Ditën e sotme është zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjyqi ndaj Plaurent Dervishit, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku ky i fundit mbeti i plagosur, ndërsa shoferi i tij, Andi Maloku, humbi jetën.

Gjatë seancës së sotme ka vijuar pyetja e dëshmitarëve, ku kanë folur para trupës gjykuese Erigen Toska dhe Ramazan Rraja. Ndërkohë kanë refuzuar të dëshmojnë Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani.

Gjatë dëshmisë së tij para trupës gjykuese, Toska ka treguar se si i është vjedhur makina teksa e kishte parkuar poshtë pallatit ku banonte. Ai shtoi se gjëja e parë që bëri ishte denoncimi në Polici, duke u dhënë atyre edhe kopjen e çelësit që kishte.

Nga ana tjetër, Ramazan Rraja gjatë dëshmisë së tij në GJKKO është shprehur se nuk ka lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja, duke shtuar se ka qenë jashtë Shqipërisë para dhe pas ngjarjes.

Ai shtoi se kishte dëgjuar se po përgatitej vrasja e familjarëve të tij, pas dyshimeve se Rraja kishte marrë pjesë në atentatin në Durrës. Por Ramazan Rraja shtoi se nuk shqetësoheshin fare as për këtë gjë dhe se gjumin e bënin shumë rehat. Kujtojmë se Rraja akuzohet për 'sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes' në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja.

Prokurori Adnan Xholi kërkon që seancën e radhës të merren në pyetje dy të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juliaj Meçaj.

Pjesë nga diskutimi në GJKKO:

Dëshmon Erigen Toska: Në 2019 kam patur Mercedez ngjyrë gri. Në pallatin që unë banoj, kam parkuar automjetin rreth orës 22.00, ka qenë shtator 2019. Më pas rreth ores 06.30 të nesermen, zbres për te ikur në pune, nuk gjeta automjetin poshtë. Gjëja e parë që bëra, telefonova policinë dhe bëra denoncimin. Më telefonoi me pas policia në telefon, 2-3 muaj pas denoncimit. Më thirrën për automjetin, më morën në pyetje. Nuk bëra kërkime për gjetjen e automjetit. Kopjon e çelësit që kisha, ja dhash policisë.

Dëshmon Ramazan Rraja: Kam jetuar edhe jashtë edhe në Shqipëri. Nuk kam pasur konflikte me askënd përpara se të arrestohesha. Plaurent Dervishaj e njoh, Redjan Rrajën e kam kushëri, Julian Meçaj e njoh, ndërsa të pandehurit e tjerë i kam njohur në burg. Në 2019 kam patur një numër telefoni në perdorim, e kam vënë në dispozicion gjatë procesit që ka qenë hetimi. Ka qenë i regjistruar në emrin tim. Kam pasur Ëhatssupin të instaluar. Ne Durrës kam qenë në lokalin “Zodiac”, nuk e kam idenë kush është pronari. Jam ulur vetëm një herë para vitit 2019. Arjan Ndoj, Vullnet Muça, Aleksandër Laho, etj, nuk i njoh, i kam parë vetëm në televizor. As Ervin apo Luan Matën. Lokal “Viktoria” nuk e di ku ndodhet. Nuk kam patur aplikacion të enkriptuar. Jam dënuar për “sigurim kushtesh”, por nuk di të kem siguruar kushte për ndonjë ngjarje. Nuk kam siguruar kushte as për Arjan Ndojën, as për Genci Malokun. Nuk kam patur asnjë automjet në përdorim në momentin që jam arrestuar. Kam dijeni që kanë dashur të vrasin familjarët e mi, mesa kam parë në media. Edhe për këtë nuk shqetësohem, gjumin e bëjmë rehat edhe në rrugë të madhe. Nuk kam dijeni nëse familjarët e mi janë takuar me familjen e Genci Malokut (babai i Andi Malokut që mbeti i vrarë në atentat). Me Plaurent Dervishaj jam takuar vetëm një herë për kafe, detyrim financiar nuk i kam qoftë atij, as ndonjërit. Në 1 nëntor kam qenë jashtë territorit të Shqipërisë përpara dhe pas asaj ngjarje.