VLORE - Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, i arrestuar pasditen e djeshme me kërkesë të Prokurorisë nën akuzën se ka dhënë leje të paligjshme për një pallat 11-katësh, është transferuar në Tiranë për një mjekim më të specializuar, pas problemeve me tensionin e lartë dhe dhimbjeve të forta të zemrës që pësoi dje 5 orë pas arrestimit.

Aktualisht Shpëtim Gjika, po mbahet në terapi intensive në Spitalin Amerikan në Tiranë dhe do të vazhdojë të qëndrojë në reanimacion edhe për minimalisht 72 orët. Kështu ka bërë të ditur mjeku Bekim Jata. Ky i fundit deklaroi për mediat se gjendja e Gjikës momentalisht është e stabilizuar pasi ndodhet në terapi intensive. Jata shtoi se gjatë orëve në vijim do të vendoset nëse Gjika do të ketë nevojë për një koronarografi. Sipas Jatës, në rastin e problemeve kardiake të Gjikës duhen mbajtur parasysh edhe faktorë të tjerë, si vdekja e nënës së tij në moshën 53-vjeçare nga të njëjtat probleme.
 
“Pacienti, ka pasur të njejtat shqetësime gjatë natës si dhe paradite, kur është dërguar pranë qendrës sonë. Gjendja e tij është stabile. Parametrat e tjera duken brenda normës dhe nga analizat kemi ndryshime kryesisht të enzimave kardiake. Pas 24 orëve do të përcaktohet për intervenimin e tij, ndoshta do të shkohet deri tek koronarografia. Minimumi, 72 orë ai do të survejohet dhe më pas do të vendoset për kryerjen e koronarografisë. Ka disa faktorë që duhen pasur parasysh tek sëmundjet ishemike, e ëma e tij ka vdekur në moshën 53-vjeçare. Ai duhet ndjekur në reanimacion. Me terapinë intensive, gjendja e tij për momentin është e qetësuar. Kriza mund t’i jetë shkaktuar nga stresi i shtuar.”- tha mjeku Bekim Jata.

A1 Report ka mësuar se nesër Shpëtim Gjika do t'i nënshtrohet në orën 12:00 edhe koronarografisë e cila do të përcaktojë nëse edhe gjendjen në të cilën ndodhet kreu i Bashkisë Vlorë.

mjeket e gjikes

Gjika fillimisht u shtrua në spitalin e Burgut
Pasi ka kaluar natën e parë në sallën e reanimacionit nën kujdesin dhe monitorimin e mjekëve, dhe pas stabilizimit të gjendjes së tij shëndetësore, Gjika është shoqëruar për t’u transportuar në Tiranë ku është shtruar fillimisht në spitalin e burgut në kryeqytet.


I pyetur nga televizioni A1 Report mjeku i spitalit të burgut, është shprehur se gjendja e kryebashkiakut është stabël, por shton se deri në përmirësimin e tij Gjika duhet të shtrohet në reanimacionin kardiologjik.



Si paraqitet gjendja e Gjikes?
Mjeku: Për momentin është i qetë.

Do transferohet në spital privat?
Mjeku: Unë kam shkruajtur të transferohet në reanimacionin e kardiologjisë.



Pas ekzaminimeve të kryera në spitalin e burgut, Shpëtim Gjika është transferuar në Spitalin Amerikan po në Tiranë ku mësohet se do të qëndrojë deri në përmirësimin e gjendjes së tij shëndetësore. 

gjika ne tirane

Ndërkohë edhe mjeku kardiolo i spitalit rajonal të Vlorës Metlli Deraj tha se gjendja e kryebashkiakut është stabël, por nevojiten ekzaminime të mëtejshme të cilat nuk mund të kryhen dot në spitalin rajonal të Vlorës.

"Gjendja e tij është stabël por jo se është shëruar. Nën efektin e medikamenteve ky person është i qetë, por sëmundja është aty dhe në çdo moment ai mund të komplikohet. Ne nuk mund të bëjmë dot ekzaminime të mëtejshme prandaj u dërgua për në Tiranë." tha kardiologu Deraj

Për këtë arsye, kardiologu Deraj u shpreh se Gjika u transferua në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Sipas kardiologut, problemet e Gjikës janë të përsëritura pasi të njëjtën sëmundje kryebashkiaku e ka vuajtur edhe dy vjet më parë.

Shpëtim Gjika, Drejtoresha e planifikimit Doriana Sulaj dhe biznesmeni Artur Haxhi u arrestuan me vendim gjykate një ditë më parë me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe dhënies së lejes së paligjshme të ndërtimit pë një pallat 11-katësh në Vlorë. Të tre pritet që të dielën të arrestuarit të dalin para togave të zeza për vlerësimin e masës së arrestit me burg

Pesë orë pas prangosjes, Kryebashkiaku Gjika u shoqërua në spitalin rajonal të Vlorës pasi shfaqi probleme me shëndetin, duke pësuar dhimbje të forta në gjoks dhe tension të lartë. 

gjika me logo

Më poshtë intervista me kardiologun Metlli Deraj: 

Si u paraqit gjendja e Shpëtim Gjikës?
Dje pasdite pacienti u shtrua urgjentisht në reanimacion me dhimbje gjoksi e marrje mendsh. U bë ekzaminimi, u vlerësua gjendja e tij. U vlerësua situata në të cilën ndodhej. Vazhdoi monitorimi gjatë gjithë natës nga mjeku i rojes.

Si paraqitet gjendja e tij që nga momenti që ka ardhur dhe si u përcoll për në Tiranë?
Gjendja e tij është stabël por jo se është shëruar. Nën efektin e medikamenteve ky person është i qetë, por sëmundja është aty dhe në çdo moment ai mund të komplikohet. Ne nuk mund të bëjmë dot ekzaminime të mëtejshme prandaj u dërgua për në Tiranë.

A ka qenë më parë i shtruar Kryetari i Bashkisë?
Kryetari i Bashkisë ka qenë i shtruar edhe para dy vjetësh për gati 2 ditë. Nuk e di çfarë ekzaminimesh ka bërë të mëtejshme. Nuk e kam ndjekur unë si kardiolog. 



gjika drejt tr
gjika drejt tr

VIDEO - Shoqërimi i Shpëtim Gjikës drejt Spitalit të Vlorës


Arrestohet Kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika
Pasditen e së premtes së 6 shkurtit, Shpëtim Gjika u arrestua me vendim të Gjykatës së Vlorës, ku së bashku me të në prangat e policisë kanë rënë dhe vartësja e tij Doriana Sulaj, drejtoreshë e Planifikimit të Territorit në Bashkinë Vlorë, si dhe biznesmeni Artur Haxhi.

Gjika dhe Sulaj akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh si dhe pengim të veprimeve të prokurorisë, ndërsa biznesmeni Haxhi është vënë në pranga pasi akuzohet për ndërtim të paligjshëm.
 
Ky i fundit, administrator dhe përfaqësues ligjor i shoqërisë Turi & MZB Shpk, akuzohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara për të nisur ndërtimin e pallatit. 

Sakaq, hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë zbuluan se bëhet fjalë për 4 dokumente zyrtare të falsifikuara lëshuar firmës TURI & MZB, ku këto dokumente kërkesë për leje shesh ndërtimi nuk janë paraqitur asnjëherë në mbledhjen e Këshillit në Bashkinë Vlorë mbajtur më 17 janar 2011. Dhe sipas Prokurorisë, drejtoresha e Planifikimit Sulaj është penguar në mënyrë të përsëritur nga Gjika për të marrë dokumentacionet zyrtare.
 
Kjo nuk është hera e parë kur Kryebashkiaku i Vlorës të jetë vënë nën akuzë për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre pasi në më pak se dy vite Gjika vihet nën akuzë për herë të dytë për për këto akuza.

Dhe pas kallëzimit më tetor të 2013-ës, do të niste më pas procesi Gjika, dhe pas afro një viti me një vendim të gjykatësit Arben Micko në Tiranë kryebashkiaku fitoi pafajësinë.

VIDEO / Momenti i arrestimit të biznesmenit Artur Haxhi