Turizmi mund të hapë mundësi të reja bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, jo vetëm në këtë sektor, por edhe në ekonomi, transport, infrastrukturë dhe mbrojtjen e mjedisit. Kjo ishte një nga temat e takimit që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi këtë të martë me delegacionin e Komisionit Parlamentar për Turizmin të Bundestagut, të kryesuar nga Anja Karliczek.
Peleshi tha se marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë mbështeten edhe nga bashkëpunimi parlamentar mes Kuvendit dhe Bundestagut në të gjitha nivelet.
“Pjesëmarrja aktive dhe kontributi i delegacionit gjerman në Konferencën Ndërparlamentare për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë, që u zhvillua dje në Tiranë, ishte një tjetër dëshmi e këtij bashkëpunimi”, tha Peleshi.
Kreu i Kuvendit vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin, demokratizimin dhe integrimin europian të Shqipërisë mbi bazën e meritës. Sipas tij, kjo mbështetje është një inkurajim për institucionet shqiptare në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Duke u ndalur te turizmi, Peleshi tha se ky sektor ka potencial të madh për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke krijuar mundësi të reja edhe në ekonomi, transport, infrastrukturë dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe për afrimin e mëtejshëm të njerëzve.
“Një marrëdhënie që forcohet përmes dialogut parlamentar dhe projekteve konkrete”, u shpreh Peleshi.

“Integrimi nuk është propagandë”, deklaroi deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pas takimit me Anton Hofreiter, kryetar i Komisionit për Çështjet Europiane të Bundestagut gjerman, ku në fokus ishte rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku tha se Gjermania ka shqetësime që lidhen me sundimin e ligjit, mbrojtjen e natyrës dhe respektimin e standardeve të grupkapitullit “Themeloret”.
"Gjermania ka shqetësime të drejta për sundimin e ligjit, mbrojtjen e natyrës dhe respektimin e standardeve të grupkapitullit “Themeloret”. Shqipëria ndodhet përpara një zgjedhjeje të qartë: një Shqipëri që ecën drejt Bashkimit Europian, apo një Shqipëri që largohet prej tij dhe prej vlerave europiane. Integrimi nuk është propagandë. Ai do të thotë një shtet i së drejtës, ku drejtësia nuk pengohet nga forca e kartonëve në Parlament dhe ku ligjbërja nuk shndërrohet në noteri të interesave të një pakice. Nëse sot jemi pas Malit të Zi dhe ende të papërgatitur, kjo është pasojë e një qeverisjeje që nuk ka vullnet të zbatojë as frymën, as germën e ligjeve të BE-së. Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, çështja e Aeroportit të Vlorës dhe mbrojtja politike që po i bëhet ish-zëvendëskryeministres janë prova konkrete të kësaj mungese vullneti. Beteja jonë është për një Shqipëri europiane në ligje, në institucione dhe në standarde" shkruajti Tabaku në rrjete sociale.

Përmbyllja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda vitit 2027 ishte në fokus të takimit që kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi këtë të martë me kryetarin e Komitetit për Çështjet e Bashkimit Europian në Bundestagun gjerman, Anton Hofreiter.
Takimi u zhvillua në mjediset e Kuvendit, ndërsa palët diskutuan për ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, avancimin e negociatave dhe bashkëpunimin me Gjermaninë në mbështetje të këtij procesi.
Balla vlerësoi mbështetjen e Bundestagut dhe Qeverisë Federale të Gjermanisë për Shqipërinë dhe rolin e këtij partneriteti në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Mirënjohje Bundestagut dhe Qeverisë Federale për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin europian të Shqipërisë. Ecim përpara drejt përmbylljes së negociatave brenda vitit 2027”, u shpreh Balla.






Komente
Komento