Gjuetia e EULEX pas "krimeve"
të ish-komandantëve të UÇK-së

Gjuetia e EULEX pas "krimeve"<br />të ish-komandantëve të UÇK-së
PRISHTINË - Para pak ditësh, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi kishte kontaktuar me miqtë e tij në Prishtinë dhe i kishte pyetur për rrezikun e arrestimit të tij nga EULEX-I, nëse kthehet në vendlindje.

Në këtë formë, ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-shefi i TMK-së, i cili ka kaluar qindra herë kufirin me Shqipërinë edhe në kohë lufte, pesëmbëdhjetë vite më pas po ndihet i rrezikuar të vizitojë Kosovën.

Megjithëkëtë, ai ka ardhur në Kosovë dhe nuk është arrestuar. Por, ndaj tij, tashmë janë duke u zhvilluar hetime nën dyshimin për krime lufte.

"Për këtë çështje nuk mund të komentojmë", është përgjigja e vetme e EULEX-it, teksa pyeten se deri ku kanë shkuar hetimet për njërin prej ish-udhëheqësve të UÇK-së, shkruan Express.

Rasti i Sylemjan Selimit është vetëm njëri prej më shumë se njëqind hetimeve tjera, që janë duke u zhvilluar për krime lufte.

EULEX konfirmon se Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë është duke i hetuar edhe 101 (njëqind e një) raste të krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës.

"Prokurorët e EULEX-it momentalisht janë duke hetuar 101 raste të krimeve të luftës, përfshirë hetimet që janë në fazën preliminare. Deri më tani, nga kolegjet gjyqësore, ku gjykatësit e EULEX-it janë kryesues dhe pjesëmarrës, janë shpallur 27 akt-gjykime në raste të krimeve të luftës", thuhet në përgjigjen e EULEX-it dhënë Gazetës Express, të mërkurën.

Sidoqoftë, një ish-komandant tjetër i UÇK-së po ballafaqohet me drejtësinë që prej dhjetë vitesh nën akuza për krime lufte.

Fatmir Limajt i ishte ngritur akt-akuza për krime lufte në shkurt të vitit 2003, ndërsa ishte shpallur i pafajshëm në nëntor të vitit 2005. Atij përsëri i është riaktualizuar e njëjta akuzë dhe tani po përballet përsëri me rigjykim nën akuzën për krime gjatë kohës së luftës.

Pas arrestimit të fundi të Limajt, kryeministri dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi ka lëshuar akuza në drejtim të EULEX-it, por prej atëherë nuk ka folur më për këtë temë.

“Kjo nuk është drejtësi, ky është turp. Kjo është fyerje, që na bëhet në këto ditë feste”, kishte akuzuar Thaçi misionin e BE-së.

Tani në qeveri dhe në PDK nuk dëshirojnë të flasin për këtë temë.

“Qëndrimi i PDK-së ka qenë gjithmonë i ditur për këto procese. Vlerësimet që janë dhënë më parë s'kam nevojë t'i përsëris", thotë Musmurati, i cili mban pozitën e zv/ministrit në kabinetin qeveritar.

Megjithëkëtë, organizatat që mbrojnë veteranët dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së deklarojnë se qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për t'i mbrojtur njerëzit, që e kanë bërë luftën.

"As Qeveria, as Kuvendi dhe as Presidenca, por s'kanë bërë asgjë për të ndalur persekutimet ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", ka thënë Muharrem Xhemajli i Veteranëve të UÇK-së.

Përkundrejt krimeve të luftës, EULEX-i i ka dhënë më pak prioritet luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.

Tri herë më pak se për krimet e luftës, EULEX po heton për krim të organizuar, ndërsa po heton vetëm 42 raste për korrupsion.

"Prokurorët e EULEX-it janë duke hetuar 36 raste të krimit të organizuar dhe 42 raste të korrupsionit. Deri tani janë shpallur 37 akt-gjykime në raste të korrupsionit dhe 20 akt-gjykime në raste të krimit të organizuar", njofton EULEX-i.

Në këtë situatë, Muharrem Xhemajli i veteranëve thotë se Misioni i BE-së do t'i ndihmonte më shumë Kosovës sikur të zbardhte krimin, korrupsionin dhe vrasjet politike të pasluftës e jo të "merren me luftën e pastër të UÇK-së".

"Edhe për të mirën e popullit të Kosovës do të ishte sikur EULEX-i të punonte në hetimin e dukurive të pasluftës si korrupsioni, krimi i organizuar, vrasjet politike dhe jo të merren me luftën e drejtë të UÇK-së", propozon Xhemajli.

Ai ka propozuar të miratohen ligje, me të cilat përcaktohet fati i njerëzve, që kanë qenë pjesë e luftës.

"Institucioneve të Kosovës, pavarësisht se kush është në krye, u është dashur të nxjerrin ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës", ka shtuar ai.

"As shumë, as pak, këta pushtetarë s'kanë bërë asgjë për ish-luftëtarët", ka thënë Xhemajli. (ORA info)

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)












  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm