Ndërsa nis të tregojë rëndësinë e kësaj trashëgimie që dëshmon së pari identitetin kombëtar, Gjet Ndoj shprehet se “është një besim shumë i madh ai që i ka dhënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama” dhe më tej shprehet se “kjo gjë e ka inkurajuar atë që të ketë disa objektiva ambicioze”, ku rrëfen në këtë intervistë se puna e tij do të nis, jo vetëm duke ruajtur traditën, por edhe duke realizuar atë që ka munguar në Arkivin Qendror të Shtetit që sipas tij “të jetë i askesueshëm dhe i hapur për gjithë dhe të ruajë atë që çdo gjë të dalë në dritë për të gjithë njerëzit e interesuar dhe jo në mënyrë të selektuar”.
Po cilat janë gabimet e drejtueshme të mëparshëm? Zbardhje dosjesh në mënyrë selektive, zhdukje e disa dosjeve të tërhequra me firmën e ish-drejtoreshës së Arkivit të shtetit dhe mbyllja e dyerve për studiuesit. Këto janë disa nga akuzat që ngre drejtori i ri i Arkivës Qendrore të Shtetit Gjet Ndoj
Zoti Gjet, si e keni nisur punën si drejtor i Arkivës Qendrore të Shtetit?
Ne kemi filluar të bashkëpunojmë me disa institucione të rëndësishme, siç është Qendra e Studimeve Albanologjike ku kam kontaktuar edhe me drejtorin profesor Ardian Marashin dhe me profesor Beqir Metën. Unë pasi jam kontaktuar me ta më thonë se ne nuk kemi pasur aksesin e duhur si studiues në Arkivën Qendrore të Shtetit. Pra për mua është e rëndësishme që ata duan të bëjnë një bashkëpunim dhe bashkëpunimi me institucionet shkencore që kanë lidhje me arkivin e shtetit do të jetë i madh, sepse është në dobi të interesit publik, në dobi të interesit kombëtar, jo në interes të njërit person apo tjetrit. Pra do të ndryshohet mënyra sesi mund të shërbehet këtu. Natyrisht është një besim shumë i madh që më ka dhënë kryeministri i Shqipërisë dhe në natyrën time është që unë nuk shkel mbi besimin kurdo që të ma japin. Ndaj dua të dëshmojë se Arkivi nuk është shërbim të egos së një personi apo të një personi tjetër, por është në dobi të interesit publik kombëtar.
Cila ka qenë marrëdhënia juaj me AQSH, para se të caktoheshit drejtues i saj?
-Un jam një pre atyre shumë njerëzve që kam gërmuar dhe kam hulumtuar në arkivin e shtetit si studiues për shkak të begraundit. Unë jam formuar në fushën e historisë në vitin 1984-’88, pastaj kam punuar tre vjet mësues në një shkollë të mesme në Mirditë dhe më pas jam marrë me studime. Unë vet rrjedh nga një familje patriotike. Stërgjyshi im ka marrë pjesë në lidhjen e Prizrenit, paraardhësit e mi kanë qenë në luftë kundër gjysmëhënës. Me një origjinë dhe një bazë të shëndoshë patriotike dhe me formim në fushën e historisë, arkivi më ka ngacmuar për t’u lënë pas diçka brezave. Kështu që unë kam botuar shumë libra historikë. Pra, si historian un nuk kisha si të mos shtjelloja çështje kardinale të luftës së shqiptarëve, siç mes të tjerash edhe libri që kam bërë për luftën nacionalçlirimtare.
Pra kam një libër tjetër voluminoz historik që shpreh probleme të personaliteteve shqiptare që nga koha e Skënderbeut që ka të bëjë me mbrojtjen autentike, që janë vlera njëkohësisht europianiste, dhe një tjetër studim historik që përmbledh çështje që nga historia e Gjergj Kastriot Skënderbeut duke ardhur deri në periudhat moderne, ku unë simbolikisht kam futur edhe Nënën Terezën. Librat e mi historikë kanë përmbajtje me ngjarje për çështje të kombit, siç është “e vërteta mbi shqiptarët”. Ndërkohë unë kam në dorë libra të tjerë për ne shqiptarët dhe për Luftën e II Botërore, etj.
Është vënë re që për ngjarje pikante, siç ka qenë ngjarja e Shpalljes së Pavarësisë, ku pati edhe një debat të madh për figurat kombëtare arkivat pak a shumë janë shfrytëzuar politikisht. Çfarë ka ndodhur konkretisht në historinë e 100-vjetorit të pavarësisë me mënyrën sesi janë shfrytëzuar arkivat?
-Shqetësimi që ju keni ngritur është një shqetësim qytetar historianët duan të dalin tek të vërtetat e kombit, ashtu siç dalin të vërtetat e kombeve të tjera në dritë. Dhe këto janë të vështira të zbardhen dhe që të jenë shteruese në kuptimin e historiografisë. Por, po lë për të dëshiruar puna e historiografive të Shqipërisë, pasi në shumicën e kohës historiografët kanë shkruar historinë, jo siç ka ndodhur, por siç donin fuqitë të jepnin se kishte ndodhur. E kjo ka qenë një mënyrë ose një arsye themelore që të vërtetat nuk janë shteruese për të treguar atë çfarë ne jemi si shqiptarë dhe si është historia jonë. Por është një fakt, se nëse historia jonë është zbardhur më mirë se herët e tjera, kjo është se janë austriakët dirigjuesit kryesorë për të zbardhur atë se çfarë bëri Perandoria Osmane, realisht e kalbur, në Shqipëri duke u bashkuar njëherësh edhe me rrezikun shovinist sllavo-grek. Dhe megjithatë prapë e vërteta nuk është shteruese. Këtu ka protagonistë që nuk përmenden.
Për shembull, Lazër Mjeda është një personalitet kryesor, në atë kohë arqipeshkvi i Shqipërisë, i cili në një farë mënyre ishte njeriu më i lidhur me perandorinë austriake dhe Hasburgun dhe nëpërmjet tij bëri skenarin në një farë mënyre: Ismail Qemali, jo rastësisht shkoi i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, duke nisur nga Stambolli, pastaj shkon te kolonia shqiptare që ishte shumë e organizuar në Bukuresht dhe nga kjo shkon në Austri në Vjenë. Ismail Qemali nën shoqërinë e Luigj Gurakuqit vjen në Trieste të nesërmen me anijen e cila ishte e caktuar thjesht nga austriakët dhe prej tyre kanë marrë dhe sponsorizime financiare dhe pastaj kanë takuar Nikollë Kaçorin në Durrës, etj, etj. Në Durrës ishte një organizatë Vllaznia e Durrësit me Nikollë Kaçorin, Kristaq dhe Mihal Ramën të cilët krijuan kushtet dhe klimën për arsye që e kanë thënë historianët të mbroheshin nga rreziku serb sepse ishte frika se mos dështonte ky ceremonial i rëndësishëm i kombit, siç ishte Shpallja e Pavarësisë.
Dalja e parakohshme e dosjeve të sigurimit të Shtetit nga arkivat, ndërkohë që në parlament kërkohet vazhdimisht hapja e tyre, a është i ligjshëm si veprim i institucionit të Arkivës së Shtetit?
-Unë them që kjo nuk lidhet shumë me rregullat dhe ligjet për arkivat sa lidhet me moralin e politikës shqiptare. Me qarqet politike ose me grupe politike që kanë qeverisur qeverinë e Shqipërisë deri për 23 vjet. Duhet të kishin punuar më tepër me zbardhjen e dosjeve. Duhet të kishin bërë siç është bërë edhe me shtetet e tjera ish diktatoriale edhe me Shqipërinë. Ndoshta diktatura në Shqipëri e ushtroi me intensitet më të lartë të zorshëm ndërgjegjen e shtetit shqiptar dhe natyrisht kjo diktaturë ka pasur instrumentet e saj. Dhe, këto instrumente janë sistemi i Sigurimit të Shtetit dhe bashkëpunëtorët.
E keqja nuk është se nuk janë zbardhur dosjet, se nuk do të kishte rëndësi të madhe për të ditur më shumë për ata që i kanë shërbyer diktaturës sesa ajo që këta persona të mbajnë peng zhvillimin dhe qeverisjen e këtij vendi për 23 vjet. E them në këtë kuptim që mos hapja e dosjeve ka qenë një moment ose një argument shumë i fortë, që politika e qarqet politike që kanë qeverisur vendin, që politikanët më të fuqishmit e këtij vendi nuk kanë dashur që të zbardhet, me qëllim viktimat, ata që sunduan në kohën e komunizmit dhe me ata që punuan në diktaturë, këta politikanë të kohës sonë t’i përdorin për të bërë me ta çfarë të munden, dhe kjo qeverisje në një farë mënyre është kështu edhe për këtë arsye në Shqipëri.
Ka ndodhur që një pjesë e dosjeve të Sigurimit për disa persona kanë dalë në dritë dhe për disa të tjerë janë të mbuluara?
-Ka ndodhur një gjë me dosjet. Është ajo që unë thashë. Hapja në mënyrë selektive, pikërisht i ka shërbyer këtij qëllimi. Shantazho dhe mbaj viktimat në shërbim dhe kjo mënyrë ka qenë një mënyrë shumë efikase për të bërë ata që e kanë drejtuar Shqipërinë duke bërë atë që kanë dashur dhe jo; atë që është në interes publik, dhe jo për të bërë atë që është e rëndësishme për historinë e jo vetëm të kombit shqiptar, për të bërë atë që është në interesin e secilit prej nesh. Ndaj nuk është bërë qeverisja e mirë. Shqipëria i ka të gjitha kushtet dhe do të ishim tjetër vend sot. Ne jemi në mes të Europës dhe jemi larg saj, pikërisht se këta politikanë deri në ditët tona, e ndjej në ndërgjegjen time, e keni keqmenaxhuar.
Jeni drejtori i parë që jeni pritur me skepticizëm duke u nisur në disa shkrime mediatike. Nga vjen ky reagim?
-Unë mirëkuptoj skeptikët që të jenë skeptikë dhe të jenë oponentë. Për gjithçka ndodh këtu është një pasuri e madhe sepse i gjithë opinioni publik në çaste kur bëhet fjalë për ndryshime thelbësore duhet të jetë i vëmendshëm. Ata që e kanë parë me skepticizëm ardhjen time se e duan arkivin, se duan të mirën, unë i mirëkuptoj dhe ata gëzojnë respektin maksimal prej meje. Ndoshta kjo kategori e parë mund të ketë për arsye të mosnjohjes, ashtu sikurse drejtoresha e mëparshme është shprehur ndoshta për të njëjtën arsye. Por duke u nisur se për shumë vite arkivi ka qenë i izoluar nga media dhe ka pasur ajo arsyet dhe interesat e veta. Pra ata që e shihnin me konstruktivit nuk kanë faj, ndërsa ka një pjesë e që e bëjnë qëllimisht se ndoshta iu preken interesat.
Unë kam filluar në arkiv jo për të parë sesi është drejtuar keq, por për të drejtuar atë strategji që unë kam për ta bërë arkivin më të akseushëm, për ta bërë arkivin në radhë të parë më të mirë sesa ka qenë në drejtim, për të shërbyer më mirë, ashtu sikundër do të thosha më në fund në këtë kuadër ne ta diçitalizojmë dhe ta bëjmë dicka shumë me interes për publikun dhe ndërkombëtar. Ashtu sikundër do të them që gjatë këtij procesi që unë e kam nisur punën me stafin po has edhe disa mangësi, të cilat nuk janë të karakterit subjektiv dhe unë kam edhe shqetësim si drejtues për këtë që ka ndodhur. Unë nuk kam ardhur këtu të mbulojë disa boshllëqe, unë nuk kam tendencë me profesoreshë Nevila Nikën, unë nuk kam pasur kontakt dhe njohje të madhe me të. Këtu ka disa boshllëqe shqetësuese që unë nuk mund t’i mbulojë dot.
Për shembull...?
-Për shembull këtu mungojnë dosje, të cilat janë të rëndësishme dhe janë marrë me emrin e Nevila Nikës në arkiv dhe mungojnë tek arkivi. Janë katër dosje të rëndësishme.
Cilat janë, të çfarë periudhe?
-Duhet të jem i saktë se nuk i kam këtu shënimet, por kanë humbur dosje nga Lufta e Parë Botërore dhe e Dytë dhe njëra pas Çlirimit. Ashtu siç di që ka një dosje të një kleriku të shquar, siç është Pal Dodaj, dosja e të cilit është tërhequr nga Nevila Nika dhe i mungojnë fletë të ditarit të tij. Dhe kjo është një pasuri, e cila nuk mund të preket. Është një pasuri në kuptimin afatgjatë të fjalës që është më i rëndësishëm se Arkivi i Shtetit. Dhe kjo pasuri nuk duhet të preket dhe aq më tepër nga njerëz që janë profesorë, ashtu siç ka ca gjëra të tjera që janë të mbartura këtu që nga struktura dhe stili i drejtimit. Pra janë të parëndësishme në dukje por me shumë rol strukturat e ngritura nga drejtorët paraardhës, që unë kam një filozofi tjetër që të mos drejtojë vetëm, por në grup për të kryesuar, jo vetëm misionin ligjor, por edhe e kam me pasion për të bërë diçka ndryshe. Unë jam me funksion dhe detyrë që më është besuar dhe do ta përmbush këtë detyre dhe skeptikëve do t’ju tregojë çfarë mund të bëjë për të kuptuar rëndësinë e vendimit të kryeministrit Rama për emërimin tim.
Shkrimi u publikua sot (31.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)