Flukset gjigante të kapitalit po riformësojnë biznesin dhe po shtojnë rreziqet, shkruan The Economist
Sot është e lehtë të humbasësh ndjeshmërinë ndaj shifrave të mëdha. Çdo javë njoftohen marrëveshje të mëdha.
Vetëm katër ditë pasi SpaceX, kompania e raketave e Elon Musk, siguroi 86 miliardë dollarë në listimin më të madh publik të realizuar ndonjëherë, më 12 qershor, ajo njoftoi se do të blinte Cursor, një startup të Inteligjencës Artificiale për programim, për 60 miliardë dollarë.
Po atë ditë, DeepSeek, një laborator kinez i Inteligjencës Artificiale, bëri të ditur se kishte siguruar 7 miliardë dollarë në raundin e katërt më të madh të financimit me kapital sipërmarrës të regjistruar ndonjëherë në vend.
Deri tani këtë vit, bashkimet me vlerë mbi 10 miliardë dollarë kanë përbërë 48% të vlerës totale të marrëveshjeve, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, sipas Dealogic, ofrues të dhënash (shih grafikun 1).
Edhe investimet në startup-e po përqendrohen gjithnjë e më shumë: raundet e financimit mbi 1 miliard dollarë kanë përbërë 61% të financimit total me kapital sipërmarrës këtë vit, ndërsa në katër të pestat e këtyre raundeve ka marrë pjesë një investitor korporativ, sipas PitchBook, një tjetër ofrues të dhënash (shih grafikun 2).
Prirja drejt flukseve gjigante të kapitalit është e dukshme kudo. Projektet e reja të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) me vlerë mbi 1 miliard dollarë kanë përbërë 42% të totalit që nga fillimi i vitit 2024, nga 28% në periudhën 2016-2018, sipas fDi Markets, që gjurmon këto projekte (shih grafikun 3).
Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti përqendrohet në Amerikë. Vitin e kaluar, vendi ishte njëkohësisht destinacioni dhe burimi më i madh i projekteve të reja të IHD-ve me vlerë mbi 1 miliard dollarë. Gjithashtu, aty ndodhen 14 nga 15 startup-et që kanë marrë financimet më të mëdha që nga fillimi i vitit 2024. Nga 71 megabashkimet e regjistruara që nga fillimi i vitit 2025, 44 blerës janë amerikanë.
Por kjo prirje është përhapur edhe në rajone të tjera. Vitin e kaluar, Tajvani ishte burimi i dytë më i madh i Investimeve të Huaja Direkte me vlerë mbi 1 miliard dollarë, i ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina.
Edhe marrëveshjet e mëdha të kapitalit sipërmarrës po realizohen jashtë Amerikës. DayOne, operator qendrash të të dhënave me bazë në Singapor, siguroi 4.5 miliardë dollarë në qershor, ndërsa Nscale, një kompani rivale britanike, mori 2 miliardë dollarë në mars.
Marrëveshjet e mëdha vijnë dhe ikin në valë. Megjithatë, rrallëherë këto cikle kanë qenë kaq të sinkronizuara dhe kaq të varura nga një numër i vogël kompanish gjigante. Kjo sjell edhe rreziqe.
Prirja drejt investimeve gjigante është rezultat i ndërthurjes së disa zhvillimeve në ekonominë globale. I pari është disponueshmëria e kapitalit, pavarësisht se normat e interesit janë rritur nga nivelet jashtëzakonisht të ulëta të viteve të fundit.
Rezervat në para të kompanive të përfshira në indeksin amerikan S&P 500 kanë arritur në 2.2 trilionë dollarë. Këto kompani po realizojnë gjithashtu fitime rekord. Në Shtetet e Bashkuara, fitimet e korporatave janë pranë nivelit më të lartë historik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Kjo, nga ana tjetër, ka shtyrë vlerën e tyre në treg në nivele rekord, duke u dhënë kompanive edhe më shumë mundësi për të kryer blerje të kompanive të tjera dhe për të siguruar financime të reja përmes borxhit ose emetimit të aksioneve.
Më 1 qershor, Alphabet njoftoi se do të emetonte aksione me vlerë 80 miliardë dollarë – një shumë pothuajse e papërfillshme për një kompani, vlera e së cilës në treg ka arritur në 4.4 trilionë dollarë.
Pjesa më e madhe e këtij kapitali po përdoret për të financuar bumin e Inteligjencës Artificiale – faktori i dytë që qëndron pas kësaj prirjeje.
Pesë gjigantët e infrastrukturës cloud – Alphabet, Amazon, Meta, Microsoft dhe Oracle – pritet të shpenzojnë rreth 800 miliardë dollarë në investime kapitale këtë vit, ndërsa garojnë për të ndërtuar qendra të të dhënave në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, ato janë ndër financuesit më të mëdhenj të startup-eve të Inteligjencës Artificiale.
Bumi i IA-së ka nxitur gjithashtu një sërë bashkimesh të mëdha korporative, përfshirë bashkimin e Dominion dhe NextEra, dy kompani amerikane të energjisë, si dhe blerjen e kompanisë së sigurisë kibernetike CyberArk nga lideri i tregut Palo Alto Networks.
