Gjin Gjoni 3 fitore rresht me
drejtësinë, KLD s'e shkarkon 

TIRANE- Gjyqtari i Apelit, njëherësh anëtari i KLD-së Gjin Gjoni, pas dy fitoreve në gjykata për mospezullimin e tij nga detyra, ka renditur fitoren e tretë radhazi këtë herë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Emri i Gjin Gjoni, ka mundur të marrë 12 vota kundër propozimit për shkarkim nga detyra të bërë nga ministri i Drejtësisë Nasip Naço. I vetmi që ka votuar “pro” shkarkimit të Gjonit ka qënë anëtari i KLD-së Sokol Çomo. Gjatë diskutimit të kërkesës së ministrit për shkarkimin e Gjonit, anëtarët janë përfshirë në debate mes njëri-tjetrit.

Ndërkohë vetë gjyqtari i Apelit njëherësh anëtari i KLD Gjin Gjoni, gjatë dhënies së pretendimeve të tij para KLD, ka pohuar se po sulmohet politikisht në mënyrë të koordinuar për shkak të gjykimeve të tij ndaj ministrave aktual. “Po sulmohem për të më bërë presion për procese gjyqësore që ende kam në proces ndaj eksponentëve të lartë politik. Asnjë procedurë nuk është zhvilluar, qoftë nga ILDKP apo nga MD, asnjë akuzë nuk qëndron”-është shprehur Gjin Gjoni përpara anëtarëve të KLD. Pas kësaj, emri i Gjonit është hedhur në votim, gjë e cila solli rrëzimin e kërkesës së Nasip Naços për shkarkimin e tij. Ndaj Gjin Gjonit ka nisur një hetim në prokurorinë e Elbasanit për fshehje pasurie me vlerë 2.5 milion euro. Së bashku me Gjonin nën hetim janë gruaja e tij dhe dy noterë.

Bashkëshortët
Anëtarët e KLD gjatë mbledhjes që ka zgjatur më shumë se 10 orë kanë votuar edhe rrëzimin e propozimit të ministrit Naço, për shkarkimin e çiftit të gjyqtarëve Ken Dhima në Vlorë dhe Klorinda Çela në Tiranë. Këta të dy janë burrë e grua, dhe se ishin propozuar nga Naço për shkarkim nga detyra. Kjo masë nuk është miratuar në KLD, ndërkohë që më pas dhe vetë ministri nuk ka kërkuar asnjë masë tjetër për dy gjyqtarët. Dhima dhe Çela, janë dy gjyqtarë ndaj të cilëve prokuroria ka Durrësit ka nisur hetimet për fshehje të pasurisë. Ndërkohë dje, është marrë dhe vendimi duke rrëzuar propozimin për shkarkim të gjyqtarit të Korçës, Makelian Kuqja, ndërsa është vendosur masa me Vërejtje me paralajmërim për gjyqtarin Andi Ymeri në Shkodër.

Tre shtyrje
Në mbledhjen e djeshme ishin parashikuar të diskutohej dhe të merej vendim për tre gjyqtarët Bujar Musta, Ilir Pashaj nga Elbasani dhe Shtjefën Lleshi i Pukës, i akuzuar për korrupsion. Votimi për këta tre të fundit është shtyrë pas kërkesës së vetë gjyqtarëve.

Shtjefën Lleshi
Ish-kryegjyqtari i Pukës i akuzuar për korrupsion nga prokuroria dhe i propozuar për shkarkim, ka kërkuar të shtyhet votimi në KLD ndaj tij.

Ken Dhima
Gjyqtari i administratives në Vlorë i propozuar nga ministri Nasip Naço për shkarkim ka shpëtuar nga kjo masë nga votat e anëtarëve të KLD.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)