BERLIN - Politika e zhvilluar nga Moska sjell vështirësi për shumë vende fqinje të Bashkimit Evropian, vlerësoi kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një intervistë të dhënë sot për median gjermane.

"Me Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, kemi tre vende fqinje lindore që kanë nënshkruar në mënyrë sovrane një marrëveshje të asocimit me BE-në. Rusia i shkakton vështirësi këtyre tre vendeve", deklaroi Merkel për të përditshmen, Die Welt.

"Ne vërejmë gjithashtu se Rusia përpiqet të mbajë nën varësinë e saj ekonomike dhe politike disa vende të Ballkanit perëndimor", shtoi kancelarja gjermane.
Merkel u pyet gjithashtu mbi kritikat që i kanë drejtuar tre ish-kancelarë, konservatori Helmut Kohl, socialdemokrati, Helmut Schmidt, dhe Gerhard Schroder, përkrahës i një marrëdhënie më të butë me Rusinë.

"Jam e bindur se përgjigja e përbashkët evropiane ndaj veprimeve të Rusisë është e duhura", u përgjigj ajo.

"Fakti që Rusia ka shkelur memorandumin e Budapestit të vitit 1994 mbi integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës nuk mund të mbetet pa pasoja", shtoi kancelarja.
Të enjten, presidenti rus, Vladimir Putin, mbajti një fjalim të fuqishëm, ku akuzonte Perëndimin se "përpiqet të frenojë rritjen e Rusisë dhe se përpiqet gjithnjë ta tërheqë drejt fundit kur ajo bëhet shumë e fortë dhe e pavarur, nën sfondin e krizave që zgjasin si ajo e Ukrainës".

Vendet perëndimore, që akuzojnë Kremlinin se mbështet ushtarakisht separatistët në lindje të ukrainës, një akuzë e kundërshtuar nga Moska, kanë imponuar shumë sanksione kundër Rusisë, duke vënë ekonominë e saj në situatë shumë të vështirë. Moska nga ana e saj ka reaguar ndaj këtyre sanksioneve me masa shtrënguese ndaj produkteve amerikane dhe evropiane./ATSH/