Gjin Marku, i dënuari me vdekje
nga fashizmi, e vrau Enverin

TIRANE- Ky studim i historianit Gjet Ndoj, aktualisht drejtor i AQSH, sjell një këndvështrim interesant mbi një nga personazhet e njohur e të shumëdiskutuar të Luftës, Gjin Markun.

Nga fëmijëria e tij, angazhimet e para me grupin komunist të Korçës, kontributin e tij në Luftë dhe në rradhët e Partisë Komuniste deri në çlirimin e vendit, një karrierë gjithnjë në ngritje, e cila befas pas mbarimit të Luftës do të nis të shkërmoqet, gjithnjë në rënie deri në dënimin e tij 3 herë nga regjimi i Hoxhës, i cili nuk e lejoi as të vdiste në shtëpi, pas sëmundjes së pashërueshme që ia mori jetën në burg.

Shqiptarja.com e sjell këtë studim të Gjet Ndojt në katër pjesë duke filluar sot me aktivitetin e tij të moshës së rinisë, në grupin Komunist të Korçës dhe vitet e para të Luftës.
 
Gjin Marku kishte lindur më 2 qershor 1918 (në dokumente është shënuar dy vjet më vonë, 1920), në fshatin Baz, në një familje me emër në atë krahinë. Kur vdes i ati i Gjinit, Pjetër Marku, miku i këtij të fundit, Hysen Selmani, si dhe byrazeri i tij Abaz Kupi, e merr Gjinin 9-vjeçar dhe e dërgon në Tiranë, atje në “Strehën Vorfnore”. Këtu Gjini mori mësimet e para të fillores dhe arsimit 5-vjeçar.
Në vitet 1932-1936, Gjin marku mbaron Shkollën e Mesme Teknike “Harry Fultz” po në Tiranë, dhe më vonë në kavajë (vetëm dy muaj), dega bujqësi. Pas mbarimit të shkollës emërohet agronom në rrethin e Korçës.
 
2 – Gjin Marku pjesëmarrës dhe organizator i Lëvizjes
Antifashiste në Korçë dhe në Tiranë
Sapo emërohet në Korçë, Gjin Marku bie në kontakt me intelektualët korçarë dhe bashkë me ta fillon dhe aktivitetin antifashist e komunist (1936), në kuadër të Grupit Komunist të Korçës, duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të këtij grupi. Nëpërmjet Koço Tashkos, vëllezërve Gaqo e Pilo Peristeri etj., etj., Gjin Marku njihet dhe me Enver Hoxhën, në atë kohë profesor në Liceun e Korçës. Propaganda antifashiste kishte nisur më përpara se Shqipëria të pushtohej nga Italia më 7 prill 1939, pasi ky (fashizmi) ishte një rrezik për njerëzimin shumë vite më parë (sidomos kur partia e Musolinit në Itali, e sidomos kur Partia Nacional-Socialiste e Adolf Hitlerit kishte ardhur në pushtet në Gjermani).

Gjin Marku ka qenë pjesëmarrës shumë aktiv që në fillimet e lëvizjes antifashiste e kjo duket në pjesëmarrjen e tij në demonstratë e më vonë dhe në formimin e njësiteve e çetave partizane.
Në vitin 1940 formohet Dega e Grupit të Korçës në Tiranë, duke shënuar dhe zgjerimin e veprimtarisë antifashiste e komuniste të këtij grupi. Shumë veta kalojnë në ilegalitet, ndër to patjetër dhe Gjini.

Në dokumentet e kohës të Zyrës Mbretnore të Policisë dhe të Kuesturës Fashiste, personat kryesorë të kësaj fotografie si: Gjin Marku, Vasil Shanto, Mihal Duri, Gaqo Nasto, Niko Llagi, Ali Reci, Ferit Xhajko, Kajo Karafili etj., tregohet se ishin në ndjekje nga organet e pushtetit fashist të vendosur në Shqipëri që më 7 prill të vitit 1939.
Veprimtaria antifashiste e Gjin Markut në vitin 1941 e në vazhdim ka qenë intensive dhe e shumanshme. Përveç dëshmive, këtë e mësojmë dhe në dokumentet e kohës që po analizojmë, kryesisht në ato dokumente që bëhet fjalë jo vetëm për veprimtarinë e tij, por dhe ndjekjen e vazhdueshme të tij nga karabinieria dhe regjimi fashist.

Më 8 nëntor 1941 formohet Partia Komuniste Shqiptare, ku Gjin Marku, një nga themeluesit kryesorë të saj, zgjidhet një ndër shtatë anëtarët e parë të Komitetit Qendror Provizor të Partisë Komuniste Shqiptare.
 
Në Pezë formohet organizata e parë e PKSh
Pas themelimit të Partisë Komunistë Shqiptare u zgjodh Komiteti Qendror Provizor, i cili kishte si detyrë parësore organizimin e Partisë në gjithë vendin, për të luajtur rolin e saj në organizimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në këtë kuptim u përcaktua si përparësi formimi i organizatave bazë të PKSh, veçanërisht pranë çetave territoriale që kishin filluar të krijoheshin në këtë kohë. Premisat për ta bërë një gjë të tillë, siç e përmendëm pak më lart për të formuar një organizatë partie, qenë krijuar në Pezë.

Përveç kësaj, ky organizim kishte një rëndësi të posaçme edhe se Peza ishte një zonë e përshtatshme për të qenë një bazë shumë e rëndësishme e veprimtarisë antifashiste të udhëhequr nga PKSh.
Kështu ndodhi. Komiteti Qendror Provizor ngarkoi Gjin Markun për të ndjekur dhe menaxhuar këtë mbledhje themeluese në Pezë, pranë çetës. Në këtë mbledhje morën pjesë 8 luftëtarë të kësaj çete, si: Vasil Shanto, Mihal Duri, Ferit Xhajko, Pandi Nashi, Baki Staria, Loni Grazhdani, Qazim Prishtina dhe Zoi Themeli me në krye të deleguarin e PKSh, Gjin Markun.

Ish-luftëtari i kësaj çete, Sali Verdha, kujton se i ishte bërë qejfi kur kishte parë ish-shokun e shkollës “Harry Fultz”, Gjinin, si i deleguar i PKSh në Pezë. Më tej vazhdon: “Mbledhja vazhdoi debatet dhe punën për dy ditë, nga data 8-10 dhjetor 1941. Në fillim për sekretar të organizatës u propozua Vasil Shanto. Ky propozim u hodh poshtë nga Gjini duke sqaruar se Vasili ishte më i madh se sekretar organizate pasi ishte komisari i kësaj çete.

Pas kësaj ndërhyrjeje, u propozua Mihal Duri si sekretar dhe u miratua njëzëri nga pjesëmarrësit. Zëvendëssekretar u zgjodh Pandi Nashi. Më vonë kjo organizatë u rrit me shpejtësi, ndërsa Komandanti Myslim Peza u bë komunist vetëm pas çlirimit, në vitin 1951”.
Kështu u formua organizata e parë e PKSh në Shqipëri dhe fati ose diçka tjetër deshi që të ishte Gjin Marku përfaqësues i Komitetit Qendror Provizor të PKSh.
 
Peza u bë “shkollë” dhe trampolinë për t’u hedhur gjetiu në luftë
Pas transformimit të Çetës së Pezës në një çetë partizane ajo u kthye në një bazë shumë të rëndësishme të Luftës Nacionalçlirimtare. Për këtë Sali Verdha: “Edhe unë u bëra pas dy muajsh komunist. Të gjithë drejtuesit kryesorë të PKSh jo vetëm vinin në Pezë për të dhënë orientime e për të bërë plane, por këtu në Pezë ata vinin edhe për të mësuar artin ushtarak, veçanërisht mësonin përdorimin e armëve të ndryshme, bënin qitje të ndryshme etj. Kështu edhe Gjin Marku, para se të shkonte në Qarkun e Beratit aty ku e caktoi Komiteti Qendror i PKSh, ndenji disa ditë në Pezë dhe pastaj u hodh për një mision të gjatë në Berat”.
“Gjini i njihte të gjithë luftëtarët e Çetës së pezës, Komandantin Myslim Peza, por mikun më të ngushtë ka pasur Mihal Durin”.
 
