BERLIN, 12 qershor /ATSH-AFP/ - Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka folur para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit lidhur me nevojën për vazhdimin e prezencës gjermane në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, por pjesën më të madhe të fjalimit ja ka kushtuar Maqedonisë, duke shprehur shqetësime për zhvillimet aktuale, njoftoi Dojçe Vele, sipas agjencisë së lajmeve INA.
"Po i përcjellim me shqetësim të madh zhvillimet në Maqedoni. Dje bisedova me eurokomisionerin, Han, i cili po bën përpjekje të mëdha për të ndërmjetësuar mes palëve. Raportet mes grupeve të ndryshme etnike janë të brishta", theksoi Steinmeier.
"Nuk përjashtohet mundësia për kthim mbrapa, nëse krerët politikë nuk marrin përsipër përgjegjësitë e tyre. Javën e kaluar u duk sikur u shënuan hapa para dhe se në një të ardhme të afërt do të hapej rruga për zgjedhje të reja", shtoi ai.
Edhe Bashkimi Evropian u shpreh i zhgënjyer nga sjellja e palëve në përfundim të negociatave të përqendruara në zgjidhjen e krizës së thellë politike që ka përfshirë Maqedoninë dhe të cilat ishin të pasuksesshme./
/ec/