Gjyqtari i Tiranës Artan Gjermeni, dy ditë pasi çështja ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, pretendon se eurot e gjendura në makinën e tij tip “Smart”, i si pasojë e kursimeve të familjes. Ai tha se të ardhurat vjetore të familjes, të deklaruara në shtet janë 80 milionë lekë në vit, kështu që shuma e sekuestruar në makinë është pjesë e këtyre të ardhurave.
 
Sipas tij ai nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe as nuk e ka sulmuar askush, dhe për pasojë çështja duhet të pushohet, pasi prerja e gishtit të tij dhe gërvishtja në pjesën e brinjëve, është si pasojë e një llamarine.
 
Sipas policisë, ka qenë ora 18:30 minuta të datës 18 janar kur në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë është paraqitur me disa plagë shtetasi Artan Gjermeni.
 
Policia thotë se mjekët kanë konstatuar dëmtime të gishtit të mesit të dorës së djathtë dhe pjesën e brinjëve në anën e majtë. Si dhe janë konstatuar disa plagë të vogla, gërvishtje në buzë, qafë dhe në syrin e djathtë. Për të gjitha këto plagë, policia thotë se gjyqtari Gjermeni ka pretenduar se janë aksidentale dhe nuk ka qenë bashkëpunues me policin e shtetit.
 
Gjatë kqyrjes së njollave të gjakut dhe kontrollit të makinës, oficerët e policisë kanë gjendur dhe sekuestruar një shumë prej 18 mijë e 760 euro si dhe një shumë prej 285 mijë lekësh të reja.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)