Z.Gjici, cili është komenti juaj për vendimin e Komisionit të Disiplinës?
Jam i shokuar nga Disiplina, kurrsesi nuk prisja vendime të tillë. Të gjitha dënimet janë të padrejta dhe absurde nga Komisioni i Disiplinës. Nuk arrij që të kuptoj se përse dënohet Kukësi me heqjen e 3 pikëve, kur brenda ndeshjes, deri në vërshëllimën e arbitrit nuk u regjistrua asnjë incident. Përsa i përket dënimit të fushës gjithçka është e qëllimshme, pasi nuk ka përse të dënohet një qytet i tërë për veprimin e disa personave. Pezullimi i Shensojit është akoma më i rëndë. Të dënohet një trajner me 12 ndeshje, vetëm e vetëm se është më i miri në kampionatin shqiptar më duket akoma më e rëndë, kjo është arsyeja e vërtetë. Askush nuk është dënuar më parë për një gjë tillë në Shqipëri, edhe pse ka reaguar më ashpër se Shensoji.
Ju i cilësuat vendimet të qëllimshme, përse mendoni kështu dhe kush janë autorët sipas jush që i kanë marrë vendime të tilla?
Sigurisht që vendimet janë të qëllimshme dhe autori i gjithë këtij skenari është Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit. Armando Duka është kundër futbollit të ndershëm dhe që nuk është i lidhur me bastet. Presidenti i FSHF, nuk e do Kukësin të shpallet kampion, pasi luan ndershëm, ai favorizon Skënderbeun që del në faqet e para të gazetave për trukim duke qenë trupi i futbollit shqiptar. Duka është kundër Kukësit sepse ka biznese të përbashkëta me drejtuesit e Skënderbeut, ndërsa me mua jo.
Pra ju mendoni se fituesi i kampionatit është i paracaktuar?
Po, Duka në fakt nuk është vetëm kundër Kukësit, por kundër të gjithë ekipeve që rivalizojnë Skënderbeun. Shembujt janë të shumtë duke filluar me ekipin e Flamurtarit, që e dënoi dhe i hoqi pikë vetëm sepse ishte rivali i Skënderbeut për titullin kampion. Ndërsa sapo pa që Kukësi po ngjitej në renditje e dënoi në fazën e parë me 4 ndeshje, tani që u rikthyem në shtëpi dhe po merrnim pikë rregullisht, vjen masakra e radhës.
A keni një mesazh për Presidentin e FSHF?
Po, sigurisht që kam diçka për t’i thënë pasi nuk mund të tallet me djersën time. Dua t’i them që të gjejë vend edhe të futet, nëse nuk anulon vendimet, pasi i gjithë qyteti i Kukësit do të protestojë përballë Federatës Shqiptare të Futbollit. Kam dy vite që investoj duke ndërtuar stadiumin, duke nderuar Shqipërinë me arritjet në Evropë që askush më parë nuk i ka prekur, askush nuk mund të nëpërkëmbë djersën time.
Kush janë hapat e radhës që do të ndërmerrni në vazhdim?
Do të apelojmë vendim dhe do të presim përgjigjen. Nëse nuk do të hiqen dënimet e dhëna nga Disiplina atëherë së bashku me kreun e bashkisë së Kukësit do t’i drejtohemi Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe do të përshkallëzojmë veprimet duke u ngritur në protestë me të gjithë qytetin. Armando Duka mos mendojë që është Zoti, pasi ne e kemi zgjedhur dhe ne e heqim.
A keni menduar që të largoheni nga investimi në ekipin e Kukësit pas këtyre ngjarjeve?
Absolutisht që jo, nuk do të dorëzohem përballë asgjëje. Nuk do të lejoj që nëpërkëmbja të vazhdojë, do t’u japim fund historive të tilla, ku fituesi përcaktohet nga dëshira e Federatës Shqiptare të Futbollit.