GJIROKASTER - Situata në aksin veri-jug në zonën që lidh Gjirokastrën me Tepelenën, konsiderohet mjaft kritike. Një masiv i konsiderueshëm dheu nga kodrat sipër Shkallës së Zezë 100 metra larg parkut natyror të Ujit të Ftohtë në Tepelenë, ka uzurpuar rrugën që konsiderohet si boshti strategjik jugor duke lënë të paralizuar komplet lëvizjet nga të dy krahët e rrugës. Autoritetet vendore dhe rajonale të Gjirokastrës, janë vënë në lëvizje për të lokalizuar situatën e cila po precipiton nga minuta në minutë. Ndonëse ndërhyrja konsiderohet energjike ende për momentin nuk mund të jepen garanci se brenda një kohe të shkurtër, do të çlirohet kjo pjesë rruge e cila mban peng në radhë disa kilometra dhjetëra qindra makina për të vijuar destinacionin e tyre drejt jugut ekstrem në kufi me Greqinë dhe drejt jugut bregdetar jonian në Sarandë. Fatmirësisht në momentin e rënies së ortekut të baltës, në aksin rrugor, nuk kishte lëvizje të automjeteve çka shmangu një katastrofë e cila do të shkaktonte viktima.

ALIKO: SHOFERET TE MOS FREKUENTOJNE KETE AKS
Në këto kushte, kreu i Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Paqësor Aliko, ka dhënë alarmin për drejtuesit e mjeteve që të mos frekuentojnë aksin në fjalë për të shkuar drejt veriut apo ata që vijnë drejt jugut pasi masivi i dheut që konsiderohet deri në 500 metër kub, nuk ua mundëson dot këtë.

COMO: SHTABI I EMERGJENCAVE NE AKSION
Ndërkohë, prefektja e Gjirokastrës Mimoza Çomo ka bërë të ditur se zhvillimet e minutës së fundit në këtë aks, kanë sjellë riaktivizimin e Shtabit të Emergjencave në Institucionin e Prefektit ku po koordinon veprimet për daljen nga kjo gjendje. Në radhë për të kaluar drejt Gjirokastrës dhe destinacioneve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare janë qindra mjete të transportit të udhëtarëve, autovetura, mjete të transportit etj.

BLLOKIMET GJATE NATES

Pas mesnatës së të enjtes dherat bllokuan tërësisht kalimin e automjeteve në zonën e “Ujit të Ftohtë” për gati tre orë rresht.  Rreth orës 03:10 e njëjta situatë, u përsërit në zonën e “Shkallës së Zezë” në afërsi të kufirit administrativ mes Tepelenës dhe Gjirokastrës. Nga bllokimi i rrugës u bllokuan dhe nuk mund të lëviznin 3 makina me 10 persona, mes tyre dhe korrespondenti i TV A1 Report, Piro Nase. Personat e bllokuar kanë mundur të largohen pas ndërhyrjes së Drejtorisë Rajonale të Rrugëve.

Masivet e dherave  në “Shkallën e Zezë” si dhe në Ujin e Ftohtë, krijuan rrezikshmëri për automjetet të cilat po kalonin në ato momente.

Pak minuta pasi u zhbllokua kjo nyje, një tjetër masiv dherash ra në rrugën nacionale në zonën e Urës së Leklit, rreth 2 km larg “Ujit të Ftohtë”. Gjithçka ka qenë e papritur qoftë për Policinë Rrugore e cila ka qëndruar në dispozicion përgjatë gjithë natës edhe për punonjësit e Ndërmarrjes së Rrugëve Rajonale që kanë punuar intensivisht, për lirimin e rrugës.

Është dashur ndërhyrja e një fadrome të vetme të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, që të normalizonte sadopak lëvizjen në të dy anët e rrugës dhe kjo pas katër orëve kur radha e mjeteve në pritje për të kaluar, shkonte deri në 6 km. Zona e Ujit të Ftohtë dhe ajo e Shkallës së Zezë, gjithmonë shndërrohen në problematike në mot me shira pasi prezenca e gurit shtuf në shtratin gjeologjik të saj, e bën atë të paqëndrueshme dhe me tendencë rrëshqitjeje.

Lajmi fillimisht u publikua në orën  3:40 dhe më pas u përditësua në orën 06:10, i fundit në 18:25

(b.m/shqiptarja.com)