ATHINE - Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni mori pjesë në punimet e Konferencës së Nivelit të Lartë në Athinë që zhvillohet nga BE në bashkpunim me Ministrinë e Turizmit të Greqisë mbi strategjinë e zhvillimit të zonave bregdetare.
 
Gjatë konferencës Ministrja Gjermeni zhvilloi një takim të veçantë me homologen greke Ollga Qefalojani, me të cilën diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit mes dy vendeve. Gjermeni dhe Qefalojani ranë dakord për përgatitjen e një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit mes Shqipërisë dhe Greqisë.
 
Kjo Konferencë e zhvilluar në kuadër të presidencës greke të BE-së, u përshendetet edhe nga Kryeministri grek Andonis Samaras. Synimi i kësaj konferece është diskutimi mbi mundësitë dhe sfidat për nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike të sektorit të turizmit.
 
Ndërkaq strategjia e BE-së për zhvillimin e turizmit në zonat bregdetare përcakton 14 veprime konkrete në nivel evropian dhe propozon një numër rekomandimesh për shtetet anëtare. Sot sektori i Turizmit në Evropë punëson rreth 3,2 milion njerëz.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)