Analisti Arion Sulo është i mendimit se qëndrimi i Partisë Demokratike dhe Sali Berishës, ndaj lëvizjes së Ervin Salianjit nuk duhet të ishte linçues dhe akuzues, pasi sipas tij kjo qasje dëmton më shumë vetë opozitën.

Gjatë një interviste në emisionin 'Sot Live në Shqipëri' në Report TV, Sulo theksoi se në këtë moment PD-së i duhet bashkim dhe jo përjashtim i zërave ndryshe brenda saj.

“Sa për lëvizjen e Ervin Salianjit, mendoj që sjellja e PD-së duhet të ishte ndryshe. Nuk duhet të ishte linçuese, akuzuese, sepse dëmtohet vetë PD-ja e para dhe e dyta, pluraliteti i zërave, bashkimi i çdo demokrati dhe hedhja e çdo alternative që nesër e sjell në pushtet, i bën vetëm mirë. E kundërta e dëmton”, u shpreh ai.

Sipas analistit, Salianji ka qenë i qartë dhe i vendosur në qëndrimet e tij politike, por problematika kryesore lidhet me të ardhmen e kësaj lëvizjeje brenda Partisë Demokratike.

“Salianji ka qenë i vendosur dhe i qartë në ligjërimin e tij. Vetëm se problemi është e ardhmja e lëvizjes së Salianjit. Dua shumë që të mos ndodhë si me lëvizjet e tjera brenda PD-së që nga viti 1992, të cilat janë shuar dhe janë larguar duke dëmtuar veten dhe opozitën”, tha Sulo.Nuk dua që kjo lëvizje të ketë një fund të keq. Shpresoj që ajo të absorbohet dhe të ndihmojë në përmirësimin e Partisë Demokratike" tha ai.

Sulo ishte kritik dhe i drejtpërdrejtë sa i përket gjuhës së përdorur nga Sali Berisha ndaj Salianjit.  

“Gjuha e përdorur nga Berisha ndaj Salianjit, per mua nuk duhej përdorur dhe nuk qëndron. Kjo gjuhë e përçan më shumë PD-në. Nuk duhet ta shikojmë si një betejë mes dy kampeve kundërshtare. Ne duhet të shohim sa opozitar është Salianji. Për mua është opozitar goxha i konsoliduar dhe eficcent. Në këtë moment duhet të shikojmë sa mbështetje ka? Unë shoh që ka mbështetje. Duhet të shohim çfarë tezash artikulon? Ne shohim që ka teza për përmirësimin e PD-së. Ne shohim sallat, a janë me të rinj? Po!  Nëse Berisha dhe PD vazhdon këtë rrugë për mua bën gabim" përfundoi ai. 

Qëndrimet e analistit Arion Sulo vijnë në një kohë kur Sali Berisha, ka deklaruar publikisht se Ervin Salianji është vetëpërjashtuar nga partia. Kjo deklaratë është kundërshtuar nga vetë Salianji, i cili në një takim me demokratët në Lezhë theksoi se statuti i PD-së nuk parashikon përjashtime për mendim ndryshe, por vetëm largim nga funksionet drejtuese në rastin e humbjes së zgjedhjeve.