TIRANE - Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu janë takuar sot në ambientet e ministrisë për të folur nga afër mbi sektorin energjik në vend. Gjiknuri e njohu ambasadorin me situatën aktuale dhe masat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të rimëkëmbjes së sektorit energjetik. Në vlerësimin e Gjiknurit, qytetarët e ndershëm po e mbështesin gjithnjë e më fort rivendosjen e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. Ndërsa Lu theksoi mbështetjen e SHBA-së për projektet e rëndësishme që po ndërmerr Shqipëria në fushën e energjisë por edhe në investime të tjera të rëndësishme.
 
“Reforma në sektorin energjetik është një reform e vështirë e cila kërkon kohën e saj, që të mund të japë efektet e plota”, tha ministri Gjiknuri duke shtuar se projekti i qeverisë synon që në vitin 2018, sektori të mos ketë më humbje financiare.
 
Gjiknuri u ndal më pas tek nevoja për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, forcimi i lidhjeve të interkonjeksionit me vendet fqinje dhe diversifikimi i burimeve.
 
Ambasadori Lu i konsideroi të rëndësishëm dhe ambicioz hapat e ndërmarrë deri më tani nga qeveria sa i takon rritjes së arkëtimeve të energjisë elektrike dhe përmirësimit të situatës financiare.
Ambasadori garantoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe përmes asistencës së USAID-it për reformën në sektorin energjetik.
 
Lu e konsideroi ndërkaq projektin e gazjellësit TAP me rëndësi shumë të madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe rajonit në tërësi. “Gazsjellësi TAP e vendos Shqipërinë në një pozicion kyç dhe ndryshon hartën energjetike”, u shpreh Lu duke garantuar për mbështetjen amerikane të këtij projekti.
 
Ministri Gjiknuri dhe ambasadori Lu ndanë të njëjtin vlerësim për nevojën e rritjes së numrit të kompanive amerikane që investojnë në ekonominë shqiptare dhe konkretisht në fushën e hidrokarbureve, energjisë dhe industrisë minerare. Z.Lu tha se Shqipëria ofron potenciale të cilat mund të jenë interesante për sipërmarrësit amerikanë duke i shërbyer ekonomisë së të dyja vendeve.

Redaksia online
(F.M/Shqiptarja.com)