Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët ishin në operacionin për gjetjen e trupit të pajetë të 30-vjeçarit Jurgen Karaj në Klos, u dekoruan me medalje.
Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari i dekoroi ata me medaljen “Shërbim Vetëmohues”.
Ndërsa njësia e Kërkim Shpëtimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare, në të cilën bëjnë pjesë pjesëtarët e FSK-së, u dekorua me “mirënjohje”.
“Komandanti i FSK-së dekoroi me medalje pjesëtarët që kanë qenë në operacionin e kërkim shpëtimit në Republikën e Shqipërisë. Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim JASHARI priti në takim pjesëtarët e njësisë së Kërkim Shpëtimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së të cilët kanë qenë të angazhuar në operacionin humanitar të kërkim shpëtimit në Republikën e Shqipërisë.
Fillimisht, Gjeneral Jashari falënderoi pjesëtarët që kanë qenë të angazhuar në operacionin humanitar të kërkim shpëtimit në Klos, të Republikës së Shqipërisë. Me këtë rast GLT Jashari i përgëzoi për punën, profesionalizmin dhe angazhimin pjesëtarët në fjalë, të cilët e përfunduan me sukses këtë operacion në kushte të ftohta dimërore.
Në fund të takimit, GLT Jashari dekoroi pjesëtarët e angazhuar në këtë operacion humanitar me medaljen “Shërbim Vetëmohues” dhe dekoroi me “mirënjohje” njësinë në fjalë. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal duke dëshmuar ngritje të kapaciteteve dhe profesionalizëm si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Pas 29 ditësh kërkime, u gjetur në liqenin e Ulzës, pranë fshatit Urakë trupi i pajetë i të riut Jurgen Karaj, i cili rezultonte i zhdukur që prej 10 janarit në Klos.
Operacioni i kërkim-shpëtimit u zhvillua në lumin Mat dhe përfshiu 82 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës. Gjatë kërkimeve u përdorën edhe dronë nënujorë.
Jurgen Karaj, nga fshati Fullqet i Klosit, humbi jetën mbrëmjen e 10 janarit në një aksident rrugor. Ai ishte pasagjer në automjetin që drejtohej nga shoku i tij, Andi Losha, I cili u arrestua nga policia pasi dyshohet se drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe nuk i dha ndihmë 30-vjecarit.
Komente






