Gjon Rrota, Artisti i imazhit
dhe mbledhësi i folklorit

Gjon Rrota, Artisti i imazhit<br />dhe mbledhësi i folklorit
Gjatë vizitave të mia në Shkodër ku takoj shumë miq, të njohur, bashkëqytetarë apo ish-kolegë, rastësia më solli të rrija me një zotëri shkodran i cili i përket njërës nga familjet më të vjetra dhe më të dëgjuara të qytetit. Zotëria (Henrik D.) i cili kishte lexuar shkrimin tim për patriotin Kolë Rrota, më pyeti nëse unë kisha dijeni për vëllain e katër të familjes Rrota, Gjonin. Të them të drejtën kisha lexuar dhe dëgjuar shumë për shkrimtarin e gjuhetarin At Justin Rrota, piktorin e popullit Simon Rrota, diplomatin Kolë Rrota (për të cilin kisha bërë edhe një shkrim bazuar në dokumentat që kisha gjetur në Vjenë), por për Gjonin (vëllain e katërt) nuk kisha dijeni. I njohuri im, Henriku, më tregoi historinë e Gjon Rrotës, e cila ishte shumë mbreslënëse dhe vendosa të marr kontakt me familjen për t’u informuar më shumë që të bëja këtë shkrim, me qëllim, që ta bëj të njohur këtë figurë të gjithanëshme dhe patriotike për të gjithë lexuesit shqiptar.
    
Ka shumë botime për vëllezërit Justin, Simon dhe së fundi edhe për Kolë Rrotën, të cilët kanë pasur një veprimtari të gjerë patriotike, artistike apo dhe diplomatike. Për vëllanë e tyre Gjonin është shkruar shumë pak ose kalimthi në ndonjë gazetë.
Gjoni u lind në vitin 1893 në familjen e mirënjohur qytetare të Gjush Rrotës. I ati që ishte babai i gjashtë fëmijëve, për të mbajtur familjen ushtronte në ambientet e shtëpisë së tij zanatin e libërlidhësit. Punishtja e shtëpia e Gjush Rrotës ishin si vend takimi për intelektualët, patriotët apo rininë shkodrane, të cilët përveç bisedave patriotike apo politike, huazonin  nga Gjushi libra për të lexuar. Edhe fëmijët e familjes u rritën në këtë ambient ku dashuria për librin, artin, arsimin ishte gjithmonë prezent. Siç tregojnë pjestarët e familjes, Gjushi ja kalonte fëmijve çdo libër që punonte e po ashtu kishte krijuar dhe një bibliotekë të pasur që “ushqente” me dije të rinjtë e qytetit. Si vëllezërit e tjerë, Gjoni hyri në Kolegjin Jezuit të Shën Francesk Saverit e më pas në gjimnazin françeskan të Shkodrës. Pas mbarimit të shkollës ai ndihmonte babain e tij në mbarëvajtjen e aktivitetit e po ashtu filloi të mësojë pikturën dhe fotografinë nga i vëllai i tij Simoni, i cili sapo ishte kthyer nga Milano ku kishte qenë për studime.

Gjoni fliste shumë mirë italishten dhe gjermanishten. Me kërkesën e diplomatëve austriakë që gjindeshin asokohe në Shqipëri, ai filloi të aktivizohej si përkthyes i tyre, së bashku me të vëllain Simonin. Më vonë për nevojat e punës, si përkthyes,  ai u detyrua të ndiqte disa punëdhënës austriakë, të cilët po ndërtonin rrugë në jug të Shqipërisë. Kjo i shërbeu Gjonit të njohë viset e Shqipërisë së jugut, ku më pas vendosi të jetojë e të punojë si mësues, duke zgjedhur shkollën shqipe të Lushnjës për të dhënë ndihmesen e tij në fushën e arsimit. Pas Gjonit, erdhi për të punuar në shkollën shqipe të Lushnjës edhe i vëllai, piktori Simon Rrota.

Duke parë nevojën për mësues në shkollën shqipe të qytetit të Fierit, Gjoni së bashku me Simonin vendosin të transferohen atje për të ndihmuar në zhvillimin e shkollës  e cila ndodhej në ambientet që kishte ofruar me dashamirësi familja e mirënjohur Kilica. Kështu për rreth 9 vite, Gjoni dhe Simoni ishin mësues, së pari në Lushnjë e më pas në qytetin e Fierit ku Gjoni njihet me Athinanë, vajzën e familjes Kilica, e cila do të bëhet më pas bashkëshortja e tij. Gjoni u martua me Athinanë në moshën 27 vjeçare e nga kjo martesë erdhi në jetë një djalë, Gjergji. (1923).

Shkolla fillore shqipe e Fierit, frekuentohej kryesisht nga djemtë, por me kërkesën këmbëngulëse të mësuesve (Gjonit e Simonit), të cilët kishin krijuar kontakte miqësore me familjet qytetare të Fierit, filluan të vijnë vajzat e para. Me rritjen e numrit të nxënësve e sidomos të vajzave, lindi nevoja për mësues të rinj. Për të bërë me atraktive ardhjen e vajzave në shkollë, Gjoni solli nga Shkodra motrën e tij Lizen (Rrota) Zojzi e cila i mësonte fëmijëve pervec lëndëve të tjera edhe punën e dorës.

Sipas kujtimeve të bashkëmoshatarëve, familjarëve si dhe të atyre që e njohën Gjonin, ai kishte aftësi të veçanta drejtuese dhe organizuese në aspektin e punës, atë shoqëror apo të kohës së lirë. Shpesh ai organizonte me fëmijët e shkollës, miqtë e kolegët, eskursione apo shëtitje për të njohur historinë e natyrën e bukur të vendit tonë. Vendet e mrekullueshme historike që ndodhen në zonën e Fierit ishin objekti i tregimeve plot pasion të Gjonit për nxënësit që e nderonin dhe e respektonin shumë.
Gjoni ishte i njohës i apasionuar i muzikës botërore. Ai luante me shumë pasion e mjeshtri në kitarë, mandolinë dhe violinë. Në festat kombëtare dhe ngjarjet e shkollës ai këndonte me zërin e tij të bukur këngë patriotike, të cilat mundohej tua mësonte edhe nxënësve.
 
Edhe pse ai ishte një mësues dhe edukator i apasionuar dhe i përgatitur, kishte dëshirë të madhe të ushtronte prirjen e tij për fotografinë. Duke mos i rezistuar kësaj dëshire ai shpërngulet në qytetin bregdetar të Vlorës ku hap aktivitetin e tij dhe fillon të punojë si fotograf. Dyqani i Gjonit ishte në qendër të qytetit në një godinë ku ndodhej edhe banesa e tij.  Vëllai i tij Simoni, me kërkesën e prindërve të moshuar kthehet në qytetin e Shkodrës, për tu kujdesur për familjen.

Gjoni ishte mjeshtër i peisazheve, ai diti të shfrytëzojë bukuritë e gjiut të Vlorës për të realizuar fotografi, të cilat kanë mbetur në fondin e artë. Njëkohësisht ai fiksonte në film edhe ngjarjet madhore patriotike, të cilat pasuan në këtë qytet historik. Nuk dua të zgjatem me aktivitetin e tij si fotograf mbasi është trajtuar në një shkrim të zotit Q. Vrioni, i cili ka përshkruar me dashamirësi aktivitetin e dy fotografëve shkodranë Gjon Rrota e Kolë Maca, që të dy fotografë të talentuar.
Vdekja e rrëmbeu Gjonin shumë të ri, në moshën 38 vjeçare (1931) në kulmin e  aktivitetit e krijimtarisë së tij duke lënë gruan, dhe djalin në moshë 8 vjeçare. Më vonë i biri Gjergji, vazhdoi zanatin e të atit si fotograf duke krijuar në Tiranë fotostudion shumë të njohur “Skënderbeu”.
 

Gjon Rrota
Fletoret ku fshihen krijime folklorike
 
Fletorja përmban vjersha apo tekste këngësh epike për atdheun, pavarsinë, trimërinë, Shkodrën e tij të dashur, burrërinë e traditat fisnike të shqiptari
Gjatë kontakteve me Familjen Rrota u njoha me objekte shumë interesante që i përkisnin Gjonit. Një kuti duhani prej metali mbi të cilën ishin gdhendur emrat e bashkëpunëtorve austriakë me të cilët ai kishte punuar e që në shenjë respekti ia kishin dhuruar atij si kujtim. Por objekti më interesant dhe i rëndësishëm ishte një fletore e vjetër mbi kapakun e së cilës shkruhej “Valle shqype, Gjon Rrota 1913”.

Fletorja ishte ruajtur me kujdes nga Tonin Rrota (nipi i Gjonit), i biri i Simon Rrotës, i cili ia kishte kaluar këtë pasuri më vonë Gjon Rrotës Junior, me të cilin vendosa kontakt dhe mora këto informacione. Në një familje artistësh e patriotësh si ajo Rrota, ku ishin lindur dhe rritur kolosë të shkrimit shqip si At Justin Rrota, apo virtuozi i  penelit dhe i ngjyrave  mjeshtri Simon Rrota, pasonte me shpërthime ndjenjash poetike, atdhedashurie e patriotizmi dhe talenti i Gjon Rrotës. Fletorja përmban vjersha apo tekste këngësh epike për atdheun, pavarsinë, trimërinë, Shkodrën e tij të dashur, burrërinë e traditat fisnike të shqiptarit, të mbledhura me kujdes e përkushtim nga vise të ndryshme të vendit.

Vjershat apo tekstet janë të shkruara me shkrim dore nga Mjeshtri Gjon Rrota, me një bukurshkrim krejt të vecantë  që të bën të emocionohesh, nga ku dallohet pasioni dhe e perkushtimi i tij  për folklorin e  atdheun e tij. Janë për tu përmendur këngët: Shqypniis, Tingllim, Kanga e Gjin Lekës, Nana Trimnesh, Kang e Malit Zii, Kanga e Shkodrës, Djelmnia e Sotshme...” të cilat për nga forca qe shprehin janë shperthime ndjenjash, dalë nga shpirti e zemra  e popullit të thjeshtë.
 
 
Shqypniis.
 
Gjith bota le t´a dii
Qi t´due tyy, Shqypnii!
Per tye due keq me hiekë.
Per tyy due me dekë
 
N´Europë ti hile jee,
Por lavd´e nder nuk kee,
Pse t´kan shkelun t´huejt,
Mrapa nuk t´biin t´uejt.
 
Por tesh kee me lulzuu
Pse kan fillue biit t´uu
Syyt e vet me i cilë
Me t´dashtun kan xanë fillë
 
Vorf Dukagjini
 
 
            Tingllim
 
            O Shypnii ti per gjithmonë
            Jee e permendun tuj luftue
            Si kurë heret, ashtu vonë
            Emni i j´yt s´kaa m´u harrue.
           
                        Porsi Shqypja n´mjedis t´ers
                        Hovin kush s´ mujt me t´a nalë
                        As t´ftoftit dimnit as t´xetit vers,
                        As t´perpiekunit n´lufte me dalë
           
            Cou moj shqype mos ri fjetun
            Se gjithmone e lir kee mbetun,
 
          Ndiim pre t´motshmish, qi Shqypnii
         Kan dal burra t´gjakut t´onë
         Me nji bese me´i trimnii
        Kshtu nji fis kaa kenë gjithmonë
 
            Cou moj Shqype edhe nji herë
            Mos t´hin friga prej ksaj eerë.
 
                        Ca te jeet praa zog Shqyptarit
                        Gjaku n´dej praa dot ´i vlojnë
                        Porsi t´motshmit maje malit
                        Kan luftue per shoqi – shojnë...
 
 
Kanga e Gjin Lekës
 
.....Ndalu turk! Nuk lidhet Gjini
Me u lshu Reka e Dukagjini
Jam Mirditas nuk dii ndore
Kam pasë t´parin shpat mizore
Amanet ai ma ka lanë
Armët e mushna mos me i dhanë.
Me m´qillue per nget martina
Bindet Shkodra e Cetina,
Por thuej Pashes e Allajbegut
S´lidhen djemte e Skenderbegut....
Kerset pushka Saraji dridhet:
Njaj Gjin Leka nuk po lidhet,
Tane Taborret u cuen m´kamë
Priti Gjini plumet m´dhambë.
Tane fyshekt sii ka marue
Atëherë Gjini por a rrxue....
            Popullore.
 
