TIRANE - Kukësi sonte në orën 21:00 në Bosnje do të zhvillojë ndeshjen më të rëndësishme nga momenti që është themeluar përballë ekipit të Sarajevos të vlefshme për turin e dytë të Evropa League. Ndeshja e parë mes dy ekipeve ka përfunduar me rezultatin 3-2 për ekipin e Kukësit që u zhvillua një javë më parë në Tiranë, ndërsa ndeshja e kthimit pritet që të jetë akoma më e vështirë, pasi luhet në fushë kundërshtare dhe shpresat që kualifikimi të sigurohet janë të barabarta, pavarësisht fitores së Kukësit në shtëpi.

Boshnjakëve iu duhet vetëm një fitore minimale 1-0 për të kaluar në fazën tjetër, por presidenti i ekipit të Kukësit, Safet Gjici pak sekonda para nisjes për në Bosnje nga Tirana së bashku me ekipin deklaron se kualifikimi do të arrihet, madje me një lojë bindëse nga ekipi i tij. “Jemi të ndërgjegjshëm që do të jetë një ndeshje shumë e fortë, pasi Sarajevo luan në fushën e saj dhe do të kërkojë me cdo kusht të rikuperojë humbjen në ndeshjen dhe parë dhe të kualifikohet, por ne nuk do të futemi në fushë për t’u mbrojtur.

Ekipi do të luajë i barabartë nga minuta e parë për të treguar se e meritojmë rezultatin e arritur në Tiranë dhe kualifikimin në përgjithësi. Grupi është në gjendje shumë të mirë dhe gati për të dhuruar surprizën e radhës këtë edicion. Synimi ynë është turi i tretë dhe për këtë do të japim maksimumin sonte në Bosnje” deklaron Gjici, i cili ka vendosur edhe një premio 100 mijë euro në rast kualifikimi në turin tjetër. Nëse Kukësi do të kalonte në turin tjetër, ky edicion do të quhej me plot gojën i shqiptarëve, pasi kualifikimit edhe të Skënderbeut përballë ekipit të Neftcit.

I të njëjtit mendim me Gjicin është edhe mesfushori Allmuca, i cili ishte heroi i ndeshjes së parë në Tiranë, pasi me asistin e golit të parë dhe realizimin e golit të tretë u kthye në njeriun e ndeshjes. Kukësi pritet që sot të zbresë në fushë me një formacion që bazohet më shumë te një mesfushë e dendur për të bllokuar sulmet e kundërshtarit dhe ta mbajë sa më larg portës, por edhe për ta zënë në befasi me topat e gjatë dhe vertikalizimet e sakta nga këmbët e Allmucës, i cili është pika e referimit te verilindorët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)