Këtë të mërkurë Champions League ka në program nëntë ndeshjet e mbetura për raundin e tretë të fazës së ligës. Duke nisur nga ora 18:45 luhen dy sfida, Ath. Bilbao - Qarabag dhe Galatasaray - Bodo/Glimt.

Në orën 21:00 gjithë vëmendja do jetë në 'Bernabeu', pasi Real Madrid dhe Juventus premtojnë spektakël. Ndërkohë, Bayern Munich pret Club Brugge, ndërsa Chelsea luan në Londër kundër Ajax.

Në Frankfurt, vendasit e Eintracht presin Liverpoolin që ka katër humbje radhazi në të gjitha kompeticionet. Edhe Tottenham udhëton, por në Monaco. Në Bergamo, Atalanta e Gjimshitit ka përballë Slavian e Pragës. Interesante edhe sfida e Lisbonës mes Sportingut vendas dhe Marseille.

Champions League, raundi tre:

E mërkurë, 22 tetor 2025

18:45

Athletic Bilbao - Qarabag

Galatasaray - Bodo/Glimt

21:00

Atalanta - Slavia e Pragës

Bayern Munich - Club Brugge

Chelsea - Ajax

Eintracht Frankfurt - Liverpool

Monaco - Tottenham

Real Madrid - Juventus

Sporting Lisbone - Marseille

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:16
Xabi Alonso paralajmëron Realin: Kujdes nga Juventusi, janë të rrezikshëm dhe të zemëruar

Në prag të superndeshjes së Champions League mes Real Madridit dhe Juventusit, trajneri i “Galaktikëve”, Xabi Alonso, ka folur në konferencën për shtyp, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin italian dhe historinë e tij në futbollin evropian.

“Juventusi është një ekip i shkëlqyer. Kjo ndeshje është një klasike evropiane”, deklaroi Alonso, duke e cilësuar përballjen si një nga më të rëndësishmet e këtij raundi të Champions League.

Tekniku spanjoll, që ka përvojë të madhe si lojtar dhe tashmë si trajner në nivelet më të larta, kërkoi kujdes maksimal nga skuadra e tij përballë djemve të Tudor.

“Juventusi është një nga klubet që kanë bërë historinë e futbollit evropian. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ekipet italiane janë gjithmonë të rrezikshme dhe Juventusi do të jetë i zemëruar. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë historinë e tyre”, shtoi Alonso.

Trajneri i Realit foli edhe për disa nga individët më të spikatur të “Zonjës së Vjetër”, duke ndalur vëmendjen te talenti Kenan Yildiz, i cili po kalon një moment të shkëlqyer.

“Yildiz është rritur shumë. E njoh që nga koha kur ishte te Bayern dhe po zhvillohet në mënyrë të jashtëzakonshme”, theksoi ai.

Alonso komentoi edhe ndryshimet taktike të Juventusit në javët e fundit, duke vlerësuar gjithashtu paraqitjen e Comos të drejtuar nga Cesc Fabregas.

“Juventusi ndryshoi diçka në ndeshjen e fundit, por Como luajti vërtet mirë falë përgatitjes së Fabregasit. Në çdo rast, ‘Zonja e Vjetër’ mbetet një ekip shumë i fortë, me lojtarë që dinë të luajnë me topin dhe që mund të prishin ekuilibrin e lojës.”

Në fund, trajneri i Real Madridit nënvizoi se për skuadrën e tij ndeshja ndaj Juventusit do të kërkojë përqendrim maksimal.

“Duhet të punojmë për ta kthyer ndeshjen në favorin tonë. Vetëm me disiplinë dhe vendosmëri mund të fitojmë ndaj një kundërshtari të tillë”, tha Xabi para sfidës që luhet sot në orën 21:00 në 'Bernabeu'.

Ora 14:40
Formacionet/ Tudor projekton ekip sulmues, Vlahovic nga minuta e parë në 'Bernabeu'! Reali përgjigjet me Vini-Mbappe

Formacionet e mundshme, Real Madrid - Juventus

Sot në orën 21:00 në "Bernabeu" luhet ndeshja midis Real Madridit dhe Juventusit, e vlefshme për raundin e tretë në fazën e ligës së Champions League. Real Madridi kërkon fitoren e tretë, ndërsa Juve të parën.

Kjo do jetë përballja e 22-të mes tyre në histori, teksa Real Madrid koleksionon dhjetë fitore, kundrejt nëntë të Juves. Dy përballje mes tyre janë mbyllur në barazim. 26 gola ka shënuar Real në portën e 'Zonjës', ndërsa Juve është përgjigjur me 25-së.

Sa i takon formacioneve, Xabi Alonso do luajë me skemën 4-3-3, teksa në mesin e fushës do jenë emra si Guler, Bellingham apo Tchouameni, ndërsa sulmi do përbëhet nga Mastantuono, Mbappe dhe Vinicius.

Igor Tudor duket se nuk do mbrohet, ndërsa Juve pritet të luajë me skemën 3-4-2-1. Yildiz dhe Conceiçao priten në mbështetje të Vlahovic.

Ora 14:27
Gjimshiti: Duam fitoren ndaj Slavias së Pragës, shpresoj të luaj edhe 200 ndeshje të tjera me Atalantën

Berat Gjimshiti, një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Atalantës, ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Champions League ndaj Slavias së Pragës, që do të luhet sot në mbrëmje në orën 21:00.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, me 295 paraqitje me fanellën zikaltër, është kthyer në një nga liderët e skuadrës së trajnerit Juric.

“Ndeshja që na pret është e vështirë, të gjitha sfidat e Champions League janë të tilla. Slavia është mësuar të fitojë në kampionatin e vet dhe ka lojtarë shumë fizikë, si sulmuesi Chory. I njoh mirë, pasi jam përballur me ta më parë”, u shpreh Gjimshiti.

Kapiteni i dytë i bergamaskëve theksoi se përvoja dhe forma fizike do të jenë vendimtare në këtë përballje.

“Përvoja ndihmon shumë. Vit pas viti jam mësuar të luaj vazhdimisht ndeshje të rëndësishme, pa shumë kohë për rikuperim. Slavia është një ndeshje që mund të përcaktojë rrugëtimin tonë në grup. Një fitore do të ishte shumë e vlefshme, jo vetëm për pikët, por edhe për vetëbesimin”, shtoi ai.

Gjimshiti nuk e fshehu krenarinë për rrugëtimin e tij me Atalantën, duke theksuar se dëshira për të dhënë më shumë mbetet e pandryshuar.

“Në letër jam veteran, por ndjej të njëjtën uri si në fillim. Jam krenar për gjithçka që kam arritur me këtë klub. Falenderoj stafin dhe drejtuesit që më ndihmuan të rritem. Kur erdha këtu, gjërat ishin ndryshe. Tani jam shumë i lumtur dhe shpresoj të luaj edhe 200 ndeshje të tjera me Atalantën”, përfundoi mbrojtësi shqiptar.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?