Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë, në pasiguri prej luftës në Ukrainë

Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë, në pasiguri prej luftës në Ukrainë

Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt, Gjermani

Lufta në Ukrainë ka provokuar një krizë ekonomike në Gjermani, e cila mbështetej së tepërmi tek furnizimet nga Rusia. Siç njofton nga Berlini korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jacob Russell, jo vetëm që bizneset e vogla janë të shqetësuara, por ekonomistët thonë se kriza do të detyrojë një riorientim të të gjithë ekonomisë gjermane.

Gjatë dekadave të fundit, Gjermania ka qenë shembull në Evropë për stabilitetin ekonomik. Tashmë kriza e provokuar nga lufta në Ukrainë, e kombinuar me inflacionin e vazhdueshëm, po rrezikon stabilitetin që shumë njerëz e merrnin si të mirëqenë.

“Lufta në Ukrainë dhe kriza energjitike e kanë goditur në veçanti Gjermaninë, pasi ajo është e ndërvarur nga importi i hidrokarbureve. Çmimet janë rritur së tepërmi. Me çmime e larta të energjisë, ekonomia e Gjermanisë tashmë po shkon drejt recesionit”, thotë Marcel Fratzscher, president i Institutit Gjerman për Studimet Ekonomike.

Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë ushqyer rritjen ekonomike të Gjermanisë gjatë viteve të fundit. Në vitin 2020, ato kishin gjysmën e të punësuarve në vend. Tashmë, këto biznese po rrezikohen.

Jan Schmieder-Balladur është pronar i furrës Le Brot, në rrethinat e Berlinit dhe mban 20 persona të punësuar.

“Sfidat më të mëdha me të cilat përballemi tani janë pasiguria e çmimeve të rritura të energjisë dhe inflacioni që vazhdon, si dhe ndoshta ndërprerjet e energjisë gjatë dimrit. Deri më tani energjia është rritur me 30%. Mendojmë se do të rritet edhe me 100%, por varet nga dimri dhe nga ve di met e qeverisë për zgjidhjen e problemeve”, thotë zoti Schmieder-Balladur.

Njësoj preken edhe konsumatorët. Kjo do të thotë se pronarët e bizneseve nuk munden thjesht t’ua kalojnë kostot në rritje klientëve.

“Përpiqemi të ulim kostot dhe të vazhdojmë të mirëpresim të gjithë klientët, por sigurisht nëse i ngre çmimet më shumë, do të kesh më pak klientë”, thotë zoti Schmieder-Balladur.

Qeveria gjermane ka njoftuar disa paketa të mëdha ndihmash për bizneset dhe konsumatorët, por ndryshimi themelor i kahut të luftës në Ukrainë do të thotë se Gjermanisë do t’i duhet të vazhdojë të përballet me sfida të mëdha.

“Sfida më e madhe nuk do të jetë vitin tjetër, megjithëse do të jetë një vit i vështirë, por në 5-10 vitet e ardhshme, pasi Gjermania do të duhet të bëjë një transformim masiv ekonomik në shumë dimensione. Kompanitë në Gjermani përballen me sfidën e disavantazhit të madh për të konkuruar me kompanitë në Shtetet e Bashkuara, në Kinë apo Kore, të cilat nuk ndeshen me rritje të tilla të kostove të energjisë, si kompanitë gjermane”, thotë zoti Fratzscher.

Ekonomistët vlerësojnë se një familje me të ardhura mesatare vjetore prej 39 mijë dollarësh, do të paguajë 480 dollarë më shumë vetëm për energjinë. Pra, pasojat më të shumta do t’i përjetojnë personat me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Çdo biznes është sfidues, por nëse nuk funksionon, atëherë unë e mbyll dhe vazhdoj me diçka tjetër. Por, do të ishte për të ardhur keq për punonjësit. Kemi rreth 20 të punësuar, dhe ata këtu fitojnë jetesën për familjet e tyre. Pra, është tejet e rëndësishme ta vazhdojmë biznesin”, thotë zoti Schmieder-Balladur.

Ndërsa vjeshta do zëvendësohet nga dimri, Gjermania përballet me një të ardhme shumë më të pasigurtë se gjatë viteve të fundit./VOA

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ U plagos me thikë pas shpine pas sulmit nga 4 persona, kopshtari shqiptar u tregon oficerëve emrin e autorit! Motivi, përleshja tre muaj më parë

Greqi/ U plagos me thikë pas shpine pas sulmit nga 4 persona, kopshtari shqiptar u tregon oficerëve emrin e autorit! Motivi, përleshja tre muaj më parë