Gjin Marku, i sëmurë rëndë..
si e lanë të vdiste në burg

Gjin Marku, i sëmurë rëndë..<br />si e lanë të vdiste në burg

Vijon nga numri i Kaluar "Viti 1944 si u dha urdhëri për luftë në Jugosllavi

Në Kosovë, mes vëllezërve të një gjaku

Që në fillim partizanët e Divizionit VI Sulmues u pritën nga populli i Kosovës jo vetëm si çlirimtarë por edhe si vëllezër të një gjaku. Që në ditët e para shumë kosovarë, vullnetarisht u bënë pjesëtarë në formacionet luftarake të këtij Divizioni. Dëshira dhe gatishmëria e kosovarëve për të marrë pjesë vullnetarisht në formacionet luftarake të Divizionit përcaktoi dhe një pjesëmarrje relativisht të madhe. “Në ditët e qëndrimit ne Kosovë deri kur repartet e Divizionit VI u larguan (fundi i majit 1945), numri i partizanëve nga Kosova arrin në rreth 800 veta”.

“Të gjitha mizoritë serbe kanë vetëm një synim, t’i ndërrojnë Kosovës fytyrën etnike. Por kjo nuk është arritur sepse njësia kombëtare në popull rron mbi çdo gjë tjetër. Ajo që gjetëm këtu është mjegullnajë ... Kosova është nën një presion policor e ushtarak.
Erdhëm në Kosovë dhe shohim një Shqipëri të dytë, që ekziston jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë ... Erdhëm në Kosovë dhe shohim dhe dëgjojmë prej vëllezërve tanë gjëmë dhe s’di ç’mund t’i thotë vëllai-vëllait në këto biseda. Në sipërfaqe është hedhur një vello. Gjarpri i shovinizmit serb ka lëshuar cipën verbuese e fjalët “vëllazërim” rrjedhin lumë dhe besohen nga ata që nuk i kanë jetuar në shpinën e tyre, kurse në thellësi ndjehet prushi i zjarrit, urrejtja e thellë... Pra, kemi dy pamje: në sipërfaqe lëshojnë fjalët vëllazërim, në thellësi rrjedh gjak, oshtin gjëma. Ndjehet ndarja”.

Divizionit VI iu desh të ballafaqohej edhe me veprime luftarake e diversioniste të çetnikëve. Natyrisht fuqia ushtarake e Divizionit ishte e mjaftueshme për t’i goditur këto banda në çdo moment e në çdo rrethanë. Problemi kryesor kishte të bënte me faktin se Marrëveshja e Bujanit e janarit 1944 mbi të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve në Kosovë, po merrte një rrugë tjetër. Po pse? A kishte dijeni Enveri për këtë situatë? A kishin mundësi shqiptarët me prezencën e tyre dhe me luftën që kishin bërë në çlirimin e Jugosllavisë të bënin diçka më shumë për Kosovën? Si ka mundësi që Enverit i kujtohet shumë vonë që Tito e kishte shkelur premtimin dhe nuk kemi veprime në kohën e duhur? Komandanti i Divizionit, Kolonel Gjin Marku a duhet të ketë dyshuar për një komplot të mundshëm që bënë udhëheqësit komunistë të të dy vendeve në dëm të pavarësisë së Kosovës?

Edhe mundet. Gjini e dinte mirë se Enveri e kishte uzurpuar PKSh dhe ishte bërë udhëheqësi i Shqipërisë në sajë të PKJ nëpërmjet emisarëve të saj. Po ç’mund të mendonte Gjin Marku për të bërë në Kosovë? Pse Gjin Marku u transferua nga Kosova para se të vinte Divizioni VI në Shqipëri (20 prill 1945)? Pse ne nuk e kemi ditur sa duhet luftën legjendare të Divizionit VI Sulmues në çlirimin e Malit të Zi, Bosnjës etj? A mos vallë duke mësuar këtë luftë dhe fuqinë partizane, ne do të na lindte dyshimi se patëm mundësi ta çlirojmë, por dhe ta mbrojmë lirinë e Kosovës nga brigadat partizane jugosllave dhe çetnikët gjakatarë? Ne s’mund t’u japim një përgjigje të saktë këtyre pyetjeve, por një gjë është e sigurt nga kjo histori: PKSh dhe shteti shqiptar kanë pasur shumë më tepër mundësi për të bërë për Kosovën dhe bashkëkombësit tanë atje dhe në Maqedoni e Mal të Zi.
 
Aktivitete politike e kulturore
Përveçse veprimtarive me karakter luftarak, brigadat e Divizionit VI e gjallëruan së tepërmi jetën artistike, kulturore e sportive të Kosovës, veçanërisht në Mitrovicë, Vuçitern dhe Podujevë. Bëheshin dhe konferenca të shumta ku flitej për heroizmin partizan, politikën, të ardhmen etj. Koncertet, teatrot dhe ndeshjet e garat sportive u bënë të zakonshme në Mitrovicë, Vuçitern e Podujevë, ç’ka ndikoi ndjeshëm në jetën e atyre qyteteve, por dhe në të gjithë jetën kulturore në Kosovë. Kjo forcoi dukshëm dashurinë mes vëllezërve, por dhe shpresën se një ditë vëllezërit e ndarë për së gjalli do të bëheshin prapë bashkë. Një ngjarje me rëndësi e kësaj natyre ka qenë një miting përkujtimor për vdekjen e Ruzveltit – Presidentit të ShBA.

Por më madhështori ka qenë takimi i gjithë partizanëve të Divizionit VI si dhe qytetarëve e fshatarëve të Vuçiternit e të zonave përreth, më 3 prill 1945 në Vuçitern. Ajo ditë ishte si një ditë e një festivali folklorik të të gjithë trevave shqiptare, duke filluar nga Gjirokastra, Përmeti, Skrapari, Tirana e Peza, Mirdita e Shkodra, Kosova etj. Më pastaj, para gjithë partizanëve e popullit del në tribunë Komandanti i Divizionit Gjin Marku e pas tij Komisari Njazi Islami. Në ditar, ndër të tjera thuhet: “... Flasin pjesëmarrës nga të gjitha brigadat, përsëri dëgjohen thirrje: Kërkojmë njohjen e qeverisë shqiptare nga Aleatët. Përsëri thirrje e përbashkët: Shqipëria San Francisko! Shqipëria San Francisko! ... E mori fjalën Kolonel Gjin Marku që mbajti një fjalim të zjarrtë, që u shoqërua me duartrokitje e thirrje. Pastaj Komandanti Kolonel Gjin Marku lexoi një telegram.

Në këtë telegram dallohet qartë fryma politike, vizioni politik si dhe niveli dhe aftësia e rrallë që kishte Gjin Marku. Jo vetëm në këtë telegram, por dhe në dokumente të tjera rezulton se Gjin Marku kishte një kulturë dhe njohje edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Mbi të gjitha Gjin Marku ishte mbrojtësi pa asnjë lloj kompromisi i interesave të Shqipërisë, shqiptarëve në tërësi, mbrojtës fanatik i kauzës së luftëtarëve që u vranë për liri. Gjin Marku ishte një shqiptar i madh.
Më 20 prill të vitit 1945, Gjin Marku transferohet për në Tiranë. Ndërkohë Divizioni qëndroi edhe disa kohë në Kosovë, për të lëvizur më vonë nëpër Maqedoni.
 
Pas çlirimit
Detyrat dhe karriera e pasluftës e Gjin Markut është
gjithnjë në rënie
Pas çlirimit, Gjinit i dhanë disa dekorata e grada, por duke u trajtuar më pak se disa të tjerë që për nga kontributi i tyre në luftë ishin shumë larg Gjin Markut. Kuvendi Popullor, në vitet e para të pasçlirimit e pati dekoruar me Urdhrin “Medalja e Kujtimit”, me Urdhrin tjetër “Medalja e Çlirimit” etj., por asnjëherë me Medaljen “Hero i Popullit” që e patën përfituar disa drejtues të Luftës Nacionalçlirimtare. Deri në vitin 1948 Gjini kishte vazhduar Akademinë Superiore “Voroshollov” në Moskë dhe njëkohësisht ishte Atasheu Ushtarak pranë Ambasadës sonë në Bashkimin Sovjetik. Me debatet që bëri Gjini në Kongresin e parë të PKSh me Enverin, nuk u lejua të vazhdonte më në Moskë.

Në vitin 1949 qenë dhënë gradat, ku me Gradën e Gjeneralit u graduan disa, ndër ta dhe Gjini.
Pas Kongresit I të PKSh (që në këtë kongres mori emrin Partia e Punës e Shqipërisë, PPSh), u dhanë postet kryesore të pushtetit komunist. Caktimi i Gjin Markut në detyrën e Komandantit të Artilerisë në vitin 1948 dhe në vitet 1951-1953 Komandant i Shkollës së Bashkuar e shprehte qartë tendencën për ta spostuar gradualisht ish-udhëheqësin dhe ish-komandantin e famshëm të luftës.

Më tej koha na ndihmon ta shohim më qartë këtë tendencë. Në vitin 1953-1955, Gjin Marku emërohet Komandant Korpusi në Elbasan.
Në vitin 1955, kthehet nga Elbasani në Tiranë për t’u emëruar në detyrën e Komandantit të Komandës Lokale Kundër Ajrore (KLKA), detyrë të cilën Gjini e mban deri në vitin 1961. Në fillim kjo komandë qe në vartësinë e Ministrisë së Brendshme dhe vazhdoi edhe dy muaj të tjerë kur shkoi këtu Gjini. Në këtë kohë Gjini për shkak të kësaj detyre qe edhe zëvendësministër. Më vonë kjo komandë u bë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes. Gjini gjatë kësaj periudhe e kishte zyrën jashtë godinës së Ministrisë diku pranë ish-Hotel “Internacional”, një zyrë shumë e thjeshtë dhe pa ndonjë rëndësi të madhe.

Në korrik të vitit 1961, Gjin Marku shkarkohet edhe nga kjo detyrë për t’u emëruar Drejtor i Fermës së Llakatundit, në rrethin e Vlorës, deri në prill të vitit 1963. Problemi më i madh që ka pasur Enveri për Gjin Markun ka qenë gjithmonë fakti se ishte shumë e vështirë të formulonte një akuzë për të. Gjini ishte kaq i njohur si patriot dhe komunist njëkohësisht ç’ka përbënte një problem për ta dënuar atë. Megjithatë u krijuan struktura nga ish-Sigurimi i Shtetit, jo vetëm për ta survejuar hap pas hapi atë por dhe për ta denigruar nëpërmjet shpifjeve, inskenimeve e kombinacioneve të pafundme, duke u futur deri në jetën e tij familjare. Dënimi i Gjinit dukej se ishte detyrë që duhej kryer me çdo kusht dhe kështu ndodhi.
 
Burgosja e Gjin Markut
Në këtë situatë të vështirë, në prill të vitit 1963, Gjin Markun e internojnë në Zvërnec të Vlorës, internim që zgjati deri në vitin 1967. Në këtë kohë, bashkëshorten Natali Markun bashkë me të katër fëmijët e ndajnë nga Gjini, duke i internuar në kënetën e Hoxharës, në Fier. Kështu internimi i Zvërnecit nuk qe një internim, por një burg i vërtetë. Këtu Gjini u takua ndër të tjerë dhe me disa shokë të luftës që vuanin dhe ata të njëjtën gjë, si: Kasem Trebeshinën, Pëllumb Dishnicën, qëndrimin e të cilit Gjini e pati vlerësuar si shumë dinjitoz, Maqo Çomon, Xhavit Qesjen etj.

Vetëm pas katër vjet përpjekje të Sigurimit të Shtetit, arriti të montohej një akuzë për Gjin Markun, ajo e “Agjitacion-Propagandës” kundër Partisë e Pushtetit Popullor, duke e dënuar me 10 vjet burg.
Vuajtjen e dënimit Gjini do ta bënte:
- Gusht-nëntor 1967 – Hetuesi, Tiranë.
- 1967-1970 në Burgun e Tiranës.

Pastaj u caktua për të vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, me përjashtim të një periudhe të shkurtër kur u bë rikonstruksioni i këtij burgu (u ndanë dhomat në dhoma më të vogla). Këtë kohë ai e vuajti dënimin në Tepelenë (1970-1972). Sipas përllogaritjeve i binte që Gjini të rifitonte lirinë më 21 gusht 1977. “Gjatë kohës që ishte babi në burg ne këmbenim letra, i shkonim kaq sa ishte e mundur për ta parë te burgu, por më 21 gusht nisemi për Burrel, këtë radhë për t’u bashkuar me të dhe pastaj për t’u kthyer në familjen tonë. Kur u paraqitëm me vëllanë tim Aleksandër tek oficeri i shërbimit të burgut, na tha se Gjini nuk ndodhet dhe se e kishin dërguar te dhomat e burgut në Degën e brendshme.

Aty vajtëm dhe kur i pyetëm atje na thanë se Gjini ishte ridënuar sepse kishte sharë, sipas tyre, Enverin. Masa e dënimit edhe këtë radhë do të ishte 10 vjet heqje lirie”.
Kështu Gjin Marku u dënua për herë të tretë nga diktatura enveriste. Në vitin 1986, Gjini vuan nga një sëmundje e pashërueshme. Kishte edhe një vit sipas llogarisë për të vuajtur në burg. Në raportin mjekësor qe përcaktuar qartë se sëmundja e tij qe e pashërueshme. Mbi këtë bazë familja e Gjinit bëri një kërkesë-lutje, për ta nxjerrë para kohe nga burgu me qëllim që të paktën të vdiste në shtëpi. Kjo kërkesë nuk mori përgjigje pozitive. Pasi sëmundja e rëndoi shumë Gjinin, në maj 1986 e dërguan në spitalin e burgut në Tiranë, ku ndërron jetë më 6 gusht 1986. Ndoshta ky qe i vetmi shpëtim për Gjin Markun!?

 
Fëmijët
Në vitin 1945 u bë njohja dhe Gjini bën fejesën me Natalinë. Në vitin 1947 u bë martesa dhe zoti i fali këtij çifti të mrekullueshëm katër fëmijë, dy vajza e dy djem, përkatësisht: Svetllanën më 31 tetor 1948, Aleksandrin më 1950, pastaj vjen Rita më 1952 dhe i fundi lindi Kastrioti në vitin 1954.

Që në vitin 1963, kur Gjini internohet në Zvërnec, bashkëshortja Natali dhe të katër fëmijët internohen në Fier, në Hoxharë, duke i ndarë për së gjalli nga babai i tyre. Fillojnë dhe ata një kalvar vuajtjesh që s’ka fund. Natyrisht që në fillim ata vuajnë, ndonëse arsyet e persekutimit i mësojnë më vonë, kur rriten. Dhimbje, mall për babanë e tyre, diskriminimi në shoqëri, përndjekja sistematike nga Sigurimi i Shtetit, varfëria ekonomike, humbja e së drejtës për t’u arsimuar etj., janë disa nga komponentët e kësaj dhimbjeje tragjike. Jo vetëm kaq, por njëri prej djemve, Aleksandri bëri dhe ai 5 vjet burg politik, vetëm se kishte babanë e tij “armik”. Pas vitit 1990 Aleksandri figuron i humbur dhe akoma s’dihet saktësisht fati i tij.


*Drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit

Shkrimi u publikua sot (31.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Festat e nëntorit/ Shqiptarë e të huaj mbushin hotelet! Tirana, Vlora e Korça më të preferuarat

Festat e nëntorit/ Shqiptarë e të huaj mbushin hotelet! Tirana, Vlora e Korça më të preferuarat