Gjergj Prevazi: Përplasja e
kulturave me gjuhën e trupit

Gjergj Prevazi: Përplasja e<br />kulturave me gjuhën e trupit
DURRES- Mbrëmjen e kaluar në sallën “Black box” të Universitetit të Arteve në Tiranë është shfaqur premiera e spektaklit Dansteatër Extreme Makeover II-Culture Clash. Tre koreografë, Gjergj Prevazi, pedagog në UA, Katharina Maschenka Horne (Gjermani) dhe Labinot Rexhepi (Kosovë) paraqitën një version ndryshe të përballjes së kulturave, në epokën e integrimit dhe globalizimit. Një vit më parë Prevazi dhe Horne kishin filluar ciklin e “përplasjes” më një spektakël tjetër, i pritur po aq mirë sa shfaqja e mbrëmjes së kaluar.
Pas dy provave në Korçë dhe në Durrës, shfaqja e kolauduar në Tiranë do të jetë fundjavën e parë të dhjetorit në Tetovë (Maqedoni) dhe Prishtinë (Kosovë), për të marrë edhe përshtypjet e spektatorëve shqiptarë në këto dy qendra të tjera të kulturës.

Siç shprehet koreografi Prevazi, shfaqja ka si subjekt problemet që lindin gjatë marrëdhënieve në çift me kombësi e kultura të ndryshme (një vajze gjermane dhe një djalë shqiptar), si pasojë e edukimit dhe formimit të ndryshëm.

Personazhet I sqarojnë pozicionet e tyre, me një tekst të shkurtër, në shqip dhe në gjermanisht, ndërkohë që spektatorët zenë vend në ndenjëset. Më pas për 40 minuta, gjithçka është memece, janë trupat që flasin e thonë shumë. Një puthje e gjatë, atëherë kur në marrëdhëniet e çiftit ka diell, por gjithçka nxihet atëherë kur dëgjohet një shpullë shqiptare.  
Por si e gjykon koreografi Gjergj Prevazi, shfaqjen e përgatitur së bashku me kolegët dhe cili është mendimi I tij për zhvillimin e këtij zhanrri në Shqipëri.
 
-Gjergj, përplasja e kulturave, e adresuar shumë saktësisht, përbën një risi për koreografinë shqiptare. Në “Extreme makeover 2” bashkë me temën, vijnë tre krijues, ju si koreograf dhe Katharina dhe Labinoti si performues, perkatesisht nga Shqipëria, Kosova dhe Gjermania. A përplasen edhe kulturat artistike mes tyre?
 
-Jetojmë në një kohë ku integrimi është jo vetëm pjesë e agjendës politike. Ai vjen dhe bëhet prezent edhe në marrëdhëniet konkrete dhe të përditshme njerëzore, ndërmjet artistëve. Duke ndarë për më shume se 20 ditë së bashku të njëjtën hapësirë pune, shpeshherë edhe kafen e mëngjesit, ne jemi përpjekur të jemi suplementarë në produktin tonë artistik. Por, sigurisht ekzistojnë mjaft dallime, deri në përplasje kulturash, mentalitetesh dhe karakteresh njerëzore, që reflektojnë padyshim edhe në produktin artistik. Mund t’ju them, se vetë procesi ka qenë një konfrontim i shumë ideve, kulturave, edukimeve me kahe shpesh të kundërta, por që rezultoi në një premierë të pritur mjaft ngrohtë nga audienca në Universitetin e Arteve.
 
A mund të jetë tema një mundësi bashkëpunimi që mund të zgjerohet në të ardhmen me komponentë të tjerë?
 
-Kjo temë është pjesë e diskutimeve dhe debateve në shumë vende europiane, ku prezenca e nacionaliteteve ekstrakomunitare është e konsiderueshme. P.sh. në Gjermani, ku ka një prani mjaft të madhe të turqve, kultura e të cilëve dallon jashtëzakonisht shumë nga ajo e gjermanëve; kjo temë është një çështje, e cila thuajse çdo ditë është e pranishme në median e atjeshme. Për dhe mbi këtë temë ka interesim nga mjaft institucione që donatojne kulturën në Europë. Sigurisht, e ardhmja e kulturës Europiane është me kahe nga bashkëveprimi dhe moskonfliktimi i vlerave dhe traditës së vyer që trashëgojnë popuj me kultura të ndryshme. Gjithsesi, historia na tregon se shoqëritë e hapura janë ato që kanë ruajtur më së miri edhe vlera e tradita, ndoshta fillimisht të "importuara" nga popuj të tjerë, por me kalimin e viteve ato janë bërë pjesë e vet kulturës europiane. Kujtoj këtu faktin e njohur historik se në Romën antike, dansin ekspresiv e solli popullata etruske, që në atë kohë konsiderohej inferiore përballë asaj romake. Në kohët moderne flitet gjithnjë e më tepër për art e kulturë europiane, e më pak për gjermane, italiane, franceze apo britanike. 
 
Sa ka hyrë Dance Theatër në kulturën e spektatorit shqiptar? Po në programet mësimore?
 
-Dansteatri është tashmë pjesë e interesit edhe të spektatorit tonë. Pas rreth 14 vitesh të nje master projekti për ta sjelle e për ta bërë prezent atë n Shqipëri, audienca jonë ka ardhur vazhdimisht në rritje, falë shfaqjeve dhe prezantimeve në shumë skena e festivale shqiptare, të Albanian DanceTheater Company, që unë drejtoj prej 14 vitesh, me një repertor prej 8 shfaqjesh. Gjithashtu, falë Albania Dance Meeting-Festival, prej 8 vitesh dansteatri dhe dansi kontemporan kanë komunikuar, janë afruar dhe njohur  gjithnjë e më shumë me publikun shqiptar,   jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Korçë, Elbasan, Fier dhe Shkodër. 
Padyshim, çerdhja e këtij investimi ka qenë e mbetet Fakulteti i artit skenik në Universitetin e arteve - dega e koreografisë, që ka përfshirë në program edukimin me këtë tendencë bashkëkohore të dansit. Gjithashtu, thuajse çdo vit studentët kanë marrë leksione e praktika edhe nga pedagogë të huaj që sjellin vazhdimisht kërkimet dhe njohuritë më të fundit të fushës.
 
 
Kjo ishte shfaqja e fundit e edicioni të tetë të Festivalit ndërkombëtar të dancit modern dhe kontemporan. Çfarë ju ka mësuar kjo përvojë në raportet me vetë artin, me spektatorin, me politikat kulturore, me sponsorët, etj.
 
-Përvoja është gjithmonë e vyer në çdo fushë e drejtim. 
Mendoj se ajo ka shërbyer, së pari për të ndërtuar edicion pas edicioni një program me vlera, diversitet dhe risi. Na ka mësuar të ndërlidhim pritshmërinë e audiencës me të papriturat artistike, shpeshherë edhe provokative. 
Festivali tashmë ka binjakëzime me disa syresh në Itali e Bosnje, e ndoshta këtë vit edhe me një festival mjaft të madh e të rëndësishëm në Gjermani. Kjo falë eksperiencës dhe pjesëmarrjes në disa netëork-e të dansit kontemporan europian, që vetë festivali ka bërë të mundur. Na ka mësuar të ndërtojmë strategji e politika në raport me insitucionet publike, qendrore e lokale, si dhe me sponsorët privatë.
 
A keni një mesazh për ata që hartojnë politikat artistike në vendin tonë?
 
-Ka 3 vite që Albania Dance Meeting - Festival, nuk financohet nga Ministria e Kulturës dhe QKAK. Për këtë nuk do të bëja sigurisht me faj ministren e re, për vetë kohën e shkurtër që ka në drejtim, por sigurisht që dua ti bëj apel për vitet në vazhdim. Ky festival tashmë ka treguar se është një mundësi reale e komunikimit, integrimit dhe absorbimit të kulturës europiane nga publiku shqiptar, si dhe një mundësi konkrete edukimi për gjeneratat e reja, në bashkimin e vokacionit tonë kulturor me atë europian e më gjerë.  Për të gjitha argumentet e sipërpërmendura, sigurisht Festivali i vetëm i dansit në Shqipëri, meriton të klasifikohet në prioritetet e politikave kulturore të këtij vendi. Mendoj se nuk është e drejtë, që personalisht nuk kam përfituar asnjë lek deri më sot për krijimtarinë time koreografike, nga institucionet përgjegjëse për kulturën në Shqipëri. Jam financuar vetëm nga fondacione e institucione europiane. Ndërkohë shfaqjet që kam prodhuar së bashku me bashkëpunëtorët e mij të ngushtë në Albanian Dance Theater Company, janë prezantuar me sukses në festivale dinjitoze në Francë, Zvicër, Itali, Gjermani, Austri, Turqi, Egjipt e rajon.
 
Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin