GJIROKASTER - Në qytetin e Gjirokastrës mbetjet spitalore hidhen sheshit në ambjentet pranë spitalit , pa u shqetësuar për rrezikun që u kanoset shëndetit të qytetarëve.

Drejtuesit e spitalit rajonal të Gjirokastrës kanë ndaluar në mënyrë arbitrare gazetarin e A1 Report të filmojë skandalin e krijuar nga mbetjet spitalore, ndërsa agjensia rajonale e mjedisit hesht dhe tregohet indiferente përballë kësaj situate.

Pamjet e filmuara tregojnë fare mirë mbetjet e patrajtuara në mjediset e spitalit, që përbëjnë rrezik infeksionesh për qytetarët. Ndërkohë ky mjet po ngarkon një pjesë të mbeturinave për t’i bashkuar më pas me mbetjet urbane pranë lumit Drin. Teksa kamera po filmonte në ambjentet e jashtme të spitalit, përfaqësues të administrates së këtij institucioni ndëryhn në mënyrë arbitrare duke ndaluar punën e gazetarit të A1 Report.
Megjithatë në një kamera të fshehtë tregohet qartë debati mes korrespondentit në qytetin e Gjirokastrës Piro Nase dhe drejtorit teknik të spitalit Ergis Lulo, pasi ky i fundit nuk lejon filmimin e ambjentit dhe tentojë t’i sekuestroje kasetën.

BISEDA NE KAMEREN E FSHEHTE

Drejtori teknik: Ti s’ke të drejtë të filmosh, kush je ti?”
Gazetari: Kush jam unë ? Unë jam gazetar.
Drejtori teknik: Do vemi tek drejtuesi institucionit të marrim leje.
Gazetari: Ok vemi.

Drejtori teknik :Më thuaj çfarë informacioni do?
Gazetari:Ku trajtohen këto mbetje urbane, përse i jep mbetjet spitalore etj?
Gazetari:Pse trembeni ju, cfarë ka?
Drejtori teknik :Duhet të marrësh leje njëherë pastaj të filmosh.
Gazetari:Depozitoje padinë në prokurori.
Drejtori teknik :Nuk më jep ti dot mendje mua se çfarë të bëj.
Gazetari:Epo ti s’mund të ma sekuestrosh dot videon mua.

Kjo problematikë, rikthehet në vëmendjen e A1 Report, në kushtet kur asnjë masë nuk është marrë qysh prej kronikës së fundit të transmetuar në gusht të vitit të kaluar.

Ndërkaq, Agjencia Rajonale e Mjedisit, e njohur me këtë fakt është mjaftuar me një gjobë të vendosur 3 vjet më pare, ndërsa spitali sot vijon të ketë panoramën e njëjtë me atë të 3 viteve më parë.

Për kamerën tonë drejtori i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Asqeri Bizhuri pohon:

“Me ndëryhrjen tonë dhe me masat e marra nga vet spitali, kjo situatë ka ardhur duke u përmirësuar. Në atë moment është marrë edhe masa administrative nga Agjencia Rajonale e Mjedisit Gjirokastër duke u gjobitur me 10 mln lekë gjobë spitali”.

Mbetjet spitalore në Gjirokastër, janë bërë problematike në katër vitet e fundit ndërkohë që para kësaj periudhe, ato digjeshin në një zonë pranë spitalit.


(ad.ti/shqiptarja.com)