Tirane- Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesat e Jamarbër Malltezit, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, për kthimin e sendeve të sekuestruara në kuadër të hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Përmes avokatëve, Jamarbër Malltezi kishte kërkuar kthimin e telefonit dhe kompjuterave si dhe disa materialeve të tjera shkresore, të sekuetruara me urdhër të SPAK.
Pasi shqyrtoi kërkesën, Gjyqtarja Irena Gjoka la në fuqi masën e sekuestros me argumentin se objektet që kërkon Malltezi janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale për arësye të hetimit.
Prej 20 tetorit 2023 kur u arrestua në Rinas. Jamarbër Malltezi po mbahet në paraburgim për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave në dosjen e ish-kompleksit “Partizani”.
Ndërkohë në Apelin e GJKKO Malltezi ka ankimuar masën e sigurisë si dhe kundërshton sekuestron mbi pasuritë e tij.
Më 20 tetor gjykata vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme të Malltezit, 6 llogari bankare me vlerë 250 mijë euro dhe kuotat e Jamarbër Malltezit në shoqëritë “Homeplan”, “Magnet IMO” dhe “Magnet Gym&Fit.
Komente

