BERLIN, 8 dhjetor /ATSH-AFP/ - Qeveria gjermane publikoi një listë me 58 projekte që arrijnë vlerën e 89 miliardë eurove investime, në kuadër të planit të BE-së për të stimuluar investimet për nxitjen e ekonomisë, njoftoi sot një zëdhënës i ministrisë së Financave.
"Çdo shteti anëtar të Bashkimit Evropian i është kërkuar të inventarizojë programe të mundshme investimi, ne kemi identifikuar projekte që arrijnë në 58 të tillë për një vlerë prej 89 miliardë eurosh, në sektorë të ndryshëm", njoftoi Marianne Kothe gjatë një konference për shtyp.
Detajet e kësaj liste ende nuk janë publikuar, por sipas gazetës "Suddeutsche Zeitung", aty përfshihen disa projekte që janë paraqitur edhe më parë nga qeveria, si zhvillimi i internetit të shpejtësisë së lartë apo shfrytëzimi i energjisë së erës në det të hapur.
"Kjo listë nuk nënkupton se të gjitha projektet do të realizohen, këto janë propozime të bëra për Brukselin", theksoi zëdhënësja.
Presidenti i ri i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, paraqiti një plan gjigant investimesh që do të mundësojë mobilizimin e 315 miliardë eurove në tre vite, kryesisht para private.
Nga ana e tij, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, kishte njoftuar në fillim të nëntorit se parashikon 10 miliardë euro shtesë në investimet publike të Gjermanisë deri në vitin 2018, duke parë këtu edhe një kontribut në rritjen ekonomike të Evropës. Deri tani ai ka refuzuar që një pjesë të këtij investimi ta injektojë në fondin e premtuar nga Komisioni Evropian në kuadër të planit Juncker./
/G.S/