Roland Lumani njëri prej denoncuesve të skandalit të prerjeve pa kriter të pyjeve në zonën e Grabovës në Përmet, është kërcënuar nga inspektorë të Shërbimit Rajonal të Pyjeve në Gjirokastër.
Rreth një muaj më parë, Report TV, ka denoncuar rastin në fjalë përmes një kronike ku banorë të fshatit dhe kryeplaku, flisnin për masakrën e pyjeve në lartësitë e këtij fshati që ndodhet në kufi me Këlcyrën.
“Priten drutë pa asnjë lloj kriteri. Ka specie që janë dru të radhë që në zonën tonë janë drejt zhdukjes. Po i presin pas asnjë dallim, se ku e gjejnë mbështetjen një Zot e di. Fshati është ankuar, kanë ngritur probleme dhe si ka dëgjuar njeri”, tha Lumani.
Ndonëse egziston një moratorium që ndalon prerjen e pyjeve, një firmë po masakron kurorën e gjelbër të Përmetit duke shkaktuar një dëm të pariparueshëm shprehen specialistët e pyjeve.
Ndërkohë që pas kërcënimeve që i janë bërë qytetarit Roland Lumani, ai ka shkuar në Prokurorinë e Përmetit, për të denoncuar faktin që zyrtarët shtetëror bëjnë kërcënime në mënyrë që të fshehin masakrat e bëra në pyjet e zonës.
Ndërkohë që inspektorëte Shërbimit Pyjor Rajonal të Gjirokastrës, kanë guximin dhe bëjnë kërcënime, pavarësisht se paguhen për të mbrojtur pyjet dhe jo për t’i shkatërruar ato.
“Sapo kam dalë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Përmet ku kam denoncuar disa inspektorë të inspektoratit të policisë pyjore të Gjirokastrës mes të cilëve Klajdi Dheramin, të cilët ditën e premte kanë ardhur në afërsi të banesës time dhe me një fjalor vulgar më kanë ofenduar, më kanë kërcënuar për shkak të një interviste të dhënë pak kohë më parë në televizionin tuaj. Dua që ta bëj publik, të sensibilizohet opinioni publik dhe organet përkatëse të marrin masat e duhura”, u shpreh Lumani.
Ndërkaq Report TV, ka kontaktuar me kryeprokurorin e Përmetit Asllan Bajrami, i cili ka konfirmuar procesin penal të filluar disa ditë më parë në bazë të nenit 205 të Kodit Penal për prerje të paligjshme të pyjeve. Pritet që të zbardhen autorët e kësaj masakre njëkohësisht edhe arrestimi i tyre.
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com