TIRANË- Në unison shoqatat e gazetarëve, jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë saj, kanë dënuar pa mëdyshje rregulloren e re të GJKKO-së e cila rikthen censurën ndaj mediave. Dokumenti i hartuar nga kryetari në detyrë Erion Bani, vendos kufizime dhe ndalime, që praktikisht e pamundësojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në këtë Gjykatë. Publiciteti i seancave nga një rregull kthehet në përjashtim. Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale përmes mesazheve me tekst, të informacioneve nga seancat.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, shpërndau një deklaratë ku e quan rregulloren e re kufizim të lirisë së mediave, duke theksuar se drejtuesi i GJKKO-së, Erion Bani po i sheh gazetarët si rrezik për procesin gjyqësor. Çipa thekson se rregullorja e re bien ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si edhe me nenet 6 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që mbrojnë publicitetin e proceseve gjyqësore dhe të drejtën për informim.

"Ka përcaktime kufizuese, censuruese, penguese dhe aspekte burokratike të cilat në një lloj pikëpamje nuk vlejnë për atë marrëdhënie që ka përgjithësisht media dhe gazetari me kohën, Kur bëhet fjalë për procedurën e akreditimit të mediave dhe gazetarëve kemi të bëjmë me një paradoks burokratik kërkohet një regjistrim një herë në vit. Këto janë elemente të kufizimit dhe që në një lloj pikëpamje cenojnë si një precedent i rrezikshëm edhe ligjin themelor të republikës që është kushtetuta dhe në shkelje të konventës europiane”, thotë Aleksandër Çipa

Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, po ashtu e kishte kritikuar ashpër rregulloren e re të GJKKO-së një ditë më parë. Ndërsa sot, kryetari Isa Myzyraj foli  për një këmbanë alarmi për lirinë e medias.

Shqetësimit të gazetarëve shqiptarë i janë bashkuar përveç shoqatave vendase me shqetësim e shohin edhe ato ndërkombëtare. Federata Europiane e Gazetarëve tha për Report Tv se e konsideron Rregulloren, si regjimet më kufizuese, ndësa paralajmëron se në rast mosreflektimi çështja do të shkojë deri në Këshillin e Evropës.

"Ndalimi i përgjithshëm që planifikohet në Shqipëri është pa dyshim regjimi më kufizues i këtij lloji. Dhe ne nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë e justifikon një kufizim të tillë, i cili cenon lirinë e shtypit dhe, për rrjedhojë, edhe të drejtën e publikut për t'u informuar. A kanë gjykatat në Shqipëri diçka për të fshehur? Nëse GJKKO nuk e ndryshon qëndrimin e saj, EFJ do të paraqesë një ankesë zyrtare në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë, gjë që do ta detyrojë qeverinë shqiptare të japë shpjegime për këtë kufizim serioz të së drejtës për akses në informacion", thuhet në reagimin për Report Tv. 

Në shkelje flagrante të së drejtës së informimit, Rregullorja e kthen gazetarin në një burokrat që duhet të mbushë cdo ditë formularë për të kërkuar leje që të ndjekë seancat, ndërsa kur gjendet brenda sallës së gjyqit, trajtohet thjesht si një spektator, pa as më të voglën mundësi për të ushtruar lirisht profesionin.

Rregullorja e cila hyn në fuqi më 1 shtator, parashikon që gazetarët të kërkojnë autorizim të paktën 24 orë përpara çdo seance, kufizon numrin e gazetarëve që mund të ndjekin gjyqin në sallë, ndalon përdorimin e telefonave, tabletëve dhe laptopëve gjatë gjykimit, si edhe heq mundësinë e filmimit të minutave të para të seancave gjyqësore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:34
Censura e GJKKO ndaj mediave me rregulloren e re, reagon Mapping Media Freedom: Veçanërisht shqetësues ndalimi i celularëve

Shqetësimi për rregulloren e re të miratuar nga GJKKO e cila censuron aktivitetin e mediave, është ngritur edhe në platformën online që dokumenton sulmet ndaj medias në të gjithë Europën, Mapping Media Freedom. Kjo platformë, është e krijuar nga një koalicion i gjerë organizatash europiane që mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Në deklaratë, ndalimi i përdorimit të celularit nga gazetarët gjatë seancave cilësohet si “veçanërisht shqetësues.”

Deklarata:

Më 17 korrik 2026, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) publikoi vendimin nr. 49, duke përcaktuar kritere, procedura dhe kufizime të reja të rëndësishme për praninë e mediave dhe gazetarëve në këtë institucion.

Veçanërisht shqetësues është ndalimi që gazetarët të përdorin telefona celularë gjatë seancave gjyqësore, një masë që devijon nga Udhëzimet e vitit 2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për marrëdhëniet mes gjykatave, publikut dhe medias. Sipas nenit 14, pika 7 të këtyre udhëzimeve, “seancat gjyqësore mund të regjistrohen dhe transmetohen në media”, për sa kohë që kjo nuk bie ndesh me rregullat e procesit të rregullt ligjor.

Siç ka theksuar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), ndalimi i përdorimit të telefonave celularë në sallat e gjyqit pengon drejtpërdrejt raportimin në kohë reale dhe komunikimin e nevojshëm me redaksitë, për të garantuar mbulim të shpejtë dhe transparent të proceseve gjyqësore me interes të lartë publik, veçanërisht të atyre që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Rregullorja e brendshme u miratua gjithashtu pa konsultim paraprak me përfaqësues të medias, gazetarë dhe palë të tjera të interesuara nga fusha.

Më 11 qershor 2026, Top Channel, TV Klan, Vizion Plus, Report TV, Neës 24, A2 CNN dhe Klan Neës i dërguan një letër Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke kërkuar që kamerat të lejohen gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore. Ata shprehën shqetësimin për vështirësitë e shumta me të cilat përballen gazetarët çdo ditë gjatë seancave, ku seancat publike dhe e drejta për informim trajtohen shpesh vetëm si përjashtime nga rregulli.

Këshillit të Lartë Gjyqësor iu kërkua të japë “një interpretim më të detajuar që do t’i mundësonte medias të përmbushë misionin e saj pa pengesa dhe të kufizojë hapësirën e vendimmarrjes për refuzimin e kërkesave për ndjekjen e seancave gjyqësore, duke mundësuar raportim për publikun me saktësi maksimale, gjë që mund të garantohet vetëm përmes regjistrimeve audio dhe video”.

Gjithashtu, në raportin e tij krahasues të publikuar më 28 korrik 2026, AGSH paralajmëroi për nevojën që Shqipëria të zbatojë në mënyrë të qëndrueshme rregullat ekzistuese dhe të nxjerrë vendime të arsyetuara për çdo kërkesë individuale, në vend që të krijojë kufizime të reja. AGSH rekomandoi gjithashtu përdorimin e regjistrimeve të pjesshme në vend të ndalimeve të plota, në përputhje me udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në një deklaratë të publikuar më 4 gusht 2026, AGSH i bëri thirrje GJKKO që të shtyjë menjëherë hyrjen në fuqi të rregullores së brendshme, të parashikuar për 1 shtator, me qëllim nisjen e një procesi të rregullt konsultimi me AGSH-në dhe palët përkatëse nga komuniteti i gazetarëve. Sipas organizatës, ky proces duhet të synojë krijimin e një kuadri që garanton të drejtën për informim dhe zhvillimin e seancave publike, në përputhje me Udhëzimet e vitit 2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për marrëdhëniet mes gjykatave, publikut dhe medias, si dhe me standardet evropiane.

Ora 16:42
GJKKO censurë mediave me rregulloren e re, revoltohen gazetarët: Izoluese, cenon transparencën dhe informimin e publikut

Gazetarët që raportojnë seancat e GJKKO kanë komentuar për Asociacionin e Gazetarëve të Shqipërisë rregulloren e re që do të hyjë në fuqi më 1 shtator që rikthen censurën ndaj mediave me kufizimet dhe ndalimet që pamundësojnë raportimin e seancave gjyqësore.  Një nga ndalimet më kryesore është përdorimi i celularit, një mjet pune me të cilin gazetarët informojnë redaksitë përmes mesazheve me tekst. Në thelb, reagimi i gazetarëve thekson cenimin e lirisë së medias, gazetarëve dhe informimit të publikut.

Armend Bajrami, A2CNN: Rregullorja krijon premisa penguese, ndëshkuese dhe diskriminuese për gazetarët, me pasojë kufizimin e mundësisë për të informuar publikun në kohë reale mbi zhvillimet me interes në GJKKO. E gjitha kjo nuk i shërben transparencës, por një qasjeje tërësisht izoluese të veprimtarisë së Gjykatës së Posaçme kah medias dhe publikut.

