TIRANE- Bashkëpunimi me Turqinë në fushën e energjetikës dhe minierave është vlerësuar ditën e sotme nga ministri Damian Gjiknuri, gjatë takimit me ministrin turk Nihat Zeybekci, ndërsa theksoi rëndësinë rritjes së investimeve. Në takimin me delegacionin turk të kryesuar nga ministri i Ekonomisë Zeybekci, ministri Gjiknuri tha se është momenti që të intensifikohet bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, dhe të rritet numri i bizneseve turke që zgjedhin të investojnë në Shqipëri,
 
Ministri Gjiknuri vlerësoi kontributin që ka dhënë biznesi turk në zhvillimin ekonomik të vendit duke konstatuar se aktualisht ka biznese turke që veprojnë si në fushën e energjetikës ashtu edhe në industrinë minerare.
 
Duke u shprehur se Shqipëria ka mundësi të përfitojë nga eksperienca turke në çështjen e zbatimin e politikave të partneritetit publik-privat në fushën e energjisë, ministri Gjiknuri tha se qeveria shqiptare do të garantojë një mjedis sa më miqësor dhe nxitës për investimet e huaja.
 
Ndërkaq, ministri Zeybekci nënvizoi se Shqipëria është partner i rëndësishëm dhe me rëndësi strategjike për Turqinë. Sipas tij, ekzistojnë hapësira për ta intensifikuar bashkëpunimin midis dy vendeve. Ministri turk tha se në të ardhmen do të vijnë edhe më shumë biznese turke që do të zgjedhin të investojnë në Shqipëri.
 
Zyrtari turk nënvizoi se korridoret energjetike marrin edhe më shumë vlerë ndërsa Shqipëria bëhet pjesë e tyre.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)