“Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi”, nuk është thjesht një shprehje popullore, por ky organ është një pasqyrë që tregon shumë për shëndetin e organizmit tonë. Shumë probleme që mund të lidhen me stomakun, mëlçinë, ankthin apo edhe zemrën reflektohen tek gjuha. Nutricionisti holistik Altin Joka, i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, ka shpjeguar në detaje sesi ngjyra dhe pamja e gjuhës lidhet më një sërë problemesh që ne mund të kemi në organizmin tonë.

“Gjuha është një nga muskujt më të fortë të trupit tonë. Ajo është një pasqyrë e sistemit tonë tretës, mëlçisë dhe ekuilibrave hormonalë. Ajo tregon një pjesë të dinamikës së trupit tonë, është një organ multifunksional”, u shpreh Joka.

Nutricionisti shpjegoi edhe sesi gjuha analizohet në mjekësinë kineze, duke u lidhur me organe të caktuara.

“Ndryshimet fillojnë nga maja e gjuhës, këtu është zemra dhe sistemi nervor, qendra e gjuhës është stomaku dhe shpretka, ndërsa pjesa në fund pranë bajameve, janë veshkat dhe zorrët”, u shpreh ai.

Joka tha gjithashtu se gjuha jep shumë sinjale.

“Nëse ju dridhet gjuha, keni ankth, ndodh në gjuhë disa minuta më parë sesa të ndodh në trupin tonë, ndërsa kur keni gjuhë të rënduar do të thotë se po përjetoni lodhje muskulore”, tha Joka.

Por çfarë tregon ngjyra e gjuhës për organizmin tonë

·        Kur gjuha ka një ngjyrë rozë të lehtë, do të thotë që keni sistem të  balancuar dhe  tretje të mirë

·        Një gjuhë e zbehtë, keni anemi, mungesë energjie, por mund të keni edhe  fillimin e një migrene

·        Nëse gjuha është e kuqe e ndezur, mund të keni  inflamacion të brendshëm në trup ose sapo ka filluar një virozë, por mund të jetë edhe shenjë e një stresi të lartë që po kaloni

·        Ngjyra vjollcë e gjuhës tregon probleme me zemrën dhe qarkullimin e dobët të gjakut ose me mëlçinë

Edhe shtresat e gjuhës flasin shumë për shëndetin tonë.

“Kur shtresa e gjuhës është e bardhë, ju është ngadalësuar tretja, kjo tregon që mund të keni edhe mykun candida. Kur keni një shtresë të verdhë mbi gjuhë, keni inflamacion në stomak, në tëmth ose refluks.  Kur gjuha është e rëndë keni probleme me intolerancën ose pankreasin. Kur gjuha është e hollë, keni mungesë të lëndëve ushqyese dhe nivele të larta kortizoli. Ndërsa gjuha e çarë tregon se keni mungesë mineralesh dhe probleme në mëlçi.”, nënvizoi eksperti holistik.

Joka shpjegoi se shumë i rëndësishëm është dhe pastrimi i gjuhës, i cili duhet bërë rregullisht, por sigurisht më parë duhet gjendur shkaku i problemit.

“Nëse përmirësojmë mikrobiomën e stomakut, përmirësohet gjuha, bëhet rozë dhe e pastër. Në gojën tonë ka rreth 700 baktere të ndryshme, kemi dhe kërpudha. Pastrojeni gjuhën duke ndihmuar mëlçinë, hiqni mykun, pastroni zorrët”, këshilloi ai.

Ja çfarë duhet të konsumoni

Hudhra, xhinxher, vaji i arrës së kokosit, kos dhe kefir. Shumë të këshillueshme për një pastrim të gojës dhe gjuhës janë edhe çaji i lule radhiqes, boronicat, mollët, selinoja, majdanozi, borziloku, panxhari, çaji i rigonit, gargar me lëng kastraveci dhe selinoje, gjithashtu soda me vaj kokosi ose me mjaltë është një përbërje shumë e mirë për t’u përdorur.