Eni Ferhati, Euronews Albania: Në pamje të parë kjo rregullore hedh poshtë një bashkëpunim shumë të mirë të ndërtuar prej vitesh me gjykatën e posaçme, në funksion të interesit publik. Ne nuk kemi kërkuar privilegje apo trajtim preferencial, por praktikisht me rregullat e reja që parashikohen, niveli i vështirësisë bëhet i papërballueshëm.

Keti Banushi, Report Tv: Për mua, kjo është një pengesë shumë e madhe. Në GJKKO zhvillohen disa gjyqe në ditë dhe, në këto kushte, është e pamundur t'i ndjekim, e aq më tepër t'i raportojmë. Praktikisht, dyert janë mbyllur për mediat, njësoj si në kohën e Covid-it, kur nuk dihej çfarë po ndodhte. Celulari, për ne, është mjet pune dhe nuk e kuptoj pse i tremb gjyqtarët.

Glidona Daci, Klan News: Unë nuk kam asnjë detyrim ligjor t'i shpjegoj gjykatës pse e ndjek një seancë. Nuk i jap llogari Gjykatës së Posaçme për vërtetësinë e lajmit. Rregullorja na kërkon që të jemi të vërtetë. GJKKO kërkon të bëhet kryeredaktore e lajmeve.

Bleona Metushi, Tv Klan: Dukshëm, një rregull i marrë pa asnjë konsultim e, për rrjedhojë, në mosdije totale se si funksionon media dhe gazetaria. Në muajt që vijnë, GJKKO pret të mbajë seanca të rëndësishme, me interes të lartë publik, seanca që rrezikojnë, për shkak të kësaj rregulloreje, të mbeten të pambuluara siç duhet.

Blerina Cene, Vizion Plus: Mendoj se me rregulloren e re, roli i medias është tretësor, pasi në renditjen e përcaktuar media rrezikon të mbetet jashtë sallës së gjyqit. Në tërësi vlerësoj se krijohet vështirësi artificiale, që lehtësisht mund të ishte zgjidhur pa patur nevojë për një rregullore të ashpër.

Ora 14:42
GJKKO censuroi mediat, kreu i AGSH thirrje për pezullimin e vendimit: Të nis një proces konsultimi me gazetarët! Pa një celular në sallë, nuk mund të ndiqen seancat

Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, ka ngritur shqetësimin për rregulloren e re të miratuar nga Gjykata e Posaçme, e cila parashikon kufizimin e të drejtës së gazetarëve, por edhe të kamerave, për të qenë prezentë në sallën e gjyqit.

Duke folur për Report Tv, Myzyraj tha se hartuesit e kësaj rregulloreje duhet të ishin konsultuar më parë me aktorët e interesuar, gazetarët dhe organizatat e gazetarëve.

“E para që është problematike është mënyra si është hartuar kjo rregullore. Fatkeqësisht institucionet tona janë me një mendësi shumë të vjetër, ku thjeshtë hartojnë rregullore pa u konsultuar me aktorët e interesuar. BE dhe të gjitha institucionet serioze e kanë si pikë kryesore të tyre se çdo akt që nxjerrin duhet të konsultohen me aktorët që preken nga akti i tyre. Gjykata e Posaçme duhet të ishte konsultuar me gazetarët dhe me aktorët e medias, organizatat që mbrojnë gazetarët dhe lirinë e shtypit, për këtë rregullore që është miratuar”, tha mes të tjerash Myzyraj.

Më tej Myzyraj theksoi se me rregulloren e re, gazetarëve u bëhet një kufizim i jashtëzakonshëm për të marrë pjesë në gjykatë.

Sipas Myzyrajt, në Shqipër po zhvillohen gjyqe historike dhe qytetarët kanë të drejtë të informohen për gjithçka në seancat gjyqësore.

Ai shtoi gjithashtu se duke mos-lejuar kamerat apo celularët gjatë seancave, gazetarët e kanë të pamundur të ndjekin proceset gjyqësore.

“E dyta është kufizimi i jashtëzakonshëm që i bëhet aksesit të gazetarëve në gjykatë. Duhet ta marrim në kontekstin ku ne ndodhemi në Shqipëri aktualisht. Në Gjykatën e Posaçme janë duke u mbajtur gjyqe historike për shtetin shqiptar. Gjyqe që do të përcaktojnë jetën politike në të ardhmen dhe do të tregojnë se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. Padyshim qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të informohen mbi gjithçka që ndodh në ato procese gjyqësore. Dhe sigurisht pa praninë e gazetarëve, apo me praninë e gazetarëve me mjete të kufizuara, pra pa një telefon që të raportohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, është e pamundur që të ndiqen proceset gjyqësore në Gjykatën e Posaçme”, shtoi Myzyraj.

