Gjirokastër, do shembet ndërtesa
që respekton stilin e qytetit të gurtë

Gjirokastër, do shembet ndërtesa<br />që respekton stilin e qytetit të gurtë
GJIROKASTËR - INUK bllokon një ndërtim pa leje në zonën historike të Gjirokastrës. Bëhet fjalë për një formacion karakteristik, i ngritur në stilin tradicional muzeal të qytetit këto muajt e fundit nga pronarët e ligjshëm të truallit, i cili gjendet në hapësirën kur dikur ka qenë lartësuar monumenti i ish-liderit komunist, Enver Hoxha.

Sipas pronarit të godinës që do të shembet pas pak ditëve, Hysen Kodra ndërhyrja e INUK në truallin e të parëve të fisit Kodra është ndërmarrë duke respektuar elementët karakteristikë të qytetit me leje të rregullt nga Insitituti Kombëtar i Restaurimeve, dokumentet e të cilave nuk janë marrë në konsideratë prej INUK. Në godinë janë vendosur shirita për pezullimin e punimeve dhe të premten është paralajmëruar shembja e ndërtesës.

Asnjë urdhër shkresor nuk kanë marrë në dorëzim pronarët e objektit, i cili do të ishte hotel me 4 yje, por kjo vetëm verbalisht nga përfaqësues të INUK. Ndërtimet pa leje kanë qenë objekt i raporteve të UNESKO-s, e cila fill pas konstatimeve në terren përfshirë edhe objektin në fjalë, ka paralajmëruar humbjen e statusit si pjesë të trashëgimisë kulturore botërore të qytetit të gurtë.

Pronari i objektit pretendon se veprimet e INUK janë selektive, pasi në Gjirokastër janë edhe 300 ndërtime të tjera pa leje, të cilat nuk u ka ardhur radha përveçse objektit të tij. "Unë kam ndërtuar mbi pronën time në bazë të një vendimi nga IKR, të miratuar nga dy KRT, në bazë të një projekti të hartuar nga specialistë të trashëgimisë kulturore duke respektuar të gjithë elementët e banesës gjirokastrite, me gur e dru, ndërsa gjithandej ka ndërtime me beton, por ato nuk preken”, shprehet për ‘A1 Report’ zoti Kodra.

Mirëpo, nga ana e saj, Bashkia e Gjirokastrës ka mohuar dhënien e lejes së ndërtimit të objektit, madje ekzistojnë shkresa që vërtetojnë përplasjen institucionale mes Bashkisë së Gjirokastrës dhe IMK në Tiranë, pasi ky i fundit i dha leje për restaurim dhe jo për ndërtim pronarit të godinës dykatëshe. Nëntë vite më parë në vendin ekzistues u aprovua një projekt për ndërtimin e kompleksit universitar të Fakultetit Ekonomik, por ardhja e PD në pushtet në 2005 e rrëzoi nga themeli këtë projekt.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia