Gjinushi: E majta e shëndetshme
i fiton 71 votat edhe pa LSI-në

Gjinushi: E majta e shëndetshme<br />i fiton 71 votat edhe pa LSI-në
Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Socialdemokrate i ftuar në emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga në Report Tv është shprehur se e majta e rindërtuar dhe e shëndetshme mund t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit edhe pa LSI. 
 
Në një rikonfigurim të koalicionit të majtë Gjinushi përfshiu edhe partinë e Shpëtim Idrizit.
  
Sipas Gjinushit Partia Demokratike i humbet zgjedhjet me apo pa LSI ndërsa, PS-LSI fitojnë së bashku por koalicioni do të ishte problematik.
 
Në lidhje me shkarkimin e ministrit Manjani Gjinushi u shpreh se ishte lëvizje e duhur sepse ai ka përgjegjësi edhe për faktin se futi në shina të gabuara edhe reformën ne drejtësi.
  
Çfarë po ndodh me PS-LSI, e prisnit këtë situatë?
Patjetër që priten konflikte të tilla sepse dihet që ky koalicion është një marrëveshje e arritur në çastet e fundit. Kjo marrëveshje u arrit në vitin 2015 në muajin u fundit para zgjedhjeve, kur LSI vinte nga një qeverisje me PD. Ishte më tepër një zgjidhje pragmatiste. LSI e shprehu qarrtë këtë: ‘Unë bëj marrëveshje 4-vjeçare pa përcaktuar qartë gjërat që i bashkojnë dhe diferencat’. Edhe tani që është kulmi i përcaktimit të koalicionit për zgjedhjet e ardhshme LSI nuk thotë pse bashkëpunon me PS apo pse nuk është gati të bashkëpunojë me PS. Llogaritë nuk janë në bazë të parimeve ndaj partitë përpiqet që kur vjen fushata të distancohen nga qeveria, pra të marrin të mirat dhe jo të këqijat.
 
Duket se Manjani u bë kurban edhe nga Rama edhe nga Meta, LSI u distancua? 
Kush e nxiti t’i bënte këto deklarata dhe pse i bëri? Këto vitet e fundit aleati distancohet nga gjërat që nuk janë bërë mirë. Ish ministri i drejtësisë që kur u vu pati një rol destruktiv përsa i takon reformës në drejtësi. Ai erdhi në momentin kur projekti ishte i hartuar, i shqyrtuar dhe ndryshimi i pistës që u bë ishte shumë djallëzor. Kur merr një palë të tretë siç morëm Venecian dhe ju ngarkon të hartojnë një projekt sa më pak të ndikuar nga politika që të arrihet sa më shpejt konsensusi, nuk shtrohet problemi a shtohen palët.
 
Ju po thoni që Manjani u bë pengesë dhe vonoi reformën?
 
Secili, qoftë deputet apo grup parlamentar kishte detyrimin t’i thoshte po ose të bënte vërejtje, por negocimi ishte me palën ndërmjetëse që ishin ndërkombëtarët. Qëllimisht u shtrua sikur janë dy barrikada PS dhe PD që nuk lëshonin. Në mënyrë të gabuar u tha që duhet konsensus politik që PS e PD të merren vesh me njëra-tjetrën kur secila duhet të merrej vesh me projektin dhe të thoshte pse e kundërshton nëse kishte diçka kundër. Rama në një moment tha që nuk keni punë me mua, merruni me ndërkombëtarët. Koalicioni nuk është respektimi i marrëveshjes me ndarjen e pushtetit, koalicioni në gjërat madhore duhet të jetë shumë unison. Konsensusi i parë është brenda një koalicioni.
  
A është koalicion i ndershëm ai mes PS-së dhe LSI-së? 

PS lëshoi pe absolutisht për gjithçka për reformën në drejtësi dhe PD nuk lëshoi dhe prapë u quajt që pengesë po bëhet PS jo PD dhe kjo nuk ishte e ndershme nga LSI. Ministri i Drejtësisë nuk mund të thoshte se duhet dialog politik, kjo zgjidhej nga ambasadorët. Edhe një pjesë e PD tha nuk kemi ç’të kërkojmë më dhe duhet votuar.
 
Çfarë ndodh deri në prill sipas jush? 
Tani që është fushata bëhen llogaritë. LSI do që të jetë gati për të dyja. Në çdo rast do që të dalë e fituar. Edhe lufta ndaj korrupsionit e drogës del që nuk qenka bërë sa duhet për faj të PS. Faturimi tek të tjerët i përgjegjësisë. Nëse një aleat konkludon që pjesa tjetër është e implikuar atëherë nuk qëndron më në atë qeveri.
 
Po aleati i madh nuk ka për detyrë të reagojë?

Aleati i madh reagoi dhe e shkarkoi.
 
Shkarkoi një ministër. 
Shkarkoi një ministër sepse aleati u distancua nga deklaratat e ministrit.
 
Meta u shpreh sot se nëse Rama me aleatët merr 71 mandate unë dal në opozitë...
Aleanca është bërë thjesht mbi numra dhe jo mbi parime të përbashkëta. Ne kemi bashkëqeverisur me PS edhe kur i kishte numrat sepse ndanim parime të përbashkëta. Prandaj edhe ka qenë një farë vështirësie sepse ne qeverisnim me të por edhe i kishte mbi 71. Së pari partitë duhet të vlerësojnë a mund të qeverisim bashkë në bazë të qëndrimeve dhe vizionit. LSI tha që edhe PD po të bënte 71, LSI nuk shkonte. Ajo kur LSI shkoi me PD që pati 71 vota ka qenë një natë e zezë. Atë natë është shpallur Fieri sikur kishte dalë 9 me 7, se u bë sherr për kutitë. KQZ shpalli rezultatet paraprake si asnjëherë më parë e ja dha fitoren PD, pastaj ka dalë Prifti që ofroi votën e tij. Nuk mund të bëhesh me këdo vetëm për të bërë 71-shin.
 
LSI bëri koalicion për të mos futur vendin në krizë...

Nuk negociohet kush bën 71-shin por kush plotëson kërkesat e shqiptarëve. Meta kishte hyrë në zgjedhje më jepni votën të heqim Berishën. Sistemi spanjoll atëherë u zgjodh sepse PS mendonte se e ka 71-in vetëm, dhe oferta ju bë vetëm LSI. Meta zgjodhi pozicionin e mesit se tha më mirë pak e kontrollues.
 
Meta është në koalicion por ka thënë të shohim, ju ç’parashikoni? 
Nuk është dallim vetëm i majtë dhe i djathtë është dallim edhe në qëndrime. Nuk mund të thuash destabilizohet Shqipëria sepse humbet kjo qeveri që deshi të hiqej me votë. Bëhen zgjedhje prapë. Destabilizohesh kur nuk bëhen zgjedhje edhe pasi ke humbur.
 
Balla tha që koalicioni do vazhdojë të jetë në pushtet me apo pa LSI, si e komentoni?
PD në cilindo grupim të jetë nuk fiton dot. PD nuk fiton edhe nëse bëhet me LSI. Kjo është provuar në zgjedhjet lokale. Kjo mazhorancë që është ose hyn siç është ose LSI hyn më vete. Nëse del një grupim i qartë i PS duke u distancuar nga gabimet dhe duke premtuar që do korrigjojë edhe disa mosrealizime veçanërisht për reformën në drejtësi atëherë ky grupim i fiton zgjedhjet. PD-LSI nuk i fiton, PS e korrigjuar fiton, PS-LSI është fitore që do ketë probleme prapë. E majta e shëndetshme e rindërtuar dhe shëndetshme i fiton 71 votat.
 
Do kishte nevojë për aleatë të rinj PS, PDIU për shembull, a futet te e majta e shëndetshme? 

PDIU nuk ka lëvizur që të nesërmen e zgjedhjeve, sepse kjo do të thotë ta mashtrosh elektoratin pasi u ke ofruar alternativën e kundërt. Me kalimin e viteve mund të ndryshosh kamp. Ka moral edhe futja në një koalicion gjatë mandatit qeverisës. Elektorati e vlerëson më pas nëse është e drejtë apo thjeshtë pragmatike. PDIU nuk ka një pozicionim si e majtë apo e djathtë ajo ka si qëllim çështjen çame dhe në këtë aspekt bëhet me këdo qeveri që është më pranë ideve të saj.
 
Ju përfshini edhe PDIU në këtë koalicion të mazhorancës së rindërtuar? 
Kjo mazhorancë e rindërtuar i fiton zgjedhjet.
 
Nëse llogaritë tuaja janë të sakta pse Rama insiston që LSI të jetë në koalicion? 

Sepse deri tani numrat i ka bërë me të, këtu nuk janë dashur vetëm numrat e qeverisë janë dashur edhe 3/5 për disa ligje si reforma në drejtësi ndaj dhe deri në zgjedhje duhen këto vota. Kjo është arsyeja që Rama nuk ka ndonjë interes as të provokojë as të nxisë humbjet e numrave deri në zgjedhjeve.
 
Po pas zgjedhjeve? 
Pas zgjedhjeve janë numrat e rinj. Ata numra krijohen sepse këtu është keq sa të fitosh.
 
Përfshirja e LSI në koalicionin e PS ju prish punë ju si parti? 

Kur u krijua LSI ne kemi qenë më afër LSI dhe disi kemi ndikuar edhe në krijimin e saj. LSI ka nisur si opozitë ndaj Nanos dhe ne kemi qenë kundër Nanos. Ne për hir të parimeve kemi ikur nga qeveria. Rama-Meta gjithmonë kanë qenë problematikë, por Ilir Meta është ai që krijon probleme pasi ai ishte edhe në konflikt me Nanon. Përgjegjësinë e problemeve e ka ai që bën dëmin. Në 2005-ën e majta nuk duhet të humbiste. Fajin e pati Meta por edhe Nano gaboi. Kjo nuk justifikon Metën sepse po të ruante linjën ideologjike duhet të uronte fitoren e të majtës dhe asnjëherë të Sali Berishës. Ne kemi menduar edhe të bashkohemi me LSI, por edhe pasi ndodhi çfarë ndodhi në 2007-ën kur do të bashkohej e majta ne kemi qenë pro LSI. Ka ardhur koha që për korrupsion të mbahen përgjegjësi së paku politike dhe morale, nuk po them penale.
 
Ju keni një strategji se çfarë do të bëni duke qenë se Rilindja i ka larguar të gjitha figurat e së majtës siç jeni ju, keni një raport të ri me Ramën? 
Në asamblenë e fundit pati një riciklim të disa të larguarve, uroj që këtë gjë ta ketë kuptuar edhe ndaj aleatëve. Të gjithë shajnë korrupsionin por të gjithë pëlqejnë të korruptuarin. Por nëse nuk e zgjedh së pari votuesi nuk e zgjedhin as gjykatat. Duhet treguar me votë diferenca midis të ndershmit dhe të pandershmit. Po e votove dikë vetëm sepse ka para apo është i fortë nuk ka zgjidhje. Rilindja nuk e zgjidhi këtë sepse erdhi me një dorë të lidhur.
 
Rikthehemi te teza e Ramës, fajin e ka Saliu akoma? 

Saliu nuk ka ikur. Cili nga institucionet e kapura ka ndryshuar? Për të infektuar është më kollaj për të pastruar në rrugë institucionale. Për 4 vite tani filluan shkarkimet e para të gjyqtarëve. Vetting-u ishte instrumenti numër 1 dhe me efekt të shpejtë. Për të u ra dakord që në fillim dhe këtu ishte një hile ku filloi të kundërshtohej pas një viti e gjysmë. Nuk përdoret konsensusi vetëm teorikisht, reformat e mëdha duan qëndrim.
 
A do të pranoni të jeni në listat e PS dhe a do ishte një vlerësim i kontributit? 
PS nuk është treguar luajale në praktika elektorale. Ka përvojë negative në këtë aspekt, i takon asaj të rikthejë besimin. Nga kjo qeveri më të pakënaqur janë të majtët se të djathtët. Të majtët janë zhgënjyer në raport me pritshmëritë. Kuvendin e drejton ai që ti the së është larguar, Berisha dominon. PS absolutisht duhet t’i kthehet një bashkëpunimi të sinqertë dhe real. Prania në lista është taktikë krejt normale. Të gjitha votat tona kur s’marrim mandat shkojnë te PS. Meqë i pari i merr votat e tua ai duhet t’i kompensojë, pra të fut në listë.
 
Basha tha që nuk ka më aleatë në listat e tyre. 
Basha ka vendosur t’i humbasë zgjedhjet me dinjitet.
 
Negociatën me Ramën do ta bëni shpejt apo prisni 1 prillin? 

Në prill nuk merren vendime për zgjedhjet. Vendimet kryesore për zgjedhjet merren minimumi 6 muaj para nëse janë serioze.
 
I keni marre vendimet ju?
 
Në parim po jemi në negociata me këtë të majtë të shëndetshme kurse raporti i saj me LSI është zgjedhje e Ramës.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg