Gjiknuri në Përrenjas: Elbasani nuk ka nevojë të bëjë eksperiment politik duke e çuar votën tek opozita

 

“Më 14 maj konfirmoni vazhdimësinë e zhvillimit në Elbasan”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri në një takim me banorë të zonës së Përrenjasit ku bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja prezantuan projektet për 4 vitet e ardhshme. 

Gjiknuri nënvizoi se fitorja e zgjedhjeve çimenton marrëdhënien bashki- qeveri për t’i çuar përpara këto punë. “Në fakt në këtë komunikim për zgjedhjet e 14 Majit ne duhet të kemi të qarta mesazhet politike që duam të përçojmë. Më 14 Maj nuk është çështja vetëm Gledi, që patjetër është kryetari i bashkisë dhe e meriton të jetë kryetari i bashkisë, por mbi të gjitha ju konfirmoni vazhdimësinë e zhvillimit në Elbasan. Që një kryetar bashkie këtu të ecë përpara dhe të ketë mundësinë e ndryshimit të Elbasanit duhet patjetër të ketë nga mbrapa mbështetjen e qeverisë shqiptare. Ndërhyrjet nëpër lagje, ndërhyrje që bëhen nëpër shumë zona që kanë nevojë të formalizohen më shumë, vijnë si rezultat, sepse një pjesë të mirë të projekteve kryesore i mbulon qeveria shqiptare. Ne më 14 Maj duhet ta çimentojmë këtë marrëdhënie bashki- qeveri për t’i çuar përpara këto punë”, tha ai. 

Numri dy i socialistëve komentoi dhe alternativën përballë që është përfaqësuesi i dyshes Berisha-Meta. Ai tha se kundërshtari nuk ka asnjë ofertë për qytetarët e Elbasanit dhe ka filluar të hapë thesin e mashtrimeve. “Nuk i duhet Elbasanit, por dhe kujtdo qyteti tjetër të madh, që të bëjë eksperiment politik duke e çuar votën tek opozita për ta kthyer Elbasanin në një lloj bunkeri politik. Për çfarë e do kundërshtari politik të fitojë Bashkinë e Elbasanit? Për të punësuar ca militantë dhe për të filluar luftën politike që e frymëzojnë ata nga Tirana. Pjesa më e madhe e qytetarëve duan që zhvillimi i nisur të ecë përpara. Kundërshtarin politik ju e njihni, ka qenë ish-kryetar i Partisë Demokratike për shumë vite, ka qenë pushtetar, ka pasur gjëra në dorë, ka bërë emërime, ka promovuar kuadro dhe e dini shumë mirë si i ka bërë në atë kohë, sesi qeverisej Elbasani në atë kohë. Ka konkurruar për kryetar bashkie, tashmë është i përzgjedhur i Ilir Metës dhe Sali Berishës. Këta dy e kanë përzgjedhur. Ai mendon se do i gënjejë mendjen ndonjë qytetari. Kjo do të thotë se ai këtu ka thjesht një axhendë politike të atyre dy njerëzve. Vjen këtu dhe hap “thesin” e mashtrimit”, deklaroi Gjiknuri. 

Drejtuesi politik i qarkut u shpreh se Gledian Llatja ka të gjithë mbështetjen e PS për të vijuar me projektet dhe investimet. Ai theksoi se Elbasani ka shanse të mira për t’u transformuar në një qytet të rëndësishëm. “Elbasani është në qendër të Shqipërisë, ka një infrastrukturë përgjithësisht të mirë, ka një rrjet energjetik të mirë, ka një bazë të mirë për rritjen e prodhimit dhe veprimtarive prodhuese në Elbasan. Jo më kot sot në zonën e Elbasanit janë me dhjetëra e dhjetëra biznese që sot na bëjnë krenarë jo vetëm Elbasanin, por të gjithë Shqipërinë, sepse eksportojnë në të gjithë Europën. Është afër kryeqytetit, por më lirë sesa kryeqyteti. Është afër Portit të Durrësit, pra i gjithë ky pozicionim gjeografik i krijon mundësi shumë të mira”, tha Gjiknuri. 
Ai shtoi se në zgjedhjet vendore qytetarët do të kenë mundësi që të vlerësojnë edhe politikat e reja që kanë të bëjnë me rritjen e pagave. “Rritja e pagave për administratën shtetërore nuk është thjesht qëllimi në vetvete të rritjes së pagës në administratën shtetërore. Kjo është një mundësi për të rinjtë dhe të rejat tanë që mbarojnë shkollën, profesionistë të punësohen këtu, ta ndërtojnë të ardhmen këtu. Vitin tjetër ne e çojmë pagën mesatare 900 Euro është një e ardhur dinjitoze për shumë profesionistë në Shqipëri.  Për pensionistët për 6 muajt e fundit qeveria ka dhënë një paketë goxha të mirë të ndihmës. Rritja e fondit të pensioneve do të çojë dhe në rritjen e pensioneve. Prandaj them më 14 Maj edhe pensionistët duhet ta forcojnë këtë mesazh që fitorja e bashkisë është dhe mesazh për qeverinë e Edi Ramës, që të forcojë këto politika në dobi të njerëzve”, deklaroi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Gledian Llatja u shpreh se punimet në infrastrukturë do të vijojnë në çdo cep të Bashkisë. “Kemi 4 vite që bashkë rrugëtojmë, me problemet, me zhvillimet infrastrukturore, por edhe me krijimin e një vizioni të qartë të zhvillimit dhe perspektivës së Elbasanit. Kur ishim para 4 vitesh potenciali më I madh që thoshim ishte Krasta, zhvillimi i Krastës. Ta ruanim ta mirëmbanim dhe ta zhvillonim përsa I përket natyrës dhe ecjes në natyrë. Ndërkohë që sot kemi avancuar me projektin tonë fillestar, me atë shëtitore buzë lumit Shkumbin që është një nga projektet më të bukura për Shqipërinë e mesme, një gjë fantastike buzë lumit Shkumbin. Po ecim me infrastrukturën rrugore, shumë shpejt fillon loti tjetër nga pas Krastës që del tek Frigoriferi, ndërkohë nga ana tjetër po bëhet lidhja me rrugën e re të varrezave ose zgjatimin e “Borodin Mitares” duke i dhënë lagjes “Emin Matraxhiu” një akses në qytet, për të vazhduar më pas e zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë lagjen”, tha ai. 

Llatja deklaroi se PS vjen në këto zgjedhje me punë konkrete, ndërsa shprehu bindjen se më 14 maj qytetarët do t’i thonë “Jo” regresit. “Ne po zhvillojmë të gjithë Elbasanin, po i japim një zhvillim qytetit tonë. Ne do vazhdomë punët, ata të tjerët të vazhdojnë llafet. Kanë një jetë që merren me llafe dhe s’kanë bërë asgjë për këtë qytet. Ne do vazhdojmë me punën dhe deri më 14 maj do shkojmë të gjithë bashkë tek kutitë e votimit për t’i thënë jo të shkuarës, jo regresit dhe të ecim të gjithë përpara në progresin që po e çojmë Elbasanin, në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin e infrastrukturës, në zhvillimin sportit, kulturës, artit e terreneve sportive, të infrastrukturave tona arsimore dhe zhvillimit tonë rural”, theksoi kryebashkiaku Llatja.

Deputeti Klevis Xhoxhi u shpreh se Gledian Llatja dhe PS janë alternativa e duhur për të ecur përpara me projektet për zhvillimin jo vetëm të zonës së Krastës, por dhe të gjithë qytetit. 
“Më 14 maj do të shkojmë të gjithë t’i themi po zhvillimit të qytetit, do shkojmë t’i themi po mirëqenies së qytetarëve, do t’i themi po Gledit, do t’i themi po PS-së. Tashmë e dimë të gjithë se Krasta do të bëhet shumë shpejt vendi më atraktiv I qytetit të Elbasanit dhe kjo falë investimit madhor të qeverisë shqiptare dhe të bashkisë Elbasan. Automotoparku, i cili do të sjellë zhvillim jo vetëm për zonën këtu ,por për të gjithë qytetin. Në duam të ecim vetëm përpara, do shkojmë vetëm përpara dhe më 14 maj ju ftoj të gjithëve të votojmë për PS, për Gledin”, u shpreh deputeti Xhoxhi.


Lajmi kryesor:

‘Vendoret’/ Kandidatët për kryetarë bashkie prezantojnë programet! Ndreu: S’kam për të abuzuar kurrë me votën! Kodheli: Prioritet transporti falas i nxënësve


M.Q./B.V/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat