Gjiknuri-Opozitës së Bashkuar: Na dërgoni propozimet tuaja për listat e hapura dhe më pas mbledhim këshillin

Gjiknuri-Opozitës së Bashkuar: Na dërgoni propozimet tuaja për listat e hapura dhe më pas mbledhim këshillin

Damian Gjiknuri ka kërkuar nga opozita parlamentare sjelljen e propozimeve të tyre në lidhje me listat e hapura dhe më pas të caktojnë mbledhjen e këshillit politik. Opozita jashtëparlamentare u tërhoq pak më herët duke thënë se është gati që Këshilli Politik të mblidhet nesër në 17:00 për diskutimin e ndryshimeve kushtetuese, por për Gjiknurin, fillimisht duhet të sillen propozimet dhe më pas të ulen në tryezë.

"Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.  Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues. Duke ju rikujtuar se në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për tu ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje', shkruan Gjiknuri

Damian Gjiknuri gjithashtu i është përgjigjur opozitës se ju nuk pranuat as dje por as sot në të dy mbledhjet e këshillit të diskutonit për listat e hapura.

"Qëndrimi juaj ishte kategorik dhe refuzues për të diskutuar mbi këtë çështje pa u miratuar paraprakisht amendamentet e ligjit elektoral bazuar mbi produktin e marrëveshjes politike të 5 Qershorit. Jo më larg se dje keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cenon marrëveshjen por as nuk ekziston si temë", shkruan Gjiknuri.

Gjiknuri shkruan gjithashtu që opozita të tërhiqet nga propaganda politike dhe paralajmërimet kërcënuese sepse e-mailet e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike dhe dëmtojnë qëllimin e saj.


Letra e plotë e Damian Gjiknurit

Të nderuar z.Bylykbashi dhe z.Vasili,

E kuptoj nevojën tuaj të motivuar politikisht për të nisur letra pune në formë deklaratash politike për qëllime mediatike. Por unë nuk kam dizinformuar askënd dhe thjesht kam thënë të vërtetën e mbledhjes si gjithmonë. Takime që siç i gjithë opinioni publik e di, bëhen me rekorde dhe nën vëzhgimin nga afër të partnerëve tanë ndërkombëtarë. 

Më lejoni të ju rikujtoj se në mbledhjen e datës 21 Korrik, Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën e opozitës parlamentare për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar në Këshillin e Rregullores dhe Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. 

Z.Rama ju ftoi që të shtroni çdo pikëpyetje tuajën, të diskutoni çdo merak dhe të dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore. 

Qëndrimi juaj ishte kategorik dhe refuzues për të diskutuar mbi këtë çështje pa u miratuar paraprakisht amendamentet e ligjit elektoral bazuar mbi produktin e marrëveshjes politike të 5 Qershorit. 

Jo më larg se dje keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cenon marrëveshjen por as nuk ekziston si temë. Edhe thënia që në mesazhin tuaj i vini në gojë Kryeministrit, nuk ka aspak kuptimin që ju qëllimisht i vishni në komentin tuaj. Besoj ju e dini se ndryshimet kushtetuese në procedurën parlamentare janë të pandryshueshme si të tilla, çka sidoqoftë nuk kam asnjë problem ta diskutojmë nëse qëndron apo jo qoftë edhe si fakt i shkruar e zeza mbi të bardhë. 

Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa asnjë ndryshim projektligjin e amendimeve në ligjin zgjedhor. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik ju kërkova të shpreheni nëse jeni dakord të diskutoni mbi këtë çështje. Ju refuzuat që të diskutoni duke mos njohur dhe injoruar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare dhe gjithë procedurat e ndjekura nga një organ plotësisht legjitim si Kuvendi i Shqipërisë. 

Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave. 

Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues. 

Duke ju rikujtuar se në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për tu ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje. 

Në fund, do të ju lutesha shumë që t'i lini mënjanë paragjykimet dhe opinionet propagandistike. Vërtetë ju mungon foltorja e Parlamentit prej ku u larguat me vullnetin tuaj të lirë, por e-mailet e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike. Gjithashtu, do ju lutesha të hiqni dorë nga paralajmërimet kërcënuese në komunikimet elektronike sepse e bëjnë qesharake tryezën e punës sonë të përbashkët dhe dëmtojnë qëllimin e saj. 

Në funksion të konfirmimit të mbledhjes së radhës së Këshillit, ju lutem edhe njëherë sa më shpejt të na vini në dispozicion paraprakisht propozimet tuaja. 

Faleminderit

Damian Gjiknuri


Lajmi kryesor:

Tërhiqet Opozita e Bashkuar, thërret nesër Këshillin Politik për ndryshimet kushtetuese, Gjiknuri: Sillni propozimet tuaja, pastaj mbledhja


I.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja