Gjuhëtarët: Të ndryshojë
shqipja, më shumë gegërisht

Gjuhëtarët: Të ndryshojë <br />shqipja, më shumë gegërisht
Dyzet vite pas Kongresit të Drejtshkrimit, ka ardhur koha që standardi i gjuhës shqipe të pësojë ndryshime konkrete dhe leksiku i saj të hapet drejt prurjeve të reja. Këtë propozon gjuhëtari dhe dekani i fakultetit të Filologjisë, pranë Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, i cili jep edhe raste konkrete se si duhet të ndryshojë norma drejtshkrimore dhe arsyes se përse duhet të ndryshojnë. Megjithatë gjuhëtari i njohur, propozon që debati për këto ndryshime të mos shërbejë si llogore që ndan gjuhëtarët, por si një pikënisje për ngritjen e një komisioni të përhershëm mbarëkombëtar, që do të dijë të sheshojë ndasitë për shkak të prejardhjes së gjithsecilit. Deklaratat janë bërë dy ditë më parë, në çeljen e javës së albanologjisë, së organizuar nga Filologjiku, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

NDRYSHIMET

Në kumtesën e tij me titull "Probleme të drejtshkrimit të Shqipes standarde", profesor Rrokaj, kalon në sitë të gjithë problematikën që lind sa herë diskutohet kjo temë. Megjithatë ai këmbëngul që tashmë duhet të shikojmë nga e ardhmja, e cila përcakton edhe rrugën ku kalon edhe zhvillimi i gjuhës. "Ne mendojmë t'i kundrojmë problemet drejtshkrimore nga këndvështrimi i gjuhës në përdorim, i cili është përcaktues për normën e çdo gjuhe, pra me sytë nga e tashmja dhe e ardhmja dhe jo me sytë drejt së shkuarës, e cila mund të na mbajë peng të mendësisë së saj" - deklaron Rrokaj, i cili thotë se pas gjithë kësaj pune duhet të qëndrojë një komision i përbashkët. "Problemet në fushën e leksikut, për shkak të natyrës së tij, janë më të lehta.

Ai është sistem i hapur e kësisoj nuk ka pengesë parimore për përfshirje në standard nga leksiku i gjithëgjuhës (kryesisht ai i gegnishtes), por disa ndreqje normëzuese drejtshkrimore mund t'ia lehtësonin rrugën e përfshirjes në standard. Kurse sistemi gramatikor, me gjithë ndryshimet, mbetet në themel ai që është, me bazë toskërishten", - thekson Rrokaj në kumtesën tij. Më tej ai shpjegon se ndryshimet e mëdha gjeopolitike, sidomos në fushën e leksikut të shqipes standarde, kanë sjellë prurje të reja, por jo gjithmonë të kontrolluara dhe të disiplinuara. Sipas Rrokajt prej këndej lind nevoja e zgjerimit dhe pasurimit të mëtejshëm të gjuhës standarde shqipe, sidomos nga dialektet, të cilat janë burime të përhershme për pasurimin e saj. "Mirëpo, siç dihet, për t'u bërë një njësi leksikore a fraz¬eologjike pjesë e përhershme e leksikut të gjuhës standarde, ajo duhet t'i plotësojë kushtet që vihen sipas rregullave drejtshkrimore, sidomos të fonetikës dhe të gramatikës. Prandaj del si kërkesë e përhershme liberalizimi dhe jo ngurtësimi i këtyre rregullave për t'ua bërë të mundshme, sidomos njësive leksikore dhe frazeologjike dialektore, të bëhen pjesë e përhershme e standardit të shqipes", - thekson më tej ai.

PËRSE DUHET NDRYSHIME

Sipas gjuhëtarit të njohur Shezai Rrokaj, periudha dyzetvjeçare që nga kongresi i Drejtshkrimit më 1972, është e mjaftueshme për të bërë një verifikim të ecurisë së standardit të shqipes. "Është e nevojshme të rishihen disa rregulla që kanë të bëjnë më një afrim më të ndjeshëm të anës tingullore me atë grafike, gjë që do ta lehtësonte më shumë standardin, do ta bënte më të përvetësueshëm dhe do ta afronte më tej me gegnishten. Në këtë drejtim një rishikim i rregullave që kanë të bëjnë me rritjen e përgjithësimit nëpërmjet analogjisë dhe kufizimin e numrit të madh të përjashtimeve do të ishte i nevojshëm. Reforma mund të mjaftohej vetëm në ato çështje që vetë Kongresi i Drejtshkrimit i la të hapura për t'u verifikuar në të ardhmen", - shpjegon Rrokaj. Sipas tij qysh prej Kongresit të Drejtshkrimit shteti, shkolla, institucionet, mediet, shtëpitë botuese kanë punuar dhe punojnë për ngulitjen e standardit, por për arsye gjeopolitike dhe të kohës së shkurtër (40 vjet), ne jemi një shoqëri me standard gjuhësor ende të pangulitur e të panjësuar. Nga ana tjetër, ai thekson se nuk mund të pretendohet se shqiptarët e krijuan standardin dhe ai duhet të mbetet një koinë statike e dhënë njëherë e përgjithmonë. "Katër dekada prej Kongresit të Drejtshkrimit dhe vetëm dy dekada prej ndryshimeve të mëdha politiko-shoqërore janë shumë pak për të folur për një zgjidhje të plotë të problemeve që lidhen me leksikun, me gramatikën dhe me normën drejtshkrimore dhe aq më pak për ngulitjen, shtrirjen e njësimin në gjithë trevën shqipfolëse", - thotë më tej Rrokaj.


Nëse do të shihet nga pikëpamja krahinore, do të sjellë kakofoni


Por profesori i njohur i gjuhësisë bën apel që i gjithë ky proces ka nevojë të shihet me objektivitet, në të kundërt rrezikon të krijojë një kakofoni gjuhësore, më keq se situata ku ndodhemi aktualisht. "Por ky proces duhet parë qetësisht dhe me tolerancë, larg egocentrizmit krahinorist, konservatizmit linguistik apo mendësive me frymëzim parashkencor e politik. Ai duhet parë me sytë drejt së ardhmes së kombit tonë dhe jo me kokën mbrapa për të zhbërë atë që u bë katër dekada më parë sepse, si Shqipëria dhe shqiptarët ashtu edhe gjuha e tyre nuk janë më si katër dekada më parë. Ndaj, nëse nuk ka një politikë gjuhësore të mbështetur nga shteti me ligj dhe një politikë gjuhësore që mbështetet më mjetet financiare përkatëse më mirë të mos bëhen ndryshime sesa të krijohet një kakofoni gjuhësore edhe më e madhe nga ajo që sot shohim gjithandej", - deklaron Rrokaj.

drejtskrimi i gjuhes shqipe

Sipas tij, nga ana tjetër, çdo rishikim i standardit është një çështje mjaft e rëndësishme në jetën e një shteti. Propozimet për zgjidhje gjuhësore kërkojnë mbështetje shtetërore nëpërmjet institucioneve zbatuese, kanë një kosto lidhur me korrigjimet eventuale të literaturës ekzistuese shkollore, të akteve ligjore dhe vendimeve institucionale e botimeve dhe, sidomos, lidhur me riedukimin e shoqërisë nëpërmjet shkollës, botimeve, medieve, korrigjuesve automatikë, trajnimeve të administratës, mësuesve, gazetarëve, redaktorëve dhe korrektorëve në shtëpitë botuese dhe në media, shkolla verore etj. Pra, është një shpenzë e konsiderueshme, që duhet mbajtur parasysh sepse, siç u pa më lart, me gjithë punën e konsiderueshme që është bërë vetë ky standard që është, për shumë arsye, është shumë larg së qenit gjithëpërfshirës. Është pra, një ndërmarrje kombëtare që duhet të mbajë parasysh diversitetin tonë kombëtar dhe mundësitë reale për t'ia dalë mbanë.

shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com, datë 14 nëntor

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi