Sëmundja e quajtur “Gjuha Blu”, prej një muaji është prezent në hapësirën e Qarkut të Gjirokastrës. Blegtorët e Tepelenës dhe Përmetit, duket se po dëmtohen më tepër nga kjo sëmundje. Sipas inspektimeve të kryera në terren prej veterinerëve të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, janë evidentuar mbi 20 vatra të cilat kanë sjellë dëmtimin e 100 krerëve të imta dhe infektimin e mbi 300 kokë deleve.
 
Për përgjegjësin e Sektorit të Shërbimit Veterinar Thoma Puriqi, përhapja e sëmundjes së “Gjuhës Blu”, po shoqërohet me dëme dhe kosto të mëdha.
 
Puriqi ka zgjedhur “A1 Report”, për t’iu drejtuar fermerëve, të cilët duhet të tregojnë mjaft kujdes dhe të kryejnë dizifektimin e zonës me qëllim mos përparimin e mëtejshëm të kësaj sëmundjeje.
 
Rrethi i Gjirokastrës nuk paraqet problem lidhur me këtë sëmundje, por kjo sipas tij, nuk do të thotë që blegtorët, të mos marrin masa dhe të informohen rreth kësaj sëmundjeje.