Gjiknuri: Investitorët duan stabilitet
financiar jo vetëm kontrata në letër!

Gjiknuri: Investitorët duan stabilitet<br />financiar jo vetëm kontrata në letër!
TIRANE - “Për të rritur investimet në vend nuk është e nevojshme vetëm lidhja në letër e kontratave por edhe disiplina financiare.” Kështu është shprehur Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri gjatë një tryeze të përbashkët me përfaqësues të biznesit, ku prezent ishte edhe Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto.

Në fjalën e tij, Gjiknuri duke folur rreth shtimit të investimeve të huaja në vendin tonë, theksoi se për sipërmarrësit, krahas klimës së biznesit, dhe mundësitë që ofrohen, është e rëndësishme që të garantohet disiplina financiare dhe likuidimi i pagesave.

Në këtë drejtim, Gjiknuri nënvizoi se deri më tani në letër janë bërë 1100 kontrata por që nuk janë vënë në zbatim për shkak të mungesës së disiplinës financiare. Dhe siç u shpreh Gjiknuri ky është edhe qëllimi kryesor i qeverisë, prandaj edhe masat e marra deri më tani synojnë të ofrojnë stabilitet financiar, për të bërë të mundur shtimin e investimeve të huaja në vendin tonë, sa i përket fushës së energjisë.

“Është gjëja më e thjeshtë të ftosh investitorë po tu japësh mundësi të burimeve dhe Shqipëria i ka. Sot që flasim janë kontraktuar në letër 1100 kapacitete të instaluara. Mundësia mund të jetë edhe për dyfish të tyre. Por pjesa më e madhe janë në letër. E para se nuk kanë qenë të qarta. E dyta që është edhe shqetësimi im është disiplina financiare dhe likuidimi i pagesave. Po ka një gjë që e garanton investimin në energji është disiplina financiare, likuidimi në kohë. Njerëzit kanë qenë të mirë në vendosje të kotratave në letër, por jo në realitet. Prandaj theksohet se duhet punuar në këtë drejtim. Prandaj edhe masat e fundit janë për faktin se pa stabilitetin financiar të sektorit, investimet do të mbeten në letër, dhe nuk do të realizohen kurrë.” tha Gjiknuri
 
Duke folur konkretisht për synimet e qeverisë, Ministri i Energjisë, nënvizoi se synohet që të bëhet i mundur hapja e tregut të energjisë, por njëkohësisht pa harruar disiplinën dhe stabilitetin financiar.

“Nismat tona do të synojnë të hapin tregun. Shqipëria ka disa investime serioze në këtë drejtim, siç është hidrocentrali i Devollit. Njëkohësisht kërkojmë të hapim tregun për tregtim të energjisë, dhe nga ana tjetër të shtrengojmë sektorin që të ketë disiplinë pagese. Çdo gjë tjetër mbetet në ajër nëse nuk do të kemi disiplinë.” tha ai

Gjiknuri: Diversifikim të burimeve, përgatitemi për TAP
Një tjetër nismë që pritet të marrë qeveria është edhe diversifikimi i i burimeve. Pjesë e tyre siç u shpreh Gjiknuri është edhe projekti i gazsjellësit TAP. Për këtë Ministri u shpreh se po përgatitet nga qeveria masterplani lidhur me konsumin e gazit që do të bëhet në vendin tonë, duke shtuar se qeveria ka arritur të sigurojë fondet e nevojshme për këtë.

Mundësi tjetër sipas Gjiknurit mbeten edhe hidrokarburet dhe konkretisht nafta, ku sipas tij prodhimi i saj ka ardhur gjithnjë në rritje.

"Nga ana tjetër Shqipëria ka nevojë të diversifikojë burimet në të ardhmen. Në ujë moti kur bëhet kapriçoz bëhet problem. Mundësia është gazi që do të kërkojë vite, dhe si të tilla kërkojnë një klimë më të mirë, legjislacion dhe sigurimin e këtyre burimeve. Dhe faktikisht TAP krijon mundësi që Shqipëria të diversifikojë burimet. Pra duhet të kemi një master plani se kush do të jetë konsumi i gazit në vendin tonë, dhe kjo do të jetë shumë e mirëpritur që edhe shqiptarët të mos varen nga energjia elektrike. Ne kemi gjetur fondet e duhura, për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme. Mundësi ka edhe në fushën e naftës dhe gazit. Prodhimi i naftës ka ardhur duke u arritur. Sot flasim për 1.5 milionë tone në vit. Synimi ynë është të kapim rekordin prej 2 milionë ton në vit. Këto nisma krijojnë burime jo vetëm në investime. Me paketën e re fiskale nxisim prodhimin e brendshëm, siç është kromi." u shpreh Ministri

Haxhinasto: Tu paraqesim investitorëve reformat dhe progresin e Shqipërisë
Nga ana e tij, Ministri Edmond Haxhinasto tha se e rëndësishme për rritjen e investimeve të huaja është edhe çështja e imazhit, që sipas tij ka të bëjë me përçimin e reformave dhe progresit që po bëhet në vendin tonë.

Në këtë drejtim Haxhinasto kërkoj nga biznesi që të përcillet më tepër informacion lidhur me reformat e ndërmarra në vend. Dhe në këtë kontekst Haxhinasto nënvizoi se tashmë Shqipëria është kandidate për në BE, dhe kjo ka bërë që edhe përshtypja e investitorëve të huaj për vendin tonë të ndryshojë.
 
“Ajo që del në pah është mungesa e informacionit dhe dijes për zhvillimet dhe progresin e vendit. Çështja e imazhit ndahet në shumë elementë të tjerë të cilët janë të domosdoshëm për të qenë i pranishëm me investime konkrete. Kjo ka të bëjë me klimën, me legjislacionin. Në drejtim të imazhit duhet të bëjmë më mirë. Duhet të jemi realistë për atë çka ndodh në Shqipëri, për ndryshimet që po ndodhin. Statusi kandidat i ka dhënë vendit një preferencë nga shumë shtete dhe vende për investime. Ata shikojnë se Shqipëria po ecën drejt BE dhe kjo është një vlerë e shtuar në një ambient të përshtatshëm investimesh. Për të arritur në vendimin për të realizuar investimin duhet marrë parasysh se ku bëhet ky investim. Pra në një vend kandidat në BE, që po bën reforma të thella. Prandaj kjo duhet bërë e qartë se në Shqipëri mund të investosh me standarde. Janë reforma institucionale shumë të thella që po realizojmë dhe një ndër to është edhe reforma territoriale.” tha Haxhinasto 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër

Stafi i Harris: Rezultatet e shteteve kryesore do të shpallen nesër