Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia ka komentuar për Report Tv vendimin e GJKKO-së për të gjobitur me nga 50 mijë lekë (të rinj) mbi 10 avokatë që në zbatim të bojkotit, nuk morën pjesë në gjyq, por qëndruam në vendet e rezervuara për publikun në sallë.
Haxhia thotë se avokatët janë të detyruar me ligj të zbatojnë vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë dhe paralajmëron se gjobat do të ankimohen. Ai njoftoi se të mërkurën, në orën 13:00, Këshilli i Përgjithshëm do të mblidhet për të analizuar ecurinë e bojkotit dhe për të vendosur hapat e mëtejshëm. Sipas tij, GJKKO nuk mund të zbatojë një rregullore me forcën e dënimit administrative.
“Avokatët kanë një ligj, të miratuar nga Kuvendi në bazë të Kushtetutës dhe konventave, për ushtrimin e profesionit të tyre. Në këtë ligj thuhet se organi më i lartë vendimmarrës është Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë. Vendimet e këtij këshilli janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga avokatët. Në rast të shkeljes së këtyre vendimeve, ndaj avokatëve aplikohen masa.
Alternativa është që avokatët të mos respektojnë vendimin e Këshillit të Përgjithshëm dhe të mos gjobiten nga gjykata, apo ta respektojnë atë dhe të marrin gjoba. Kjo nuk duhet të kishte ndodhur, sepse nuk është mirë për GJKKO-në të zbatojë një rregullore me forcën e dënimit administrativ. Gjobat jepen kur je në seancë, jo kur nuk shkon.
Të mërkurën, në orën 13:00, do të jetë mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, i cili do të marrë në analizë ecurinë e vendimit për bojkotin pa afat të seancave në GJKKO. Aty do të vendoset se çfarë masash do të marrim dhe si do të ecim më tej. Avokatët e gjobitur, në respekt të ligjit, do të bëjnë ankimin e tyre", thotë Maks Haxhia për Report Tv.
Lajmi kryesor:
Rregullorja/ GJKKO ndëshkon avokatët që bojkotojnë gjyqet, 10 mbrojtës gjobë me nga 50 mijë lekë (të rinj)! Haxhia: S’mund të na dënojë, të mërkurën mbledhim Këshillin









