Zoti Gjoni, gazeta Shqiptarja.com ka botuar një serial shkrimesh që hedhin dritë mbi eksportin e armatimeve nga një kompani pronarët e së cilës janë ortakë me bashkëshorten e kreut të SHIU-t. A jeni njohur me këto të dhëna dhe çfarë përshtypje keni krijuar?
Pa dyshim që jam njohur. Gazeta juaj në fakt po bën transparencën për publikun dhe taksapaguesit shqiptar për atë çka ndodh në Ministrinë e Mbrojtjes dhe me paratë publike, detyrim ky që duhet, në bazë të ligjeve në fuqi, ta bënte vete Ministria, por që fatkeqësisht kjo gjë, qysh me ardhjen e Sali Berishës në pushetet ka humbur si koncept e praktikë pune. Rasti më tipik është dhe rasti i Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe i asaj të Brendshme, që nën petkun e gjoja sekretit shtetëror, mundohen të mbulojnë abuzimet dhe korrupsionin që e ka pllakosur këtë Ministri e që ka si pikë kulmore rastin e Gërdecit ku u përfshinë Familja dhe majat më të larta të kësaj qeverie.

A kemi të bëjmë me një konflikt interesi në rastin Zyla të investiguar nga Shqiptarja.com?
Në rastin konkret, nga dokumentat e bëra publike prej gazetës tuaj, duket se ka një konflikt të pastër interesi, që gjithsesi duhet hetuar edhe më thellë. Ne kemi të dhëna që duhen verifikuar menjëherë. Përshembull kemi të dhëna për eksportin e kryer nga po e njëjta kompani( Unimesko) të një sasie prej 759 ton lëndë eksplozive TNT të cilësisë së parë që Ministria e Mbrojtjes ja ka shitur kompanisë me një vlerë prej 350 usd për ton, në një kohë kur kompania Meico e Ministrisë, cilësinë e dytë të TNT e shet me 450 usd për ton. Pra vetëm nga kjo krijohen dyshime të bazuara se ka një konflikt të qartë interesi.

Procedurat shitjes së armatimit të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes shpesh janë bërë dhe objekt i skandaleve ndërkombëtare, siç ishte rasti i dosjes së fishekëve të botuar nga Neë York Times. Mendoni se procedurat e ndjekura nga kjo ministri kanë nevojë për më shumë kontroll dhe transparencë?
Rasti i denoncuar prej “Neë York Times”, dhe sidomos reagimi i qeverisë dhe posaçërisht i kryeministrit ndaj këtij denoncimi, duke e konsideruar atë si një “letër higjenike” është shembulli më tipik i arrogancës së këtij pushteti. Imagjinoni kur ai merr kurajon ti drejtohet kësaj gazete para së cilës përulen me respekt kokat më të mëdha të globit, se çfarë sigurie dhe vetëbesimi ka kjo klikë në atë çka bën. Në një prej artikujve të asaj kohe kjo gazetë citonte një sekser armësh të thoshte se “bisha ka dalë jashtë kontrollit”. Përveç fugurës letrare të gjetur, fakti është se kjo histori vazhdon. Për ne shqiptarët nuk është habi pasi ky kryeministër është personi që ka iniciuar për herë të parë tregtinë ilegale të armëve përmes thyerjes së embargos së OKB ndaj regjimit të Miliosheviçit gjë të cilën e ka pohuar vetë në disa raste si në deklarimet e tija në median e shkruar e vizive ndërkombëtare, ndonëse, si demagog që është, mundohet ta fshehë pas patriotizmit. Nisur nga faktet e sipërcituara dhe mjaft të tjera të bëra publike gjatë këtyre viteve, është e qartë që kontrolli ndaj procedurave të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes jo vetëm për shitjen e armatimeve, por dhe tërë procesin e demontimit dhe shitjes së skrapit apo metaleve me ngjyrë që përftohen nga demontimi duhet të jenë transparente dhe ti bëhen të ditura publikut pasi janë mall publik dhe nuk përbëjnë asnjë sekret shtetëror.

Rasti i konfliktit të interesit të kreut të SHIU-t do jetë një çështje që do shqyrtohet dhe në Komisionin Parlamentar të Sigurisë?
Ju falenderoj për këtë pyetje pasi më jepni mundësinë për tju sqaruar ju si gazetë dhe përmes jush opinionin publik për faktin skandaloz se Ministria e Mbrojtjes refuzon të njohë autoritetin e Kuvendit dhe të Komisionit të Sigurisë i cili në Maj te ketij viti ka marrë vendim unanim, pozitë-opozitë, për të kryer një mbikqyrje të veprimtarisë së kësaj Ministrie në zbatim të ligjeve në fuqi.Për këtë, kolegu im Pirro Lutaj ka bërë një deklaratë për shtyp dje ku denoncohet ky fakt. Edhe një herë ja ku ndodhemi para një shembulli flagrant të arrogancës së qeverisë dhe shpërfilljes së saj për pushtetin legjislativ( të cilin e shohin si shtojcë të ekzekutivit) dhe nëpërkëmbjes së Kushtetutës. Qartazi, një tentativë për të fshehur, të palarat e kësaj ministrie, kësaj rradhe pa asnjë argument. Kuptohet që kjo histori nuk mbaron me kaq. Ne si opozitë do të vazhdojmë përpjekjet tona për të realizuar e përmbushur detyrat tona funksionale dhe do të denoncojmë të gjitha aferat korruptive të kësaj Ministrie.

(hh/im/shqiptarja.com)