TIRANË - Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim në X, lidhur me vendimin e GJKKO për lehtësimin e masave së sigurisë për anëtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Kryeministri theksoi edhe një herë se nuk ka asnjë qëllim të pengojë punën e drejtësisë për të cilën kërkoi të vendoset deri në fund. Rama shkoi se teksa SPAK vijon qetësisht punën e vet, tashmë me masa të lehtësuara Universiteti Bujqësor nuk damkoset dhe aleanca strategjike e tij me Universitetin BOKU të Vjenës nuk kërcënohet.

Ai theksoi se këto masa sigurie kishin pasoja traumatike për jetën personale dhe familjare të individëve të pafajshëm dhe se jeta universitare dhe reputacioni i institucioneve nuk duhet të preken.

Ai përsëriti angazhimin e qeverisë për luftën kundër korrupsionit, por gjithashtu theksoi rëndësinë e ruajtjes së standardeve demokratike të drejtësisë europiane dhe pavarësisë së prokurorëve dhe gjykatësve.

Kryeministri garantoi mbështetje për drejtësinë e re dhe shprehu besimin se ajo do të jetë e barabartë për të gjithë, në përputhje me normat e BE-së.

Sipas hetimeve të SPAK u zbulua një skemë të mirëorganizuar të manipulimit të tenderave, e cila përfshinte zyrtarë të lartë akademikë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfshirë dy zëvendësrektorët Ilir Kapaj dhe Romina Kotaj, si dhe administratorin Edmond Tërthorja.

Ata, në bashkëpunim me biznese, favorizonin firmat “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”, duke manipuluar procesin e prokurimeve publike dhe ofruar oferta fiktive për të fryrë vlerën e tenderave. Hetimet treguan se fituesit ishin vendosur paraprakisht dhe se dokumentet e tenderave ishin përgatitur në koordinim me këto biznese, pa një analizë të vërtetë të tregut.

Reagimi i plotë i Ramës në X: 

Ja pse jam i lehtësuar me lajmin e rrëzimit në Gjykatën Speciale të 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor: 

1. Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e kujtdoqoftë që mund të jetë krejt i pafajshëm, kthehet në një ferr padrejtësie me pasoja traumatike. 

2. Prokurorët dhe gjykatësit mund ta bëjnë tani pa asnjë ndryshim, deri në fund, detyrën e tyre dhe fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë, nëse kanë prekur fondet publike. Por ama jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet. 

3. Aleanca strategjike e UBT me Universitetin BOKU të Vienës, që u krijua me një përpjekje të madhe të qeverisë dhe programi ambicioz i transformimit rrënjësor, e i njehsimit të diplomave BOKU/UBT2030 nuk kërcënohet më  nga humbja e besimit të partnerëve austriakë përballë panoramës lemeritëse të 24 masave të sigurisë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë operacion në fshatin Corleone! 

Duam luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndëshkim pa mëshirë për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por po ashtu, nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të normave demokratike europiane të drejtësisë. 

Pas 100 e kusur vitesh e kemi tërhequr pushtetin politik nga fusha e drejtësisë dhe ia kemi lënë drejtësisë të na hetojë e gjykojë edhe ne, si të gjithë të tjerët, nëse shkelim ligjin. 

Shpatën e ndëshkimit ia kemi dorëzuar SPAK-ut. Peshoren e drejtësisë ia kemi besuar Gjykatës Speciale. Por fashon e pavarësisë e paanësisë prokurorët, e sidomos gjykatësit, duhet ta bëjnë pa humbur kohë pjesë të lëkurës së tyre profesionale, në respekt të prezumimit të pafajësisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të standarteve demokratike të drejtësisë europiane. 

Prandaj, shpatën ta mbajnë lart, e kanë gjithë mbështetjen tonë. Peshorja është e tyrja, nuk ndërhyjmë në brendinë e çështjeve. Por sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht. 

Drejtësia e re e Shqipërisë 2030 në BE duhet të jetë si kjo statujë e Zonjës së Drejtësisë. Për të gjithë. Gjithnjë.