Gjosha dhe Ahmetaj, takim me gazetarët e BE-së për sfidat e integrimit dhe reformat

/ATSH-Gjergji Mima/ -Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, pritën sot në ambientet e Ministrisë së Integrimit Evropian, 15 gazetarë të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët po zhvillojnë një vizitë dy ditore në Shqipëri.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, dy ministrat i informuan ata në lidhje me sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, reformat që po ndërmerren nga qeveria për të zhvilluar vendin në funksion të procesit të integrimit si dhe projektet e përbashkëta me Bashkimin Evropian.
Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha theksoi se ndihma e partnerëve evropianë ka dhe do të ketë një peshë të jashtëzakonshme për procesin e integrimit të Shqipërisë. Ministrja Gjosha u shpreh se mbështetja gjatë këtyre dy dekadave ka qenë tepër e madhe, qoftë sa i përket fondeve që janë dhënë për tu përdorur në sektorë dhe fusha të veçanta për zhvillimin e vendit, por edhe në nivel ekspertësh.
"Besoj se siç e tregoi dhe marrja e statusit të vendit kandidat në 24 qershor Shqipëria është në rrugë të mbarë, por jemi të vetëdijshëm që kemi shumë punë për të bërë. Me marrjen e statusit të vendit kandidat në mbyllëm një kapitull për të hapur një tjetër edhe më të rëndësishëm. Sfida jonë e radhës është hapja e negociatave e cila kushtëzohet nga përmbushja e 5 prioriteteve që na janë lënë nga Komisioni Evropian", tha Ministrja Gjosha.
Si koordinatore e procesit të integrimit, ministrja theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të parë vendin sa më shpejt pjesë të familjes së madhe evropiane është i palëkundur.
"Shqiptarët janë një prej popujve më pro europianë. Rreth 86% e tyre janë pro antarësimit të vendit në BE. Ky besim dhe optimizëm na bën që te kemi në fokus informimin e tyre për çdo hap që hedh vendi në këtë proces", tha Ministrja.
Duke u ndalur në mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, ministrja Gjosha theksoi se aktualisht Shqipëria përfiton nga Instrumenti i Ndihmës së Paraaderimit dhe shuma totale e siguruar nga BE për Shqipërinë që nga viti 1991 shkon më shumë se 1.4 miliardë Euro, duke e bërë atë kontribuesin më të madh të vendit.
Ministrja bëri me dije, se në shkurt të këtij viti është firmosur Marrëveshja e Financimit prej 64 milionë Euro mes Shqipërisë dhe BE-së në mbështetje të reformave kyçe në Shqipëri.
"Financimi me qasjen e re sektoriale do të shkojë për 6 fusha të rëndësishme: në drejtësi dhe çështje të brendshme, në reformën e administrates publike, transport, në mjedis dhe ndryshim klimaterik, punësim dhe përfshirje sociale dhe në bujqësi dhe zhvillim rural", tha Ministrja.
Ministri Ahmetaj, foli për reformat që qeveria ka bërë deri më tani, ato që janë në proces, për shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe zhvillimet në kuadrin makro ekonomik. Ministri iu referua situatës ekonomike në Shqipëri kur qeveria Rama mori detyrën në shtator të vitit të kaluar.
"Ne pamë që deficiti ishte përtej 7% të GDP ndërkohë që zyrtarisht, ai ishte deklaruar rreth 4.5%, dhe borxhi publik shkonte përtej 72% e GDP për shkak të shumës së madhe të detyrimeve të prapambetura ndaj sektorit privat nga kontratat, të drejtat statutore dhe nga vonesat në pagesa për shërbime të ndryshme. Borxhi i padeklaruar që ne gjetëm shkonte në shumën e 720 milionë dollarëve, gjë që bëri që borxhi publik të rritej në 72% nga 67% e GDP menjëherë brenda një muaji", tha Ministri Ahmetaj.
Ministri foli për marrëveshjen me FMN-në dhe BB-në e cila lejon ne që në tre vite vendi të ketë një trajektore të reduktimit të borxhit.
Duke u ndalur tek viti që vjen, Ministri Ahmetaj, bëri me dije se 200 milionë dollarë do të shkojnë për tre çështje të rëndësishme si: garantimi i importeve, garantimi i borxhit të akumuluar të kompanive drejt bankave dhe ristrukturimi.
Ministri foli për reformën në sistemin energjetik, atë makro-ekonomike dhe balancimin e taksave që do të realizohen vitin që vjen. Reforma tjetër për të cilën u informuan gazetarët është reforma në administratën tatimore, që synon rritjen e eficencës së mbledhjen e të ardhurave.
Ministri përmendi edhe reformën e pensioneve e cila pritet të injektojë shëndetshmëri në sistem në konsolidimin e 20-30 viteve të ardhshme.
"Dua të përmend edhe reformat e lidhura me tregun. Edhe kjo reformë është një sfidë. Ne po ndërtojmë Inspektoratin e Mbikëqyrjes së Tregut i cili do të kontrollojë dhe monitorojë kriteret e lidhura me sasinë, cilësinë dhe kriteret teknike, e cila është dhe një nga hapat e rëndësishëm në kuadër të kriterit ekonomik në progres raport", tha Ministri Ahmetaj

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Do bashkojnë votat për atentat kushtetues’, paralajmëron Basha: Rama dhe Berisha pakt për të mbyllur listat