TIRANE, 17 Nëntor/ATSH/- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, deklaroi të hënën ne Kuvend se fondi për promovimin e Shqipërisë turistike për vitin 2015 është 77 milionë lekë. Sipas Gjermenit, gjatë vitit që vjen synohet trajtimi i turizmit si një fushë prioritare e zhvillimit të qëndrueshëm në vend, me një qasje të integruar dhe plotësuese ndërsektoriale, që menaxhon burimet në mënyrë të balancuar, gjeneron zhvillim ekonomik dhe garanton punësim. Po ashtu, Gjermeni theksoi se gjatë vitit 2015 synohet permirësimi i identitetit shqiptar të turizmit në rajon e më gjerë, nëpërmjet zbatimit të Strategjisë së Brandimit të Shqipërisë për turizmin dhe ivestimet. "Fondet e parashikuara për Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit bashkë me institucionet e varësisë arrijnë në 2.3 miliardë lekë", theksoi Gjermeni. I analizuar sipas përparësive programore, sipas saj, ky fond detajohet në planifikimin urban dhe strehimin me vlerë totale 1.9 miliardë lekë ose 83% e vlerës totale të buxhetit. "Programi i dytë, planifikim-menaxhim-administrim mbeshtetet me vlerë totale 258 milionë lekë ose 11% e gjithë fondit. Zhvillimi i turizmit me vlerë totale 124 milionë lekë ose 5.4 % e gjithë kësaj vlere", tha Gjermeni.
Ministrja duke folur ne Kuvend, teksa po diskutohet ne parim projektbuxheti per vitin qe vjen, shpjegoi se në projektbuxhetin e viti 2015 vend të rëndësishëm zënë investimet publike ku janë parashikuar rreth 869 milionë lekë investime, nga të cilat 520 milionë lekë investime publike me financim të brendshëm dhe 349 milionë lekë investime publike me financim të huaj.
"Buxheti do të sigurojë strehimin e rreth 15% të familjeve që kanë aplikuar për kredi të butë me një vlerë subvencioni 285 milionë lekë pranë njësive të qeverisjes vendore përkatëse. Me një vlerë investimi 90 milionë do të realizohet përmirësimi i kushteve të banimit për rreth 180 familje rome. Me një vlerë investimi 21 milionë lekë do të realizohet rinovimi i banesave në bashkëpronësi për 77 familje. Enti Kombëtar i Banesave ka planifikuar të investojë me fondet e veta 215 apartamente banimi me një fond total investimi prej 646 milionë lekësh", tha ndër të tjera Gjermeni./a.gjonaj//a.ke/