Muzika në gjuhën angleze po humbet dominimin e saj në klasifikimet muzikore, sipas të dhënave të reja nga gjigandi i transmetimit muzikor Spotify.

Kompania thotë se këngë në 16 gjuhë të ndryshme, përfshirë spanjishten, gjuhën koreane, portugalishten, turqishten, indonezishten dhe arabishten, u shfaqën në listën Global Top 50 vitin e kaluar. Kjo është më shumë se dyfishi i shifrës së vitit 2020.

Bad Bunny, i cili këndon vetëm në spanjisht, ishte artisti më i dëgjuar në botë. Ndërkohë fituesja e Brit Awards, Rosalía, këndon në 14 dialekte në albumin e saj të fundit, ‘Lux’.

Spotify tha se ‘Brazilian Funk’ ishte zhanri me rritjen më të shpejtë në botë, me audiencën që u rrit me 36%. ‘K-pop’ pati një rritje prej 31%, ndërsa ‘Trap Latino’ u rrit me 29%.

Të gjitha këto zhanre gjeneruan më shumë se 100 milionë dollarë nga Spotify vitin e kaluar, sipas kompanisë.

Megjithatë, anglishtja ende dominon klasifikimet: 14 nga 20 albumet më të shitura të vitit të kaluar janë kënduar ekskluzivisht në këtë gjuhë, sipas organizatës së industrisë muzikore Federata Ndërkombëtare e Industrisë Fonografike.

Megjithatë, grupe koreano-jugore si Stray Kids, Enhypen dhe Seventeen u përfshinë gjithashtu në listë, ashtu si edhe grupi japonez rock Mrs. Green Apple, ndërsa fansat po eksplorojnë gjithnjë e më shumë muzikë jashtë paradigmave tipike të ‘rock’-ut dhe ‘pop’-it.

Bad Bunny

Javën e kaluar, lista e këngëve më të dëgjuara në Spotify përfshinte këngë nga Bad Bunny dhe Rauw Alejandro (Porto Riko), Nadhif Basalamah (Indonezi), Tyla (Afrika e Jugut), Tems (Nigeri), Ryan Castro (Kolumbi), si dhe artistët meksikanë El Bogueto, Peso Pluma, Neton Vega dhe Fuerza Regida. Nga Koreja e Jugut u përfshinë gjithashtu Blackpink, Jung Kook dhe Jin.

Vlen të theksohet se dy këngë, ‘APT.’ dhe ‘Golden’ janë kryesisht në anglisht, me vetëm disa fraza në gjuhën koreane.

Gjiganti i transmetimit tha se kishte paguar 11 miliardë dollarë për industrinë muzikore vitin e kaluar, krahasuar me 10 miliardë dollarë në vitin 2024. Sipas kompanisë, kjo e bën atë shpërndarësin që paguan më shumë në botë.

Megjithatë, kompania suedeze theksoi se pagesat nuk përfitojnë vetëm 1% e artistëve më të mëdhenj, duke shtuar se “rreth gjysma e honorareve janë gjeneruar nga artistë dhe kompani të pavarura”.

Sipas saj, më shumë se 13,800 artistë fituan mbi 100,000 dollarë nga Spotify gjatë vitit të kaluar.