Gjirokastër-Një 19 vjeçar pakestinez, është arrestuar nga policia pasi tentoi që të kalonte 5 emigrantë të paligjshëm drejt Kakavijës, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë.
Shërbimet e Policisë, kanë finalizuar operacionin e koduar ‘Turn 1’, ku në aksin rrugor "Tepelenë-Memaliaj”, i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me të cilin dyshohej se po transportoheshin emigrantë.
Drejtuesi i automjetit 19 vjeçari me inicialet A.A nuk i është bindur shenjës për ndalim por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi për disa minuta dhe më pas ka braktisur automjetin, por është vënë në pranga nga policia.
‘Nga veprimet e shpejta hetimore u identifikua dhe u vu në pranga drejtuesi i automjetit, shtetasi pakistanez A. A., 19 vjeç, banues në Pakistan. Automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët u sekuestrua në cilësinë e provës materiale', njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".