
Berat Gjimshiti, një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Atalantës, ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Champions League ndaj Slavias së Pragës, që do të luhet sot në mbrëmje në orën 21:00.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, me 295 paraqitje me fanellën zikaltër, është kthyer në një nga liderët e skuadrës së trajnerit Juric.
“Ndeshja që na pret është e vështirë, të gjitha sfidat e Champions League janë të tilla. Slavia është mësuar të fitojë në kampionatin e vet dhe ka lojtarë shumë fizikë, si sulmuesi Chory. I njoh mirë, pasi jam përballur me ta më parë”, u shpreh Gjimshiti.
Kapiteni i dytë i bergamaskëve theksoi se përvoja dhe forma fizike do të jenë vendimtare në këtë përballje.
“Përvoja ndihmon shumë. Vit pas viti jam mësuar të luaj vazhdimisht ndeshje të rëndësishme, pa shumë kohë për rikuperim. Slavia është një ndeshje që mund të përcaktojë rrugëtimin tonë në grup. Një fitore do të ishte shumë e vlefshme, jo vetëm për pikët, por edhe për vetëbesimin”, shtoi ai.
Gjimshiti nuk e fshehu krenarinë për rrugëtimin e tij me Atalantën, duke theksuar se dëshira për të dhënë më shumë mbetet e pandryshuar.
“Në letër jam veteran, por ndjej të njëjtën uri si në fillim. Jam krenar për gjithçka që kam arritur me këtë klub. Falenderoj stafin dhe drejtuesit që më ndihmuan të rritem. Kur erdha këtu, gjërat ishin ndryshe. Tani jam shumë i lumtur dhe shpresoj të luaj edhe 200 ndeshje të tjera me Atalantën”, përfundoi mbrojtësi shqiptar.
Lajmi kryesor:
Champions League/ Sot nëntë ndeshje në dy orare, spikat Real Madrid - Juventus! Chelsea dhe Bayern luajnë në shtëpi, Liverpool e Spurs në udhëtim







