Të hënën u zhvilluan gjashtë takimet e fundit kualifikuese në tre grupet e Kupës së Botës 2026 për zonën UEFA. Një biletë për në finalet e Botërorit 2026 e siguruan zyrtarisht Gjermania dhe Holanda, duke e çuar në 34 numrin e skuadrave të kualifikuara (nga 48). Ndërkohë që Sllovakia, Polonia, Irlanda e Veriut dhe Çekia kanë siguruar zonën play-off.
Në Grupin A, Gjermania fitoi 6-0 kundër Sllovakisë dhe siguron zyrtarisht një vend në finalet e Kupës së Botës 2026 që verën e ardhshme zhvillohet në Amerikën e Veriut. Në "Red Bull Arena" të Leipzigut, 'Panzerat' nuk i kursyen sllovakët, me këta të fundit që do luajnë në play-off dhe mund të jenë rivalë të Shqipërisë ose Kosovës.
Dueli u zhbllokua pas 18 minutash nga i përhershmi Woltemade. Sulmuesi i Newcastle mori një pasim final nga Kimmich dhe nuk gaboi përballë portierit Dubravka. Më pas Gnabry shënoi golin e qetësisë për 2-0. Në fundin e pjesës së parë kishte vend edhe për dopietën e Sane, me dy asistime të Wirtz, i cili ishte edhe futbollisti më i mirë i ndeshjes.
Në fraksionin e dytë Gjermania shënoi edhe dy herë të tjera me Ridle Baku dhe Assan Ouedraogo, për të vulosur shifrat 6-0. Me 15 pikë pas gjashtë takimeve, Gjermania e mbyll grupin në vendin e parë, me pesë fitore dhe një humbje. Nga ana tjetër, Sllovakia me 12 pikë kalon në play-off.
Në Grupin G ishte Holanda dhe Polonia që siguruan tri pikët e radhës. "Tulipanët" kalojnë në finalet e Kupës së Botës direkt, ndërsa Polonia do provojë shanset nga zona play-off.
Në "Johan Cruijff" të Amsterdamit, Holanda nuk e kurseu Lituaninë duke e mposhtur 4-0. Tijani Reijnders zhbllokoi shifrat në minutën e 16-të, ndërsa për "Tulipanët" në pjesën e dytë shënuan dhe Gakpo, Simons dhe Malen. Me 20 pikë pas tetë takimeve dhe pa humbje, Holanda e mbyll Grupin G në vendin e parë dhe shkon direkt në Botëror.
Në Maltë, vendasit u mposhtën 2-3 nga Polonia. Janë polakët që sigurojnë kështu vendin e dytë në grup me 17 pikë pas tetë takimeve dhe do luajnë në play-off.
Në Grupin L, Kroacia fitoi 2-3 kundër Malit të Zi në Podgoricë. Të kualifikuar, 'Dalmatët' fituan me përmbysje me golat e Perisic, Jakic dhe Vlasic, duke e mbyllur grupin në kuotën e 22 pikëve pas tetë takimeve, pa asnjë humbje.
Çekia fitoi 6-0 kundër Gjibraltarit dhe si e dyta e Grupit L kualifikues do provojë shanset në play-off, teksa mund të përballet me Shqipërinë apo Kosovën.
Këtë të martë duke nisur nga ora 20:45 do luhen dhjetë ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ku do mësohen verdiktet zyrtare për pesë grupe. Në "Fadil Vokrri" të Prishtinës, Kosova pret Zvicrën. Dardanët e Fodas duhet të fitojnë 6-0 që t'i marrin kreun helvetëve dhe të kalojnë direkt në Botëror, diçka që duket e pamundur. Ndërkohë Kosova e ka siguruar fazën play-off.
Ndeshjet kualifikuese në grupe, e hënë 17 nëntor 2025:
Grupi A
Gjermani 6-0 Sllovaki
Irlanda e Veriut 1-0 Luksemburg
Grupi G
Maltë 2-3 Poloni
Holandë 4-0 Lituani
Grupi L
Çeki 6-0 Gjibraltar
Mali i Zi 2-3 Kroaci
Komente