Faktori i tretë pas valës së flukseve gjigante të kapitalit është politika. Në Shtetet e Bashkuara, administrata aktuale është treguar shumë më tolerante ndaj bashkimeve të mëdha të kompanive sesa paraardhësja e saj. Edhe Bashkimi Europian, nga frika se kampionët e tij industrialë mund të mbeten pas në garën globale, ka rishikuar së fundmi rregullat për bashkimet, duke i bërë ato më të lehta.
Qeveritë me politika proteksioniste po i nxisin kompanitë të rikthejnë prodhimin në vendet e tyre përmes tarifave dhe subvencioneve. Si pasojë, shumë kompani të mëdha po investojnë shuma të mëdha në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese jashtë vendit, si fabrikat e çipave që TSMC, gjiganti tajvanez i gjysmëpërçuesve, po ndërton në Arizonë, apo fabrika e re e automobilave që BYD, prodhuesi kinez i automjeteve elektrike, po ndërton në Hungari.
Ndryshimet teknologjike dhe ndërhyrjet politike kanë krijuar një mjedis biznesi më të pasigurt dhe drejtuesit e kompanive po arrijnë gjithnjë e më shumë në përfundimin se përmasat më të mëdha ofrojnë më shumë siguri – faktori i katërt që po ushqen ethet e investimeve.
“Në shumë borde drejtuesish kam dëgjuar se është më mirë të jesh më i madh”, thotë Jake Henry nga kompania konsulente McKinsey.
Edhe investitorët duket se ndajnë të njëjtin mendim. The Economist analizoi kompanitë amerikane jofinanciare të përfshira në indeksin Russell 3000, duke i ndarë ato në pesë grupe sipas vlerës së tregut.
Në vitin 2019, raporti mesatar çmim/fitim (P/E) – një tregues që mat sa lart e vlerësojnë investitorët fitimin e një kompanie – ishte 18 për grupin e kompanive më të mëdha, kundrejt 14 për grupin e kompanive më të vogla. Sot këto shifra janë 26 dhe 15, duke treguar se tregu i vlerëson fitimet e kompanive të mëdha shumë më lart se më parë (shih grafikun 4).
Ky rezultat mbetet i pandryshuar edhe kur përjashtohen kompanitë e teknologjisë.
Megjithatë, gara e kompanive për t’u bërë gjithnjë e më të mëdha mbart edhe rreziqe. Studiuesit vlerësojnë se gjasat që një bashkim i madh kompanish të rezultojë i suksesshëm nuk janë më të larta se ato të një bashkimi më të vogël – pra rreth 50 me 50.
Por kur gjërat shkojnë keq, pasojat mund të jenë katastrofike. Kompania konsulente Bain llogarit se në pothuajse gjysmën e megabashkimeve të realizuara vitin e kaluar, vlera e kompanisë së blerë ishte më shumë se 50% e kapitalizimit bursier (vlera totale në treg e një kompanie të listuar në bursë) të blerësit. Për realizimin e këtyre transaksioneve shpesh nevojiten edhe sasi të mëdha borxhi.
Shqetësim nuk përbëjnë vetëm bashkimet e mëdha. Deri vonë, investimet gjigante të kompanive amerikane të infrastrukturës cloud në qendrat e të dhënave financoheshin kryesisht nga paratë e gjeneruara prej aktiviteteve të tyre ekzistuese.
Tani ato po marrin hua në shkallë të gjerë, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të raportit mes borxhit dhe fluksit të lirë vjetor të parasë. Për shembull, tek Amazon, ky raport ka kaluar nga një nivel më i ulët se mesatarja e kompanive të indeksit S&P 500 në vitin 2019, në një nivel që sot është më shumë se katër herë mbi mesataren.
E gjithë kjo ka pasoja edhe për ekonominë në tërësi. Sipas Deutsche Bank, 10% e kompanive më të mëdha të listuara në bursë përbëjnë tashmë më shumë se tre të katërtat e kapitalizimit total të tregut në Shtetet e Bashkuara, pjesa më e lartë e regjistruar në një shekull.
Një strukturë gjithnjë e më e përqendruar te një numër i vogël kompanish gjigante do të thotë se dështimi i vetëm një korporate të madhe, të ngarkuar me borxhe, mund të shkaktojë tronditje të konsiderueshme në tregjet financiare.
Rritja e përqendrimit të korporatave mund të ketë pasoja negative edhe në drejtime të tjera. Konsumatorët, punonjësit dhe furnizuesit e vegjël mund të vihen nën presion, ndërsa qeveritë mund të ndikohen në mënyrë të tepruar nga ushtria e lobistëve që punësojnë gjigantët e biznesit. Kjo mund të ushqejë më tej rritjen e populistëve në të dy skajet e spektrit politik.
Sipas Gallup, një kompani sondazhesh, përqindja e amerikanëve që thonë se kanë besim te bizneset e mëdha është përgjysmuar afërsisht që nga viti 2000, duke zbritur në 15%. Përmasat e mëdha mund të sjellin shumë përparësi, por jo dashurinë e publikut.
Komente







