Champions League nis këtë të martë në 21:00 me ndeshjen e parë gjysmëfinale. Në "Allianz Arena" të Munichut, Bayerni pret Real Madridin për një ndeshje që mund të ishte edhe finalja e këtij sezoni, për historinë e klubeve dhe rivalitetin mes tyre.
Pasi kaluan Manchester Cityn, kampionen në fuqi të Champions League, Real do kërkojë të bëjë mirë edhe në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve, për t'i dhënë vetes epërsi në sfidën e kthimit që luhet në "Bernabeu" një javë më vonë.
Dueli mes dy skuadrave është historik, pasi në Champions League dyshja është përballur 26 herë, me 12 nga fitoret që kanë qenë për gjermanët. 11 suksese për Real Madrid dhe tre sfida që janë ndarë në barazim.
Ndërkohë, sa i takon shtatë ndeshjeve të fundit mes tyre, Real Madrid ka fituar gjashtë herë, një ndeshje ka dalë në barazim dhe Bayern Munich nuk ka fituar asnjë, duke dashur që sot të thyej këtë ecuri negative përballë "Galaktikëve" në Champions League.
Kujtojmë se në La Liga Real Madrid prin tabelën dhe është pranë titullit numër 36 në kampionat, ndërsa në Bundesligë Bayern Munich humbi garën me Leverkusenin, me këta të fundit që fituan titullin e parë në histori. Për t'u theksuar se Real Madrid është 14 herë fitues i Champions League, më shumë se cilido ekip tjetër.
Bayern Munich dhe Real Madrid luajnë sot në Gjermani (21:00) për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions League. "Galaktikët" janë dukshëm më të favorizuar, por me gjermanët të uritur për një trofe pas dështimit në kampionat, asnjëherë s'i dihet.
Para ndeshjes për mediet folën dy trajnerët. Thomas Tuchel i bavarezëve kërkon të bëjë mirë në fundin e aventurës së tij me Bayern, teksa kërkon nga të tijtë që të tregojnë se kush është zot në fushë.
"Varet nga taktikat, por gjithashtu ka të bëjë edhe sa je i lirë në fushë. Taktikat janë gjithmonë një mjet. Është sikur një veturë, por ne jemi ata që e drejtojmë atë. Lojtarët duhet të kenë ide të qarta gjatë ndeshjes dhe atë duhet ta ndjejnë se janë të lirë të luajnë në fushë.
Ka të bëjë me një përzierje të fatit, momenteve dhe kualitetit për të eliminuar një ekip si Real Madridi dhe nëse fati duhet të sfidohet, ne do ta sfidojmë atë”, ka thënë Tuchel.
Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti e nisi konferencën duke kërkuar falje për faktin se kishte harruar gjermanishten. Italiani vjen si një ish, pasi më parë ai e ka drejtuar Bayern Munich nga 1 korriku 2016 deri më 28 shtator 2017 për 60 duele.
"Real Madridi asnjëherë nuk është nënvlerësuar në këtë kompeticion, sepse të gjithë e dinë se çfarë mund të bëjmë. Ndjejmë respekt nga të gjithë. Mendoj se pesha e fanellës rëndon në këtë kompeticion, si historia dhe të tjerat.
Vijmë pasi kemi eliminuar një ekip shumë të fortë (Man. City) dhe historia është në favorin tonë. Për sa i përket cilësisë, ata janë të fortë në tranzicion, ata mund të luajnë në mënyra të ndryshme dhe janë shumë të rrezikshëm. Të dy mund të luajmë në mënyra të ndryshme.
Rikthimi si kundërshtar? Munich është shumë i bukur, një qytet fantastik, edhe pse fatkeqësisht gjermanishtja nuk më ka hyrë kurrë në kokë. Djali im e bëri, ai mësoi shumë mirë. Munichu është një qytet spektakolar për të jetuar", tha Ancelotti.