojë llogaritë e CEZ dhe t’i marrë lekët. Kompanitë e tjera ja kanë marrë, ndërsa KESH duhet të veprojë për t’ia marrë. Por edhe CEZ ka të drejtën e saj për ndërprerje.
TCH: A përbëjnë kamatvonesat titull ekzekutiv?
Bojaxhi: Jo, nuk mund të ndërpritet energjia për shkak të kamatvonesave. Ndërprerja bëhet pasi çështja trajtohet në gjykatë. CEZ ka vite që i mban të zvarritura proceset e kamatvonesave, me qëllim që nesër të pozicionohet mirë në një arbitrazh ndërkombëtar. Shteti shqiptar duhet të mendohet mirë.
TCH: Cilat janë rrugët e zgjidhjes së këtij problemi? A nuk mendoni se përveç denoncimit që u bëhet shkeljeve të CEZ-it, njerëzit e politikës duhet që paralelisht t’u bëjnë thirrje votuesve të tyre të paguajnë energjinë e konsumuar, sepse ende në këtë vend ekziston një mentalitet gati i pakonceptueshëm në një shoqëri tregu, sipas të cilit duhet të furnizohesh me produkte, në rastin konkret me energji, por edhe mund të mos e paguash atë.
Bojaxhi: Pa dyshim. Unë mendoj se gjithë kjo situatë vjen si pasojë e një pjese të madhe të qytetarëve që nuk paguajnë energjinë. Një nga elementët kryesorë të privatizimit të shpërndarjes ishte që të shkëputeshin këto marrëdhënie të tipit ‘ti më ke borxh mua, unë ty’, etj. Ky është një interpretim i gabuar, sepse nëse CEZ ka borxh duhet dërguar në gjyq dhe t’i merren lekët. Kjo nuk mund të zgjidhet me shkëmbime, por me përgjegjësi. CEZ ka pasuri më vete, llogari të veçanta, po ashtu edhe KESH, dhe secili mund të veprojë.
Marrë nga T.CH.
(eç/shqiptarja.com)