Në përfundim Myzyraj, në emër të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, i bëri thirrje Gjykatës së Posaçme për ta pezulluar hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje në 1 shtator dhe të kalohet në një proces diskutimi të hapur me gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

“Ndaj kjo rregullore është mjaft problematike. Ne kemi kërkuar dhe përmes ekranit i bëjmë thirrje Gjykatës së Posaçme për ta pezulluar hyrjen në fuqi në datën 1 shtator të kësaj rregulloreje dhe të kalohet në një proces diskutimi të hapur me gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile”, përfundoi Myzyraj.

Ora 12:45
GJKKO censuron mediat, Federata Evropiane e Gazetarëve për Report Tv: Ndër regjimet më kufizuese! Nëse nuk tërhiqen nga rregullorja e re, ankohemi në KiE

1785927204_gazetaret.jpg

Federata Evropiane e Gazetarëve në një reagim ekskluziv për Report Tv e cilëson të papranushme rregulloren e re të GJKKO-së që censuron mediat. Federata Evropiane e Gazetarëve thotë se nëse GJKKO nuk tërhiqet, do të ankohen në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë.

Reagimi i plotë

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) është e tronditur kur mëson për synimin e gjyqësorit shqiptar për të zbatuar këto dispozita, të cilat bien ndesh me transparencën që duhet të karakterizojë administrimin e drejtësisë.

Në Evropë, kufizimet për përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjyqit zbatohen ndryshe për gazetarët sesa për publikun e gjerë: edhe në rastet kur ekzistojnë rregulla që ndalojnë përdorimin e telefonave nga publiku, gazetarëve ose reporterëve të akredituar zakonisht u jepen përjashtime të kufizuara për raportim të drejtpërdrejtë me tekst, megjithëse në disa raste shumë të rralla mund të vendosen ndalime të plota ose kufizime të rrepta për shpërndarjen e materialeve dixhitale, me qëllim mbrojtjen e integritetit të procesit gjyqësor.

Rregulli i zakonshëm është që gazetarëve të akredituar u lejohet të mbajnë dhe përdorin telefona celularë ose laptopë në sallën e gjyqit për komunikim të heshtur me tekst, mbajtje shënimesh në kohë reale dhe raportim të drejtpërdrejtë. Natyrisht, ne mund të kuptojmë disa kufizime: zakonisht, fotografimi, regjistrimi audio apo xhirimi i videove brenda sallës së gjyqit mbetet i ndaluar pothuajse kudo, me përjashtim të fillimit të seancave, kur kameramanët dhe fotografët zakonisht lejohen të hyjnë për disa minuta. Por ne nuk mund të pranojmë një ndalim të përgjithshëm që në praktikë i pengon gazetarët të kryejnë punën e tyre në interes të publikut.

Ndalimi i përgjithshëm që planifikohet në Shqipëri është pa dyshim regjimi më kufizues i këtij lloji. Dhe ne nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë e justifikon një kufizim të tillë, i cili cenon lirinë e shtypit dhe, për rrjedhojë, edhe të drejtën e publikut për t'u informuar. A kanë gjykatat në Shqipëri diçka për të fshehur?

EFJ mbështet plotësisht qëndrimin e organizatës së saj anëtare, Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AJA): ne besojmë se ky kufizim është krejtësisht i papranueshëm, joproporcional dhe i panevojshëm, pasi nuk ekzistojnë incidente objektive që ta justifikojnë atë. Ne i bashkohemi AJA-së duke i bërë thirrje GJKKO-së që të shtyjë hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje dhe të hapë një proces konsultimi me komunitetin e gazetarëve, organizatat mediatike dhe palët e tjera të interesuara.

GJKKO duhet të kuptojë se është një parim themelor i drejtësisë së hapur që procedurat gjyqësore zhvillohen, në rrethana normale, në publik dhe se media ka të drejtë të raportojë mbi këto procese në mënyrë të hapur dhe transparente. Publiku ka të drejtë të dijë se çfarë ndodh në gjykata dhe tribunale, ndërsa besimi i qytetarëve te sistemi i drejtësisë mbështetet pikërisht mbi transparencën.

Nëse GJKKO nuk e ndryshon qëndrimin e saj, EFJ do të paraqesë një ankesë zyrtare në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë, gjë që do ta detyrojë qeverinë shqiptare të japë shpjegime për këtë kufizim serioz të së drejtës për akses në informacion.