Aktiviteti i Gjin Markut në Qarkun e Beratit
Për aktivitetin drejtues dhe organizues të lëvizjes antifashiste të Gjin Markut në Qarkun e Beratit, por dhe jashtë tij, të dhëna të rëndësishme, përveç Arkivit të Shtetit, arritëm të siguronim nga miqtë dhe shokët e tij bashkëluftëtarë, si:
Në dhjetor të vitit 1941 caktohet me detyrë për ngritjen e njësive guerile antifashiste dhe orientimin e qartë të veprimtarisë antifashiste të çetave për çlirimin e Atdheut.

Kjo veprimtari organizative e luftës kryengritëse antifashiste e Gjin Markut, përfshin në fillim territoret e Lushnjës, Fierit, Mallakastrës, Beratit e deri në Skrapar e më gjerë.
Kur erdhi në Berat, Gjini u takua fillimisht me Kristo Isakun dhe me dy arsimtarë nga Skrapari; Nuro Dobrusha dhe Tajar Grepcka. Takimi me ta ishte i rëndësishëm pasi nëpërmjet tyre Gjin Marku u njoh me situatën dhe u orientua shumë shpejt në të.

Këta e njohën që në fillim Gjin Markun me çetën e Mestan Ujanikut, një çetë territoriale kaçakësh kjo deri në fillim të vitit 1942. Që në bisedën e parë që bënte fjalë për transformimin e çetës nga territoriale në një çetë me program antifashist, komandant Mestani e shikoi me shumë simpati Gjin Markun, për frymën antifashiste dhe atdhetare që manifestonte dhe sidomos për shkak të një mënyre komunikimi shumë interesante që kishte i ngarkuari nga Qendra.
Pas këtij momenti, më 14 mars 1942, çeta u transformua nga çetë territoriale, në çetë patriotike-partizane, komandant i së cilës do të ishte deri në fund Mestan Ujaniku e komisar Gjin Marku.

Me formën e re që mori çeta, me flamur në dorë shëtitën në shumë fshatra të Skraparit. Gjatë këtyre lëvizjeve Gjin Marku përcillte mesazhe antifashiste e patriotike, ndërsa mënyra e komunikimit tërhoqi vëmendjen dhe simpatinë e atij populli trim e bujar. Skënder Malindi në lidhje me këtë lidhje shumë të çuditshme të Gjinit me popullin e Skraparit thotë: “Kjo ndër të tjera ndodhi edhe pse dy trevat, Skrapari e Mirdita, ngjasojnë në shumë gjëra, zakone e tradita me njëra-tjetrën. Për një kohë shumë të shkurtër Gjini fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe në këtë kuptim fjala e tij ishte ligj”.

Ky autoritet dhe gatishmëria e atij populli (Skraparit) për t’iu përgjigjur thirrjeve dhe udhëzimeve antifashiste të Gjin Markut, organizimi i njësive luftarake antifashiste etj., përbënin tashmë një shqetësim jo vetëm për komandot e njësitë ushtarake fashiste në Çorovodë e Berat, por një shqetësim serioz për autoritetet fashiste italiane deri në Tiranë.
Veprimtaria organizuese, me frymë dhe karakter antifashiste e Gjin Markut u shtri jo vetëm në Qarkun e Beratit që përfshinte zonën nga Skrapari e deri në Lushnjë-Fier-Mallakastër, por dhe jashtë tij, si në Vlorë, Tiranë etj. Këtë veprimtari e faktojnë edhe dokumentet e asaj kohe.

Kështu, në një letër të Giuseppe Paglieri-t, Gjeneral i Brigadës, Komandant Epror, që i dërgon Ministrisë së Brendshme, thuhet:
“Kallëzohet se nuk është e pamundur që në rrethanën e krijuar ... katundarët të nxitur nga turbullonjës, të bëjnë një demonstratë kundra regjimit shqiptar dhe Italisë. U morën masat e vëzhgimit”.
 
a – Çlirimi i Skraparit. Rëndësia
Në këtë situatë për goditjen e bazave tashmë të rëndësishme në Skrapar, komanda fashiste nga Tirana planifikoi dhe dërgoi njësi milicësh të armatosur të inkuadruar në një kompani prej 63 vetash. Filluan reprezaljet kundër këtyre bazave partizane, dogjën shumë shtëpi, mes tyre dhe shtëpinë e komandantit të çetës së Skraparit, Mestan Ujanikut. Pastaj kompania e milicisë fashiste u përqendrua në fshatin Mëlovë, që më vonë të rrethonte dhe të asgjësonte çetën dhe drejtuesit e saj.

Gjin Marku nga ana tjetër duke përdorur mobilizoi çetën dhe fshatarët e asaj zone dhe ishte ai që e futi në rrethim kompaninë e milicisë fashiste. Në mëngjesin e një fund-gushti të vitit 1942, kompania fashiste e gjendur mes krismave dhe e rrethuar nga të gjitha anët u dorëzua. Gjini, në këto kushte, i mblodhi fashistët në mes të fshatit, u mori armët, nuk i pushkatoi, nuk iu mori as para e as plaçkë, u tha që “ne luftojmë për liri, ju o të mashtruar nuk duhet t’i shërbeni më fashizmit, pasi herë tjetër nuk ju falim” etj.
 
Pas këtij momenti alarmi në Tiranë u bë akoma më i madh, pasi jo vetëm nuk e çarmatosën çetën, por u çarmatosën prej saj. Pas kësaj situate të re Gjini nuk ndenji duarkryq, por mori masa duke i organizuar skraparllinjtë dhe duke sulmuar Çorovodën tashmë, qendrën e Skraparit. Pas disa luftimeve autoritetet fashiste të shpartalluara e dorëzojnë Çorovodën më 5 shtator 1942, duke shënuar në këtë mënyrë një eveniment të rëndësishëm të luftës sonë antifashiste, pasi çlirimi i Skraparit shënonte dhe zonën e parë të çliruar nga fashizmi në Shqipëri.

Kjo qe ngjarja më e madhe e luftës për vitin 1942 në Shqipëri. Edhe mëkëmbësi fashist në Shqipëri, Jakomoni, në shënimet e tij përmendte se gjendjen më të vështirë Italia në Shqipëri e kishte në Skrapar. Këtë gjë e thotë dhe Komandanti i Përgjithshëm i Karabinierisë Fashiste në Shqipëri, Gjeneral Volante. Të njëjtën gjë thotë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Italisë në Romë, gjeneral Kavalero.

Duke iu referuar të dhënave të tilla në nëntor 1942 foli dhe Radio Londra duke bërë të ditur se në Shqipëri ka veprime luftarake kundër regjimit fashist italian etj.
Si konkluzion mund të themi se fjalët e këtyre eksponentëve të fashizmit, pa dashje popullarizuan dhe bënë të njohur luftën tonë edhe jashtë Shqipërisë, luftë e cila tashmë ishte futur në një fazë të re, më intensive dhe më interesante.

Kështu deri në fund të vitit 1942, në gjithë jugun komandant me famë ishte Mestan Ujaniku, ndërsa komisar dhe më tepër ishte Gjin Marku. “Do të kalonte edhe ca kohë – kujton veterani Skënder Malindi ... pastaj të njiheshin persona të tjerë drejtues të luftës, si: Hysni Kapo, Mehmet Shehu etj.”.
Ngjarjet e vitit 1942, sidomos çlirimi i Skraparit dhe sulmi partizan mbi Përmet etj., me frymëzues dhe organizator Gjin Markun, ndryshuan gjithë mendimin tek aleatët se Shqipëria nuk ishte vendi që përdorej nga fashistët për të sulmuar fqinjët, por se shqiptarët ishin rreshtuar në luftë kundër tij.

Për këtë arsye, në dhjetor të vitit 1942, ministri i Jashtëm i Anglisë Eden, Sekretari amerikan i Shtetit Hill dhe ministri i Jashtëm sovjetik Molotov, njohën luftën që bëhej kundër fashizmit në Shqipëri dhe projektuan idenë se Shqipëria pas luftës do të njihej nga aleatët. (Këto fakte përmenden nga kujtimet e oficerëve anglezë që patën ardhur më vonë pranë Shtabit tonë të Përgjithshëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare).
 
b – Gjin Marku dënohet nga pûshtuesit, “me vdekje”
në mungesë
Siç e kemi përmendur, Gjini, për shkak të veprimtarisë së tij, ishte në ndjekje dhe për rrjedhojë i skeduar nga organet e shtetit fashist italian që në vitin 1940, kur ishte në Korçë. Tani, pas çlirimit të Skraparit, kur veprimet antifashiste ishin intensifikuar së tepërmi kapja dhe eliminimi i Gjinit si organizator kryesor, ishte me rëndësi të dorës së parë për regjimin fashist.

Për shkak të veprimtarisë së jashtëzakonshme antifashiste, që në dhjetor të vitit 1942, Gjin Markut i pritet fletë-arresti që mban datën 16 dhjetor të vitit 1942. Jo vetëm se nuk arritën ta kapin, por veçanërisht për shkak të rritjes së veprimit antifashist, më 20 maj të vitit 1943, Gjin Marku dënohet me vdekje nga regjimi fashist. Këtë akt dhe motivacionin e këtij vendimi i kemi të pasqyruar shumë qartë në dy dokumentet e mëposhtme,(AQSH, Fondi154, Dosja 317, fq.233 dhe faqe 225) të cilat po i paraqesim të plota:
 
“Kuestura Mbretnore e Tiranës
Nr. 02107, Tiranë 18/06/1943.
Lënda: Mark Gjini, i Pjetrit dhe i Marës, lindun në Bazë 1919 – komunist.
- Kuesturave Mbretnore: Gjirok., Berat, Dibër, Elbasan, Pejë, Korçë, Prishtinë, Prizren, Shkodër, Vlorë.
- Komandës së Kompanisë Brendëshme të Gjandarmërisë Mbretërore.
- Komandës së Kompanisë Jashtme Mbretnore.
- Skuadrës Politike të Kuesturës Mbretnore, Tiranë.
- Skuadrës Gjyqësore të Kuesturës Mbretnore, Tiranë.
- Drejtorisë Përgjithshme të Policisë, Tiranë.

Në përgjigjen e qarkoreve të kalueme të kësaj zyre dhe me lutje që të dendësohen shërbimet dhe hetimet për gjetjen e rreshtimin e të sipërshkruemit, komunist i rrezikshëm, njoftoj se ky është goditur me urdhër rreshtimi të dt. 16 Kuesturës Mbretnore, Nr. 949/43, i lëshuem nga prokurori i Përgjithshëm e Gjyqit të Posaçëm të Shtetit, i dënuem me vendim të dt. 20/05/1943, me vdekje.
Kuestor P. Palilo”.

Dy faqe më tej është dokumenti që na paraqet të plotë motivin e marrjes së vendimit të dënimit me vdekje:
“ ... Kuesturës Mbretnore Dibër
Për njoftim Drejtorisë Përgj. Pol. Tiranë;
Për shënimet e duhura ndër regjistrat e kësaj Kuesture, njoftoj se komunisti në landë i cilësuem, me vendimin e Gjyqit të Posaçëm të Shtetit, dt. 20 të vazhduesit asht kenë dënue me vdekje, si përgjegjës i fajeve të organizimit dhe të drejtimit soversiv, i drejtuem me zhvillue me zort diktaturën e nji klase shoqnore mbi të tjerat, propagandë soversive, kryengritje të armatosun, përdorim armësh kundra Shtetit dhe kryemje veprash me qëllim rëndimi e shkatrrimi dhe të tjera faje të vogla.
Kuestor P. Papalilo”.

Siç shihet nga dokumenti, Gjin Marku nuk dënohet vetëm si antifashist, por edhe për veprimtarinë e tij komuniste, e nisur kjo veprimtari, të paktën që në vitin 1940. Kjo është e qartë pasi fashizmi dhe koalicioni i tij “Romë-Berlin-Tokio”, në synimet e tyre për pushtimin e botës kishin identifikuar si pengesën kryesore, komunizmin dhe Bashkimin Sovjetik.
 
 
*) Drejtor i Arkivit Qëndror të Shtetit
 
Shkrimi u publikua sot (28.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Po tentonin të kalonin me gomone nga Franca në Angli, mbyten tre emigrantë

Po tentonin të kalonin me gomone nga Franca në Angli, mbyten tre emigrantë