 
Nana Trimnesh.
 
Neper gryka t´nji malit t´neelt
Fluturim jan lshue do burra
Vrep si shgjeta e t´shpejtë si ret,
Gjith xanë vend piin uij nder gurra
Tuj kuvett nisen e shkoin
Bes kan lidh me shoqi – shojn.
 
Dielm maa trima s´kaa malcija,
Dielm maa t´shndosht e maa asgana,
As me i nale s´mundet urija,
T´gjith janë Dielm porsi luana,
Ltinat n´krah taganat njesh
Tuj kuvett shkoin e tuj qesh.
 
Tek janë ule nder Shtoj kann raa
Prep xanë vend rrin me pushue
Vendi afrit, koha ardh kaa
Besen n´besë mirë me e bashkue,
besen apin jo me rrena,
t´gjith mi hii gjytetit mrenda.
Dhet vet janë, nji asht maa i rii
Se t´gjith tjert, qi janë maa t´vjeter,
Asht baa bashk me at shoqnii
Per mas ti s´kaa nana tjeter,
Tuj u nisë nanen kaa pvet
A me shkue me shokt e vet.
 
Nisu, birë, i kish thanë nana,
Ku burrnija tyy asht tuj t´lypë
Lidh mirë besen me ato luana
N´gjytet t´Shkoders n´don me zdrypë,
Por pashë gjit qi un t´kam dhanë
Marre kqyr mos me m´lanë.
 
Me t´math durim, e me gaz n´ftyrë,
E perciill e me shokë e ban,
Djalin e vet s´largut kqyrë
T´bamun burr e mii tiert asgan
Tuj e kqyre pik lodjet s´derdhë.
N´shpi këthen paa kuqë paa zverdhë.
 
Besen besë e kan lidhë burrat
Të gjith bashk m´u shty n´kala.
Mshiin taganat e letinat.
Me gjak token donë me e la
Donë m´u ndesh me tevabii
Me u perpjek me Vezir t´rii.
 
Biin prej Shtoijt neper Shkoder
Kalojn bris kerkund nuk nalen,
Kan fillue m´u njit n´at koder
Ku me famë don lanë Shalen.
Pse kta dielm t´ gjith janë Shalujanë,
Famë e nderë kqyrin me lanë.
 
 
Solla një shijim të shkurtër të disa fragmenteve  nga fletorja me shumë këngë të mbledhura e Gjon Rrotës që mban datën e vitit 1913. Këngët duket se janë mbledhur ndër vite dhe i përkasin zonave të ndryshme të vendit, por sidomos malsisë të Shkodrës. Kjo vepër modeste e këtij patrioti, i cili u mundua sadopak ti shërbejë traditës e kulturës së popullit të vet, është për tu lavdëruar dhe përshëndetur. Të vjen keq kur mendon se pinjojtë e familjeve si ajo  Rrota, sot enden rrugëve të botës në emigracion, ndërsa vendi ka nevojë dhe vuan mungesën e intelektualeve të formuar e me traditë atdhetarie. Vepra dhe vlerat kombëtare e patriotike të familjes Rrota në dobi të çështjes kombëtare janë një pasuri që nuk duhet injoruar. E them këtë mbasi nuk kam parë apo dëgjuar që të jetë vlerësuar sa duhet vepra e At Justin Rrotës apo puna diplomatike e shoqërore e pakrahasueshme në dobi të kombit nga Dr. Kolë Rrota.

Shpresoj që ky shkrim të sensibilizojë sadopak pushtetin qëndror  apo atë lokal për të vënë në vend figura të tilla të shqiptarizmës që të nderojnë. Shëmbulli i vëllezërve Kolë, Justin, Simon e Gjon Rrota, të cilët me aktivitetin dhe punën e tyre kërkuese, me veprat që lanë në shërbim të kombit, duhet nderuar dhe pasqyruar sa më shumë në të mirë të edukimit të  brezave që vijnë.
 
Ëien,me 13 nandor 2013

Shkrimi u publikua sot (17.11.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Revoltë në burgun italian, të dënuar të armatosur plagosin dy policë

Revoltë në burgun italian, të dënuar të armatosur plagosin dy policë