Ora 11:21
GJKKO censurë mediave, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Rregullorja e re shkel Kushtetutën dhe Konventën Evropiane

Shoqatat e Gazetarëve e kanë dënuar ashpër rregulloren e re të GJKKO-së e cila pritet të futet në fuqi më 1 shtator dhe rikthen censurën ndaj mediave duke shuar edhe ato pak hapësira lirie informimi që kishin mbetur. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e quan rregulloren e re kufizim të lirisë së mediave, duke theksuar se drejtuesi i GJKKO-së, Erion Bani po i sheh gazetarët si rrezik për procesin gjyqësor.

“Ka përcaktime kufizuese, censuruese, penguese dhe aspekte burokratike të cilat në një lloj pikëpamje nuk vlejnë për atë marrëdhënie që ka përgjithësisht media dhe gazetari me kohën”, shprehet Aleksandër Çipa.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa në një intervistë për Report Tv thekson se rregullorja e re bien ndesh me nenin 22 të Kushtetutës, që garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si edhe me nenet 6 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që mbrojnë publicitetin e proceseve gjyqësore dhe të drejtën për informim.

Shoqata ngre shqetësim edhe për detyrimin që gazetarët duhet të marrin autorizim 24 orë para seancës për të ndjekur një gjyq. Sipas saj, kjo e kthen të drejtën e medias për të qenë e pranishme në gjykatë në një ‘leje administrative’ dhe krijon kufizime për gazetarët.

“Kur bëhet fjalë për procedurën e akreditimit të mediave dhe gazetarëve kemi të bëjmë me një paradoks burokratik kërkohet një regjistrim një herë në vit çka do të thotë që ne e dimë fort mirë që në strukturat redaksionale të mediave tona ka lëvizje gazetarësh ka paqëndrueshmëri ka në të njëjtën kohë largime apo ë udhëtime të ndryshme të cilat mund ta zëvendësojnë reporterin apo gazetarin që ndjek këtë institucion në përditshmërinë e vetë. Atëherë për këto largime dhe ndryshime a do të pritet përsëri vendimi burokratik i gjykatës i kaluar në ato që quhet aulat e saj të procedimit burokratik. Këto janë pengime dhe në një lloj pikëpamje japin efektin e censurës”, thekson Aleksandër Çipa.

Ndalim absolut quan pikat e tjera të rregullores, të cilat nuk do të lejojnë që gazetarët të futen në gjyq me telefona, i vetmi mjet pune i lejuar deri më tani për komunikimin e informacionit në redaksi, apo ndalimin e kamerave brenda në gjyq. Nëse deri më tani lejohej filmimi i minutave të para të seancës, me rregulloren e re Bani ua kufizon edhe këtë hapësirë mediave.

Në mënyrë arbitrare GJKKO po u mbyll dyert mediave dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë thekson se në rregulloren e re nuk ekziston mekanizmi i ankimit, nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk mund ta kundërshtojë vendimin

Për Report Tv, Çipa thotë se rregullorja e re është hatuar pa asnjë konsultim me mediat dhe i bën thirrje kryetarit të GJKKO-së që ta rishqyrtojë atë para 1 shtatorit, kur futet në fuqi.

Deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e |Organizuar (GJKKO) ka publikuar vendimin nr 49, datë 17.07.2026 “ RREGULLORE E BRENDSHME “PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së"  dhe komentarin  PËR RREGULLOREN E BRENDSHME "PËR SIGURINË, RENDIN, SOLEMNITETIN DHE RREGULLAT E SJELLJES NË AMBIENTET E GJKKO-së". Janë dy dokumenta që përcaktojnë kritere, procedura dhe kufizime të reja për praninë e mediave dhe gazetarëve në këtë institucion.

 Komentari shoqërues  prej 532 faqesh në një kapitull të veçantë, mishëron disa kufizime që ngjallin shqetësime serioze, kur ballafaqohen me të drejtën për raportim dhe lirinë e medias. Kjo rregullore fikson procedura burokratike penguese për gazetarët, kufizime mbi numrin e gazetarëve dhe rregulla të reja për regjistrimet mediatike dhe praninë në mjediset e institucionit gjyqësor.

UGSH konstaton se Rregullorja dhe komentari në këtë rast, kanë përmbajtje tekstuale udhëzuese se si të shkelet Kushtetuta e vendit, neni 22 i së cilës garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit. Në këto dy dokumenta udhëzohet dhe urdhërohet se si gazetarët të pengohen të raportojnë dhe  të transmetojnë, por kryesisht edhe se si të jenë të kufizuar për të regjistruar faktet që ndodhin në gjykatë. Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut në nenin 6 të saj, garanton se proceset gjyqësore zhvillohen publikisht dhe neni 10 i kësaj Konvente  mbron të drejtën për informimin publik mbi funksionimin e drejtësisë.

UGSH vlerëson se këto dy dokumenta ekspozojnë bindjen e hartuesve dhe drejtuesve të këtij institucioni se media përbën një rrezik për procesin gjyqësor dhe për këtë arsye kanë krijuar një kapitull dhe pika specifike penguese e kufizuese për gazetarët, operatorët dhe mjetet profesionale të tyre në sallat e gjykimeve dhe mjediset e institucionit në fjalë.

Nga leximi i plotë i teksteve në fjalë, UGSH vëren se kërkesa për autorizim paraprak, kushtëzon praninë e mediave dhe e trajton aksesin nga një e drejtë në një leje administrative. Sipas kësaj procedure, po për seancat e papritura apo zhvillime të befta, kur media nuk mund të përmbushë afatin e përcaktuar në këtë rregullore, a nuk kemi precedentin e kufizimit pengues?!

Pika ku përcaktohet kufizimi i gazetarëve, ku mungojnë kriteret përzgjedhëse, cënon parimin e së drejtës së pranisë së secilës media dhe pluralizmit informues. Mungesa e këtyre kritereve në Rregullore dhe Komentar, i jep atribut administratës ose strukturave të sigurisë së institucionit të selektojnë praninë e gazetarëve dhe mediave, legjitimohet diskrecioni i administratës për të lejuar dhe refuzuar hyrjen.

Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut  në nenin 10 përcakton se kufizimet duhet të jenë të parashikueshme dhe të bazuara në kritere të qarta. Pika tjetër e rregullores ku përcaktohet kufizimi i fotografimit dhe regjistrimit, mbart riskun e ndalimeve absolute. Ky komentar, sipas pikëpamjes sonë, është burim kufizimesh shtesë. Njëkohësisht sipas nesh,  koncepti i prezumimit të medias si rrezik për rendin, bie ndesh  me parimin e publikimit të gjykimit.

Në këto dy dokumenta nuk ekziston mekanizmi i ankimit, nëse një gazetar apo media refuzohet, nuk ekziston një procedurë për të kundërshtuar vendimin.

Pika tjetër ku përcaktohen kriteret e akreditimit, paraqet probleme serioze për redaksitë dhe vetë reporterët e profilit që ndjekin proceset në këtë institucion. Realizimi i këtij procesi akreditimi nga Gjykata një herë në vit, është absurd dhe skualifikon nga kjo e drejtë jo vetëm shumë reporterë, por mund të ndodhë të pengojë edhe media që e kanë siguruar këtë akreditim, nëse reporteri, për një arsye apo tjetër, largohet për një periudhë nga puna dhe aktiviteti. Procedura e fiksuar akredituese nuk parashikon zëvendësime dhe akreditime pasuese.

UGSH sjell në vëmendje të hartuesve të këtyre dy dokumentave dhe titullarëve të këtij institucioni, se vendime dhe procese pararendëse në institucione të larta eruopiane të drejtësisë, kanë vlefshmëri reference për të mos rënë në shkelje dhe cënime të ligjit themelor dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Unioni i Gazetarëve Shiptarë, nisur nga parimi se media është rojtare publike e demokracisë, vëren se në këto dy dokumenta bazike për marrëdhënien e institucionit të GJKKO me mediat dhe gazetarët, përcaktohen orientime konkrete se si të administrohet media, kufizohet rëndë aksesi i saj, sidomos prej akreditimit të kufizuar, etj.

UGSH apelon pranë këtij institucioni për rishqyrtimin e këtyre dy dokumentave në kapitujt për marrëdhëniet me mediat. Ne kërkojmë një ndërhyrje redaktuese të menjëhershme.

Ndërkohë i drejtohemi Zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë si donatore dhe mbështetëse kryesore e Reformës në Drejtësi, Ambasadës Amerikanë në Tiranë, Zyrës së Përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë  dhe  institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë liritë themelore në vendin tonë, të ushtrojnë ndikimin e tyre të menjëhershëm, për të mos lejuar që rregullore dhe komentarë të tillë, të shndërrohen në modele të censurës dhe shkeljes së lirisë themelore brenda një gjykate të posaçme sikundër është GJKKO.